Xhevahire -II-
Citate, proverba dhe sentenca
Nga Reis MIRDITA
Dashuria ndaj të tjerëve është bujari e fituar, e pranuar me zëmër. Dashuria ndaj vetvetes është e lindur, instikt, dhe andaj nuk ka ndonjë vlerë shoqërore. |
Ende nuk mësova se kush lindi më parë, paqa ose lufta?! |
Në Facebook gjejmë më shumë trima e patriota se në tërë historinë e njerëzimit. |
Dashuria s’e mbyt dashurinë, njeriu po. |
Në dashuri, sytë i gjejnë kahjet por zemra bjen vendimin. |
Shpirtvegjëlit nuk mund të dalin kurrë nga mjerimi i tyre, as me barna as me pasuri. |
Heshtja para të keqes është aprovim i saj. |
Në shtëpinë e përhershme, një epitaf univerzal: Më leni të jetoj! |
Kritikët më “të mëdhenj” të autorëve, janë ata që lexojnë diagonalisht. Pas tyre vinë analfebetët. |
Nëse i pëlqeni përrallat, lexoni historinë nga burime të fituesit. Nëse doni të mësoni të vërtetën, lexoni burimet e humbësit; aty do të gjeni dhunën, dhimbjen, vajin, humnerën. |
Plagjiati si telegrafi, flasim gjithmonë por ata nuk egzistojnë më; i pari është zëvendësuar me kopje-ngjitje, i dyti me e-mail. |
Kemi “Të mjerët” e Hugo-s por edhe të mjerët e egos. |
Të pohosh se je njeri i mirë, është e njerëzishme, të pohosh se je më i miri, është çalim shpirtëror. |
Edhe liria e ka faqen e saj të errët, fitohet duke ecur mbi kufoma. |
Lufta për liri nuk bëhet për të vdekur por për të jetuar. |
Njeriu humbi lirinë, kur u largua nga shpella e tij. |
Që të mos jetë liria vetëm një kuptim subjektiv, njeriu duhet ta heq qafe frikën. |
Dielli dhe hëna janë madhështia qiellore; yjet mes tyre, janë njerëzit e drejtë. |
Njerëzit, sipas mënyrës së jetës, ndahen në tri grupe: ata që jetojnë me motin, ata që jetojnë me horoskopin ditor, dhe ata të cilët thjeshtë, – jetojnë. Ka edhe një komunitet i katërt, politikanët por për ta s’po flasim aspak se s’i jepet asnjë karar. |
Ma thuaj të kaluarën, të tregoj ardhmërinë. |