Takim i rastësishëm në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kërçovë

Takim i rastësishëm në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kërçovë

Prof. Dr. Arbër Çeliku

Në janar të këtij viti u desh të udhëtoja për në Zvicër. Zbrita në Bazel dhe mendova të pi një kafe fillimisht aty, pastaj të vazhdoj për në destinacionin e synuar. Në të dalë nga kafeneja, pikasa një bashkëvendasin tim, i cili u gëzua shumë kur më pa. Nuk më la të dilja, më ofroi drekë, por meqë nuk kisha uri, më bleu një pako cigare dhe insistoi që të ulesha, të paktën, të pija një lëng. Nuk ia prisha. Nuk shkoi shumë, një nga një hynin shumë kërçovarë dhe u bëmë mbi 8 persona në tavolinë.

Normalisht, meqë dhe më njihnin si emër, filluan të më pyesnin për situatën te ne. U përpoqa t’ua përshkruaj situatën nga perspektiva ime, por njëri nga ata, i cili tashmë ishte në pension, nuk pajtohej me qasjen time kritike. Ai ende besonte në përrallat e thurura për mrekulli për 2 dekada nga profetët e rrejshëm.

Si zakonisht, nuk debatova më shumë, i falënderova për mikpritjen dhe vazhdova tutje rrugëtimin tim.

Sot m’u desh ta regjistroja veturën dhe, gjatë gjithë kohës, vrisja mendjen se a i vlente të mbaje veturë në këtë gjendje të rënduar ekonomike tonën. Nejse, pa asnjë lloj transporti publik siç kemi mbërritur, nga fshati nuk shkon dot në qytet pa veturë as për të bërë pazarin e nevojshëm shtëpiak.

Sportelistja më arkëtoi diku rreth 70 euro për shfrytëzimin e rrugëve publike, që nuk përmbushin asnjë standard elementar, për më tepër, në këtë gjendje për faqe të zezë, siç i kemi rrugët, ndërmarrja Rrugët e Maqedonisë së Veriut, do të duhej që neve të na paguante për dëmtimin e veturave në vazhdimësi.

Nejse, muhabet koti ky, vazhdova drejt për në polici, për kryer me procedurën e regjistrimit. Hyra brenda, askush në sportel, përveç një personi të moshuar që priste ulur aty (e vetmja karrige në atë sallë rreth 100m2). M’u duk si fytyrë e njohur, por nuk më kujtohej ku e kisha parë. Pritën nja 20 minuta, nuk shfaqej askush nga të punësuarit, kurse radha e njerëzve filloi të shtohej.

Zotëriu në fjalë, reagoi: “Ç’është ore kjo punë?! U bë gjysmë ore që pres, nga 6 sportelistët nuk shfaqet askush nuk vendin e tyre të punës. Në Zvicër kjo do të ishte skandal shtetëror”. E shikova dhe m’u kujtua kush ishte. “Këto gjëra t’i thashë ato ditë në Bazel, por m’i more fjalët për ters”, ia ktheva unë. Më shikoi dhe shtoi: “Të kërkoj ndjesë, e meritoj një shuplakë”. “Jo, jo i thashë, të detyrohem një kafe për nderin që më bëtë. Së paku, dhe 1 orë nuk do të vijë njeri këtu. Mbase dhe i gjejmë te kafenetë përballë”. Shkuam te njëri lokal aty dhe vërtet personi përgjegjës për regjistrimin e veturave, ndodhej aty. Ne pimë kafen, diskutuam ca dhe pas 30 minutave u kthyem përsëri në sportel. Vetëm një administrator i moshuar maqedon tash ndodhej aty. “Lëreni dokumentacionin me gjithë letërnjoftim, mund të paguani me kartelë, por për ta marrë librezën e automjetit duhet të vini pas një ore, personi përgjegjës nuk ndodhet këtu” (Nuk na gënjeu, sepse e lamë në lokal duke pirë kafe). Ashtu dhe bëmë, vërtet pas një ore (dhe pas një ore pritjeje, dmth pas 2 orësh gjithsej), libreza e automjetit ishte gati.

Dorën në zemër, respekt!