SEVËME FETIQI, – JETËSHKRIMI DHE VEPRIMTARIA
Sevëme Fetiqi u lind më 7 maj 1961 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Më pastaj studioi mjekësinë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Që nga bankat shkollore tregoi interesim dhe prirje për poezi. Poezitë e saj u botuan në shumë gazeta dhe revista. Në vitin 1983, poezitë e saj u botuan në antologjinë „Rrjedh e lë gjurmë” të cilën e botoi gazeta e studentëve “Bota e Re”. Më vonë, më 1985 iu botua përmbledhja e parë “Kurorë e kaltër” botim i Rilindjes, e cila përmbledhje u shpërblye me çmimin ”Hivzi Sylejmani” si libri më i suksesshëm i Plejadës, nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Redaktor i ketij libri ishte shkrimtari Ali Podrimja. Si shumë të përndjekur në vitin 1992 Sevëmja emigroi në Gjermani.
Në vitin 1998, autorja boton librin e dytë “Dëshmia e kthimit tim”, redaktor Rrahman Dedaj. Në vitin 2003, poezitë e saj përfshihen në “Antologjinë e poezisë moderne shqiptare” të Ferdinand Lahollit, ku janë të përkthyera në gjuhën gjermane. Poezitë e saj janë të përkthyera edhe në gjuhën rumune në antologjitë e Baki Ymerit “Trup dhe shpirt (Trup si suflet)” 2012 dhe „Destinë letrare“ (Destine literare) 2015 si dhe antologjinë e Hasan Qyqallës dhe Neki Lulajt, “Trinomi i lirisë” 2012, me poezi kushtuar Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut. Po në këtë vit poezitë e saj përfshihen edhe në dy antologji tjera “Korsi e hapur” Tiranë, botim i LNPSHA ” Pegasi” si dhe “Një shekull dritë”, në pregaditje të Hasan Qyqallës. Në vitin 2013 poezitë e saj përfshihen edhe në Antologjinë “Flakadani i lirisë “ me poezi kushtuar dëshmorit dhe heroit Zahir Pajaziti, që është botuar në Besianë nën përkujdesjen e Milazim Kadriut, në Antologjinë kushtuar Ali Podrimjes si dhe në antologjinë e poeteshave shqiptare, te autorit Luan Malokut „ Bota e ëndrrave magjike“ 2014 . Librin e tretë të saj, me poezi “Imazhe të ringjallura” ia boton në mars të vitit 2012 SHB “Beqir Musliu” në Gjilan.
Në vitin 2014 Sevëmja boton edhe librin e katërtë të saj me poezi „Një gllënjkë dashuri“ SHB „Beqir Musliu“ Gjilan.
Në vitin 2008 shpërblehet me çmimin e dytë në Orën e madhe letrare “PAVARËSIA”në Koblenc të Gjermanisë, në vitin 1983 shpërblimi i parë; 2010 dhe më 2011 shpërblimi i tretë në Takimet tradicionale të poeteshave në Vushtrri, 2013 shpërblimi i dytë dhe i tretë në manifestimet e mërgimtareve në Kosovë. Në vitin 2012 u nominua nga LPNSHA “Pegasi” Tiranë dhe Prishtinë ,,Poetja e vitit 2012”. Në qershor të vitit 2013 në Takimet Poetike Tradicionale “Azem Shkreli” në Ennepetal të Gjermanisë, me vendin e dytë u shpërblye libri i saj “Imazhe të ringjallura” .
Në vitin 1979 ishte njëra ndër themeluesit e TAKIMEVE TË POETESHAVE SHQIPTARE në Vushtrri, në vendlindjen e saj, si dhe veterane e këtyre takimeve ku edhe u shpërblye disa herë me çmime. Në vitin 2013, nga Komuna e Vushtrrisë nderohet me Mirënjohjen, që ndahet për nder të Ditës së Pavarësisë të Rep. së Kosovës, për aktivitetet e saj letrare dhe për kontributin shumëvjeçar në vendlindjen e saj.
Sevëmja, në kohën e lirë shkruan edhe për gazeta dhe portale të ndryshme të vendit dhe jashtë tij. Katër vitet e fundit, që nga hapja e stendës së Kosovës në Panairin më të madh ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, është organizatore e përurimeve të librave në këtë stendë. Sevëme Fetiqi shkroi edhe vlerësime letrare të disa librave siç janë libri SHKUMBNAJË E DASHURI – roman të Adem Demaçit, SHPIRTI I ARRATISUR- poezi të poetes dhe shkrimtares Drita Fejza si dhe ka bërë edhe një redaktim të librit GJAKU IM TE QOFTË FALË i krijuesit nga Maqedonia Nehat Jahiut.
Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, aktualisht sekretare në Lidhjen e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani, anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, anëtare e komisionit punues për përurimin e librave, pranë shoqatës „ILIRIA“në Heidelberg, anëtare e Lidhjes ndërkombëtare të poetëve “PEGASI”Albania për Gjermani, anëtare e Lidhjes së shqiptarëve në Botë, dega në Gjermani si dhe anëtare e Unionit gjithëkombëtarë shqiptarë, me seli në Belgjikë.
Një kohë punoi si mësuese vullnetare(pa kompenzim) me mësim në gjuhën shqipe në shkollën “Naim Frashëri” pranë klubit “Bashkimi Kombëtar” në Offenbach (Frankfurt) të Gjermanisë, ku edhe jeton.
PIPËTIMË SHPRESE
Shpresa më mbërthen
me rrëzëllimë të shqyer
si natë nën gjak hëne të pispillosur
Syrin kërcënon
me teh muri të verbuar
skelet i vetmuar emërhumbur
stolisur me lule pa erë
dimër që s`lë krahnezë
Ç`dashnor i tretur
në pyje brengash
i asaj lule vjollce
që diellin dhe vetminë
i shndërron në fluturim zogu
Më prek zjarr i asaj largësie
dhe bëhem pluhur i shpërndarë
me purpur muzgu
luginave të paprekura
Nuk më doli tërë jeta
të zgjoj atë diell të fjetur
të shkrij akujt e syve të tu
dhe ëndrrën t`u rrëfej bimëve kokulura:
– Deri në fund të botës të shkohet
për një pikë vesë në një fije bari
Më thuaj diçka të lutem
mos ma lër shpresën të struket
në qoshet e paprekshme të zemrës sime
Edhe uji ecën më thua
dhe duke ecur
nuk e thotë asnjë fjalë
hesht
MITROVICA
Lum Ibri
po ti s’je Gjibraltari
me ujë të hidhur
Pashë atë zë legjendash
e gjakun e derdhur për ty
ngrite zërin në pafundësi
të të mos mashtrojë gjumi
Ti që gurgullon dhembshëm
mallit tim
mos u ndal së dashuri
Krahu tjetër
çdo ditë vuan
për ujin tënd të ëmbël
Ura jote do bëhem
mespërmes
Me gjakun tim
do të lidhë përjetshëm
Zemërarta e Kosovës
Mitrovicë
DELL DEHJEJE
Si vera e kuqe
që fshehtësite i zbulon
kur i mbush gotat e bardha
si dell dehjeje
Ti qite helmin e të hidhurave aty
unë do ta pi me ëndje
edhe buzët nëse i ke të balsamosura
me puthje mëkatare do t´i njomi
bëhu trëndafil i malit
me gjembat e tij
le tatuazh kujtimi
në tenin tim të butë
sillmi edhe netët e tua të përlotura
edhe ato pikëllime që të pikojnë
nga strehët e jetës
sillmi o sillmi mua
ngarkoji harresat e mia
trenat dhe anijet e bujtinave
le të bëhen të gjitha të miat
mos u mërzit për mua
m´i le e shko
statujë e përhumbur në muzgje unë
të gjitha i mbaj mbi pëllëmbë
puthë qiellin për hirë të syve të tu
ku vesë pranverore pikon në vargjet e mia
LUMI I JETËS SIME (versioni i dytë)
(Sitnica dhe Ura e Gurit)
Sa herët ma ndërroi
ky lumë shtratin
nuk rrjedh më
nën Urën e vet të Gurtë
tutje anash
gjarpëron kokëulur
brigjeve ha
butë e butë
Nga larg shoh
me mallë kohësh
etja e përjetshme
nën shtrat kullon
Hapësirës së braktisur
përmes çarjeve
vërshoi thatësi
ai Shtrat e ajo Urë
nëpër rrathë kujtesash
shtrihen deri te gjinjtë e mi
Veç dashuria thashë
s’do shuhet
asnjë çast të vetëm në mua
edhe kur gurëve
pamëshirshëm
muroset dicka si heshtja
e ftohtë
Më dukej lumi
si shtrat i hershëm
nën shalët e Urës priste
si shpirti im
Ikte ai lumë
linte mjegull
mbi qepallat e mia të palosura
e më thoshte
flejnë në një shtëpi
dashuria dhe urrejtja
kjo dhembje
që zhvesh nga gjethet
degët e varura deri në tokë
ato prekin kokën e lagur nga flokët e mia
ashtu lakuriq i dorëzohen diellit
dhe qiellit të paskaj me falënderimin
që s’njohu fundin ky mall.