Servilizmi i politikanëve shqiptarë merr një shuplakë të mirë nga ambasadorja franceze

Eshref Ymeri

Servilizmi i politikanëve shqiptarë merr një shuplakë të mirë nga ambasadorja franceze

Në një njoftim më të fundit nga Tirana, thuhet:

“Ambasadorja franceze në Shqipëri, Barsacq, ka kritikuar ndërhyrjet e ambasadorëve në politikat e brendshme të Shqipërisë. Në një intervistë për “Euronews”, ajo ka dhënë një mesazh të fortë, duke theksuar se shqiptarët vendosin vetë dhe nuk duhet që ambasadorët të vendosin për ta. Për deklaratat e kolegëve të saj, Barsacq u shpreh se duhet pasur parasysh që të zbatohet Konventa e Vjenës” (Citohet sipas: “Ambasadorja franceze kundër Yuri Kim, Barsacq: Ambasadorët s’kanë pse të vendosin për shqiptarët”. Kanali tv “Syri”. 03 janar 2022).

Perëndimi evropian e ka ditur me kohë se cila është psikologjia e politikanëve shqiptarë, e ka njohur mirë natyrën e tyre servile dhe mercenare, për shkak të së cilës ata nuk ushqejnë kurrfarë respekti për popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që të shndërrohen në rrogozë shembullorë dhe në lepitka të zellshme të të huajve. Populli shqiptar, po ashtu, i njeh mirë politikanët e vet se nga gjiri i tij kanë dalë. Por e keqja është se vetë populli shqiptar, tradicionalisht, të huajin e ka respektuar dhe vazhdon ta respektojë më shumë se vetveten. Prandaj, gjatë shekujve, jo më kot, është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë e urtë:

“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.

Pra, shqiptari mikun, të huajin e ka bërë zot shtëpie për shkak të mikpritjes së tij jashtë normave të etikës së komunikimit me të. Një qytetar i nderuar kosovar, me banim në Zvicër, shkruan:

“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Duke e ngritur kaq lart kultin e të huajit dhe duke shpërfillur kultin e vetvetes, populli shqiptar ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga gjiri i vet politikanë pa kurrfarë dinjiteti kombëtar. Nënkuptohet që politikanët tanë, pa kurrfarë dinjiteti para të huajve, nuk mund të fitonin dot respektin e Perëndimit evropian. Për rrjedhojë, në heshtje, nuk mund ta gëzonin, nuk mund ta gëzojnë dhe nuk kanë për ta gëzuar kurrë respektin e diplomatëve të huaj. Sepse servilin, mercenarin, të huajt e përbuzin në heshtje, por e shfrytëzojnë vetëm për interesat e tyre dhe vetëm kaq.

Ambasadorja franceze meriton një falënderim të thellë nga të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, për shuplakën e merituar që i ka dhënë tërthorazi elitës së rreme të politikës shqiptare pa shtyllë kurrizore, të kësaj tufe servilësh të pështirë të diplomatëve perëndimorë, mes të cilëve ambasadorja Yuri Kim ka arritur deri atje, sa t’i lejojë vetes të shndërrohet në një kujdestare të pasionuar të “kopshtit” të politikanucëve  shqiptarë. Kjo është edhe arsyeja që asaj,  në Tiranë, i kanë ngjitur nofkën“Teto Kimetja”.

       Kaliforni, 03 janar 2022