Premtimet e partive politike përballë mërgatës

Premtimet e partive politike përballë mërgatës

Disa nga partitë politike, si LDK, PDK, AAK dhe LVV, kanë vënë në lëvizje potencialin e tyre politik e njerëzorë, duke dashur që për mes mërgatës të rrisin reputacionin e tyre, madje të vjelin edhe ndonjë votë aty-këtu, në kohë zgjedhjesh etj. Tani, sa do të jetë frytdhënëse kjo, mbetët për të parë- hamendësohem unë, për këtë ka disa arsye të cilat i qëndrojnë aktualitetit.

Para së gjithash, subjektet politike të Kosovës, mërgatën e kanë injoruar, më thjeshtë e kanë parë vetëm si një levë prurjesh, dhe kjo ka dhënë efektin e pasivitetit- për të mos thënë zhgënjimit të saj.

Së dyti, ata asnjëherë nuk kanë marrë mundin që mërgatën tonë, ta trajtojnë si qytetar të denjë të këtij vendi, për të cilin ata kanë dhënë aq shumë, duke u nisur që nga familjet e tyre e deri tek obligimet përballë shtetit tonë, madje shumë nga ata, kanë lënë edhe luksin e Evropës dhe kanë rënë në gjirin e atdheut!

Së treti, mërgata jonë gjithandej, dyerve të botes së madhe, ka dhënë shembullin e mirë të punës, shkollimit të fëmijëve të tyre, kanë dhënë shumë kuadro që janë shtyllë e shoqërisë atje ku ata jetojnë, dhe kjo çmohet e respektohet- në fakt sa gjest i lig ky, kur në vendlindje ata pameritueshëm fyhen dhe injorohen!

Së katërti, mërgata sot, nuk përfaqësohet askund në Institucionet e vendit, nuk e ka të drejtën e fjalës, të vendimmarrjes, të qasjes së mundësive të barabarta etj. Mërgimtari i thjeshtë, fare lehtë e vëren këtë indiferencë pa mbulesë të shoqërisë sonë e cila mbushët e zbrazët pandërgjegjshëm, vetëm në kohë vjelash e përvjelash të mërgatës…

Së pesti, krejt e natyrshme, sjelljet e pandërgjegjshme të ndonjërit nga mërgimtari në vendlindje, nuk pasqyrojnë më shumë së edukatën e tij personale, madje i takon familjeve tona, pra sojit tonë- fatmirësisht, këta nuk janë shumicë, dhe është gabimi kur ne i përgjithësojmë, qoftë edhe për ndodhitë, si:

– “Shihi këta të jashtmit, që janë quar peshë!”…

Së gjashti, ligji i natyrës nuk e kursen as mërgatën, pra gjeneratat-breznitë, kanë ndërruar edhe atje. Kjo është shumë e logjikshme; lidhja emocionale me atdheun, ndryshon mes gjeneratave të rritura në dhe të huaj, pa dyshim dallimet e lidhjes emocionale me atdheun, vërehen edhe këtu në Kosovë!…

Së shtati, mendoj së jetëgjatësia e riorganizimit të njësive partiake të shtrira gjithandej nëpër Lande, Regjione dhe Kantone me degë e nëndegë, nëpër gjithë shtetet e Evropës, Australisë dhe Amerikës së largët, nuk të jap shpresa afatgjate për një angazhim politik të qëndrueshëm.

Duke u nisur edhe nga shembulli i dy dekadave të kaluara, së partive politike në Kosovë, mërgata iu duhet vetëm sa ta kalojë lumin!- një shembull i keq ky, që ka lënë shije të hidhur edhe tek brezat që po rriten jashtë atdheut.

Në vazhdim, anëtarët ose simpatizantët fanatik të ndonjërit prej subjekteve politike, duke dashur që të tregojnë një përkushtim të lartë për subjektin e caktuar, me mbushjet dhe zbrazjet e mllefit të tyre politik, ata para së gjithash vrasin këtë riorganizim me dorën e vet- mbase nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Me pak fjalë, çdo përkushtim që bëhet mbi bazën e fanatizmit, është humbës i arsyes së veprimit pragmatik, dhe është i dedikuar të dështoj.

Si ligj i pashkruar dhe i pashmangshëm; të gjitha këto grupime politike të organizuara në dhera të huaja, me kohë dhe në kohë, do ta humbasin kuptimin e ekzistencës së tyre, dhe do të pushojnë së vepruari në heshtje, në fakt do të humbasin kuptimin e ekzistencës në vendet e huaja përkatëse, ku ata jetojnë e veprojnë, dhe kjo është e pashmangshme, përjashto këtu komunitetin kulturor, si organizimet për gjuhën, traditën, etnosin, melosin, kostumografinë, toponimet, pagëzimet, tradita e kuzhinës- gastronomisë, sportit, folklorit, doket, ritet etj.

Si përfundim:

Mërgata jonë, dhe pa përjashtim, të gjithë mërgimtarët e botës, në fakt ata atdheut të tyre nuk i marrin kurrë asgjë. Ata, si edhe mërgimtarët tanë, të të gjitha kohërave, atdheut i kanë sjellë të mira materiale, politike dhe etike. Mërgata jonë, nuk do, dhe nuk po kërkon shpërblim për asgjë, jo ngasë ne, ia kemi borxh moral familjeve dhe atdheut tonë të dashur.

Mërgata kërkon respekt dhe mirëkuptim, edhe kur ata nxjerrin ndonjëherë dhembjet e shpirtit (pa dashjen e tyre), lëmshi që i është mbledhur në krahëror, larg atdheut me zemër të plasur, ata e thonë me tërë fuqinë e shpirtit:
KOSOVË – ATDHEU YNË I DASHUR!

Edhe Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, F. Noli, Konica e dhjetëra bijë tanë gjithandej tokave shqiptare, ishin të Syrgjynosur, arratisur e mërguar. Të gjithë këta, sollën përvojat më të mira nga vendet e zhvilluara, bënë dhe ngritën lartë e më lartë shtetin dhe emrin e Shqipërisë!…

03,09,2022
Mehmet Bislimi