Pavarësia de fakto e Kosovës është 12 Qershori 1999, Dita Çlirimit

Pavarësia de fakto e Kosovës është  12 Qershori 1999, Dita  Çlirimit

Nga Skënder Sadri KAPITI

Me 12 Qershor 1999 forcat ushtarake të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA hynë në Kosovë dhe kjo është Dita e Madhe e Lirisë së Kosovës, pasi u dëbuan forcat policoro-ushtarake serbe nga Kosova dhe njëkohësisht mori fund dhe sundimi administrativo-kolonialist i Serbisë mbi Kosovën. Popujt të cilët lirinë e kanë fituar me sakrifica dhe luftë, festën kombëtare e kanë Ditën e çlirimit. Pra festa kombëtare e Kosovës është de fakto 12 Qershori 1999, ndërsa 17 Shkurti 2008 është shpallja shumë e vonuar e Deklaratës së Pavarësisë, që është pasojë e gabimit të faktorit politiko-ushtarak të Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008 ishte faktikisht Njohja Ndërkombëtare e Pavarësisë dhe e Shtetit të Kosovës që u çlirua dhe u pavarësua me 12 Qershor 1999.

 Si Deklaratë Pavarësie apo si prelud i saj shërben edhe Deklarata e Pavarësisë që njihet si e tillë, Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës me 2 Korrik 1990 për Pavarësi shtetërore dhe territoriale nga Serbia, që ishte sakrifica dhe sfida më e guximshme politike e asaj kohe kundër regjimit ushtarako-policor barbar serb, regjim i cili fshiu edhe Statusin e Kosovës si Krahinë Autonome. Ky akt heroik i deputetëve të Kosovës së asaj kohe ishte sa patriotik së pari aq edhe demokratik dhe vizionar, pasi shpërbërja e ngrehinës Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe Statusi i Kosovës si shtet dhe Republikë automatikisht i jepte të drejtën e Pavarësisë Kosovës dhe shkëputjen si nga Serbia së pari por edhe nga Jugosllavia ashtu siç vepruan Sllovenia, Kroacia e Maqedonia. Pra Pavarësia e vitit 2008 ishte vijimësia dhe kurorëzimi i luftës një shekullore të popullit shqiptar të Kosovës kundër kolonizatorit serb; periudhë e cila ka brenda diapazonit kohor saj edhe atë të rezistencën paqësore rugoviane e që kulmoi me Luftën e Lavdishme heroike të UÇK-së si dhe me ndërhyrjen vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA që e çliroi Kosovën me 12 Qershor 1999, Luftë e cila pra e vulosi ndarjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia, dëbimin përfundimtar dhe dhënien fund të sundimit kolonialist serb mbi Kosovë. Pra, de fakto kjo është dhe vetë Pavarësia e Kosovës dhe ngjarja më e rëndësishme kombëtare e saj.

Me Deklaratë Pavarësie kuptohet sqarimi pse një komb shpall Pavarësinë ashtu siç bënë amerikanët me 4 Korrik të vitit 1776, dhe më pas meqenëse britanikët nuk e pranuan Pavarësinë atëhere u zhvillua lufta për Pavarësi. Por, në Kosovë përderisa lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtuesi dhe barbarizmi kriminal serb, nuk ishte aspak e nevojshme as të vonohej dhe as të pritej 9 vite që të shpallej formalisht Pavarësia, pasi vetë ndëkombëtarizimi dhe ndërhyrja vendimtare ushtarake e NATO-s e kishte “sqaruar” mirë si Rusinë e atëhershme ashtu si edhe Serbinë shoviniste dhe miqtë e tjerë të saj se Serbia e kishte humbur sovranitetin mbi Kosovën, pasi me Kosovën Serbia ka qene në luftë pothuajse 100 vite, se Serbia e kishte humbur edhe betejën paqësore të para luftës me Kosovën e udhëhequr nga I. Rugova.

Faktori ushtarak dhe politik i Kosovës po edhe i Shqipërisë duhej ta shfrytëzonin këtë shans të artë historik që u erdhi nga përkrahja e SHBA dhe e Europës demokratike dhe ta shpallnin Pavarësinë e Kosovës menjëherë sapo Kosova u çlirua nga sundimi serb; faktori ushtarako-politik shqiptar ashtu siç veproi kompaktësisht në Rambuje duhej ta shfrytëzonte në maksimum faktin e rrënimit ushtarak, politik e diplomatik të Serbisë si dhe diskreditimin ndërkombëtar të saj si shtet terrorist, kriminal dhe genocidist dhe se Serbia akoma kishte atëhere në pushtet Milosheviçin; dhe shansi tjetër ishte fakti se në Rusi ishte në pushtet Boris Jelcin, një demokrat që nuk kishte marrëdhënie të mira me regjimin e Millosheviçit.

Politikanët shqiptarë në atë kohë nuk duhej t’i mbërthente euforia, as përçarja politike dhe as synimet e interesat e ngushta personale për pushtet, por duhej ta projektonin strategjinë e menjëhershme për shpalljen e Pavarësisë, pasi kishte potencialet edhe ushtarake, edhe politike edhe diplomatike për ta ndërmarrë këtë veprim. Edhe po qe se ndërkombëtarët atëhere nuk do të ishin dakord, por e them me bindje se kjo për ata do të kishte qene e përkohshme dhe shumë shpejt do ta kishin pranuar edhe ata Shpalljen e Pavarësisë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia e mundur dhe e dobësuar dhe shumë e diskredituar botërisht nuk kishte as besimin dhe as takatin për të kundërshtuar dhe jo më për të lobuar kundër Pavarësisë së Kosovës.

Bindja ime se edhe shtetet kryesore perëndimore do ta njihnin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës edhe sikur shqiptarët do ta shpallnin atë atehere më vjen prej asaj se pas shpalljes të saj me 17 Shkurt 2008, menjëherë zinxhir dhe në një kohë rekord ajo u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve të kombeve demokratike. Këtë mendim unë e kam pasur që atëhere dhe madje ua kam pas thënë edhe shumë atyre që u bënë politikanë dhe pushtetarë karriere pastaj në Kosovën e çliruar të pas 12 Qershorit 1999.

Kosova për 9 vite ishte pjesë e administrimit ndërkombëtar, kështu pra, kryesisht për fajet, për paaftësinë dhe për papërgjegjshmërinë dhe për mungesën e strategjisë kombëtare të politikës shqiptare në përgjithësi që nuk diti që ta shfrytëzojë si duhet këtë shans të madh historik, por i dha mundësinë dhe kohën Serbisë që të rikuperohet e të kalojë në ofensivë paqësore por siç a ka historikisht zakon me shpifje, intriga, me fabrikime e falsifikime akuzash kundër luftës dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me qëllim për të penguar si shpalljen e pavarësisë ashtu dhe duke lobuar e penguar njohjet ndërkombëtare të saj.

Edhe ndërkombëtarët, NATO dhe SHBA, që e çliruan Kosovën gabuan rëndë dhe u vetëmashtruan se duke e vonuar dhe penguar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës sapo u çlirua ajo me 12 Qershor 1999, pasi ata shpresonin se do t’i mbushej mendja Serbisë për ta pranuar më pastaj Pavarësinë e Kosovës se demokratizuar.

Por fajin kryesor për këtë gabim e kanë politikanët shqiptare se ata duhet të ishin më të interesuar për interesin kombëtar shqiptar, për shpalljen në atë moment të Pavarësinë, pasi askush tjetër në Botë nuk i njeh mashtrimet, spekulimet, intrigat, shtirjet, gënjeshtrat e serbëve ashtu si dhe krimet dhe barbarizmat e tyre më mirë se sa shqiptarët e Kosovës që e kanë pësuar nga kolonizatori serb që prej vitit 1912. Vonesat, si në kryerjen e veprimeve kombëtare dhe të reformave demokratike edhe sot si në Shqipëri dhe në Kosovë i kanë lënë shqiptarët jashtë dyerve të integrimit europian akoma, dhe kjo krejtësisht për fajet e politikanëve shqiptarë.