Një shaka serioze e Pirro Priftit

Eshref Ymeri

Një shaka serioze e Pirro Priftit

Në numrin e djeshëm (15 shtator) të këtij Portali, lexova analizën
e Pirro Priftit, me titull “100 vite më parë në Berat. Kongresi i parë i
Autoqefalisë”. Në analizën e vet ai ndalet edhe në Kongresin e dytë
ortodoks që u zhvillua në Korçë nga data 16 deri më 29 qershor 1929.
Siç dihet, në atë Kongres u miratua Statuti përfundimtar i Kishës
Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili shërbente si gur themeli i
pavarësisë së saj. Pirro Prifti citon artikullin 16 të atij Statuti. Ai
shkruan:
“Një artikull i veçantë përcaktoi pavarësinë e kishës në mënyrë të
prerë: Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i
Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej
gjaku e gjuhe shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë shqiptare”.
Analizën e vet, Pirro Prifti e mbyll me renditjen e emrave të
Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë prej vitit 1921 deri
në vitin 2022. Janë gjithsej gjashtë kryepeshkopë. Pesë të parët, në
përputhje me Statutin e vitit 1929, janë shqiptarë me gjak (prejardhje),
gjuhë dhe nënshtetësi. Kurse i gjashti, Janullatosi, me gjak dhe gjuhë
është grek, kurse shtetësinë shqiptare ia dha ish-presidenti Ilir Meta,
servili kurrizshtruar i shovinizmit grekokaragjoz dhe i kishës shoviniste
greke, i dy armiqve të betuar tradicionalë të kombit shqiptar. Dhe
vendimin për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Janullatosit, ish-presidenti
Ilir Meta e mori jo rastësisht, pikërisht më 24 dhjetor 2017, për të fyer
100 vjetorin e përkujtimit të figurës së ndritur të nacionalizmit shqiptar,
të ortodoksisë shqiptare dhe të mbarë kombit shqiptar, Atë Stath
Melanit, ish-pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit, luftëtarit të

vendosur të përdorimit të gjuhës shqipe në liturgjinë ortodokse, të cilin,
paraardhësit e Janullatosit, banditët e ortodoksisë greke, armiqtë e
tërbuar të shqipes sonë hyjnore, e masakruan dhe e vranë barbarisht më
24 dhjetor 1917.
Po se mos ishte vetëm Atë Stath Melani që u vra aq barbarisht nga
paraardhësitë barbarë të Janullatosit, për të cilin shqiptaro-amerikani
Gary Kokalari ka thënë se “është kolonel i shërbimit sekret grek”
(Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006).
Edhe Papa Kristo Negovanin, Naum Veqil Harxhin, Pandeli
Sotirin, Anastas Kulluriotin, Petro Nini Luarasin, deri edhe Aristidh
Kolën, na i vrau helmi, thika dhe pushka e kishës shoviniste greke.
Avokati Ilir Malindi, një intelektual i njohur për brumosjen e thellë
prej atdhetari shembullor, në kujtimet e veta për Aristidh Kolën,
shkruan:
“Unë pata rastin që ta vizitoja të madhin Aristidh Kola në ditët e
fundit të jetës së tij, në spitalin e Athinës “Evangjelizmos” dhe pashë
gjendjen e tij të pashpresë… I dhashë kurajë, duke i thënë se do të
shërohej shumë shpejt… Ai, me trishtim dhe krenari të njëkohshme,..
tha këto fjalë:
“Ju lutem, mos ushqeni asnjë iluzion. Mua më vranë dhe kështu
kanë vepruar edhe me dy kryetarë të tjerë të Shoqatës së Shqiptarëve
“Marko Boçari”, të cilët vdiqën, edhe këta nga “leuçemia”. Këto fjalë
ua kam thënë edhe miqve të tjerë të mi”” (Citohet sipas: Ilir Malindi.
“Aristidh Kolën e vranë shërbimet sekrete greke”. Faqja e internetit “Al
in Sweden”. 27 tetor 2015).
Pirro Prifti është një doktor i njohur në fushën e mjekësisë dhe të
publicistikës. Normalisht, në analizën e vet, duke renditur emrat e
Kryepeshkopëve të Kishës Ortodokse Shqiptare, duhej të theksonte se
pesë të parët qenë emëruar në përputhje me artikullin 16 të Statutit të saj,
të aprovuar në Kongresin e vitit 1929, kurse me emërimin e Janullatosit
në krye të saj, si Kryepeshkoip, ai Statut është shkelur rëndë.
Këtë gjë Pirro Prifti nuk e thotë, se ka qejf të bëjë një shaka serioze
me lexuesit e këtij Portali: ua prezanton Janullatosin si shqiptar rrënjës,
me gjak dhe me gjuhë. Sigurisht që tallet ditën në drekë, duke menduar

se ka të bëjë me lexues budallenj, se, me sa duket, zbaton misionin që i
ka ngarkuar Janullatosi për të luajtur një komedi të tillë.
Ai Statut domosdo që është shkelur rëndë, se, që kur Janullatosi
mori postin e Kryepeshkopit në vitin 1992, pas tradhtisë së Ramiz Alisë
në takimin që pati me Micotaqisin në Tiranë më 13 janar 1991, takim, në
të cilin, me kërkesën këmbëngulëse të Micotaqisit, pranoi ardhjen e
Janullatosit në rolin e Kryepeshkopit, Kisha Ortodokse Shqiptare pushoi
së ekzistuari si e pavarur dhe u gjend në duart e Athinës, duke u
shndërruar përfundimisht në një filial të kishës shoviniste greke. Këtë e
dëshmon më së miri historiani grek Nikolas Stavros, i cili ka deklaruar:
“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona
në Shqipëri në shek. XX” (Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit
Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin
“Shqip” të zonjës Rudina Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të
datës 04 dhjetor 2004. Citatin e mësipërm zoti Bidoshi e kishte nxjerrë
nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të
lartpërmendur).
Historiani Nikolas Stavros thotë një të vërtetë të padiskutueshme,
sepse hedhja në dorë e Kishës sonë Ortodokse nga ana e shovinizmit
grek dhe e kishës shoviniste greke, nënkupton hedhjen në dorë të kastës
politike të Tiranës, e cila tradhtinë e interesave kombëtare e kishte
trashëgim nga etërit e vet komunistë. Realitetet e këtyre tridhjetë vjetëve
janë dëshmia më e kulluar e kësaj tradhtie, të konkretizuar me varrezat e
ushtarëve agresorë grekë dhe me memorialet e ngritura në nderim të tyre
në jugun e Shqipërisë, çka është një poshtërim i hapur i gjakut të mijëra
e mijëra shqiptarëve të Çamërisë, të cilët shteti banditesk, terrorist grek,
përmes bishave fashiste të Napolon Zervës, i masakroi dhe i vrau
barbarisht dhe ata që shpëtuan gjallë i përzuri nga trojet e veta etnike,
nga vatrat e veta stërgjyshore.
Këtë realitet Pirro Prifti nuk e pranon dhe, në një mënyrë fare të
paturpshme, Janullatosin e ka renditur në listën e kryepeshkopëve me
gjak dhe gjuhë shqiptarë. Pirro Prifti, normalisht, në analizën e vet duhej
të theksonte burrërisht se emri i Janullatosit nuk e meriton absolutisht të
renditet në atë listë, se është shkelje e rëndë e Statutit të vitit 1929. Por
Pirro Prifti, si një njeri i zhveshur kokë e këmbë nga vetëdija kombëtare

dhe nga dinjiteti personal, si njeri pa taban, Janullatosin e vlerëson si
kryepeshkop me gjuhë dhe gjak shqiptar. Kjo dëshmon se Pirro Prifti
renditet në aradhen e grekomanëve, të servilëve të pështirë të kishës
shoviniste greke dhe të shovinizmit grekokaragjoz. Duke u renditur në
krah të Janullatosit, si një lepitkë e tij, Pirro Prifti “ia rrit edhe më shumë
autoritetin” vetvetes, se rreshtohet edhe pranë Ramës. Se ai e di shumë
mirë që Rama, në dhjetor të vitit 2015 “…bëri një udhëtim zyrtar në
Izrael. Por, përveç takimeve zyrtare me autoritetet izraelite, ai e kishte
mbajtur të fshehtë një udhëtim në Jerusalem,.. që gjithashtu konsiderohet
edhe si qytet historik i hebrenjve… Aty Rama, sipas videove dhe fotove
nga ceremonia, u kurorëzua me urdhrin “Kalorës i Kryqit të Madh, të
Urdhrit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë” (Citohet sipas: “Zbulohet pse
ia jep detin Greqisë / Rama si rusi Medvedev, kalorës i Madh i sllavo-
ortodoksisë”. Faqja e internetit “Lajm”. 31 maj 2022).
Pra. Rama, është kurorëzuar dhe betuar si kalorës i helenizmit në
Patrikanën e Kishës Ortodokse të Jerusalemit, e cila dominohet nga
priftërinj grekë. Pikërisht këtë Ramën, që puthet e përputhet me Vuçiçin,
armikun e tërbuar jo vetëm të Dardanisë, por edhe të mbarë kombit
shqiptar, Pirro Prifti na e reklamon si një figurë politike, “të adhuruar”
nga populli shqiptar. Prandaj para do kohësh ai shkruante:
“Lobi i politikanëve shqiptarë, të kryesuar nga Berisha, së bashku me
disa analistë të konsumuar që paguhen prej tij,  duan të përdorin
kundërshtimin e Kryeministrit dhe Presidentes së Kosovës ndaj Nismës
Ballkan i Hapur,  për të luftuar Kryeministrin Edi Rama i cili ka fituar tre
mandate katërvjeçare nga populli shqiptar…” (Citohet sipas: Pirro
Prifti.“Përse Kosova kundërshton  Projektin “Ballkan i Hapur””? Faqja e
internetit e gazetës “Sot”. 10 qershor 2022).
Me këtë deklaratë, Pirro Prifti bëhet mburojë e kryetradhtarit Rama,
që njihet mirë si kryehajdut i votës, si turpi i mbarë kombit shqiptar, si
armiku i tij me damkë për shkak të shpopullimit që po i bën vendit me
ritme të frikshme gjatë këtyre nëntë vjetëve. Pra, përveç grekoman i
njohur për simpatinë për Janullatosin dhe kishën shoviniste greke, Pirro
Prifti na prezantohet edhe si serboman i thekur.
Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot”, të datës 21 dhjetor 2017,
Pirro Prifti kishte botuar artikullin me titull “Në Shqipëri nuk ka lob rus, por

ka simpati për Rusinë”, në të cilin ishte përjekur të renditë disa “fakte” për
ndihmën që Rusia i ka pasë dhënë Shqipërisë. Por Pirro Prifti harronte
qëllimisht që Rusia, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878,
Konferenca e Londrës e vitit 1913 dhe Traktati i fshehtë i Londrës i vitit
1915, ka qenë violina e parë në pazaret e ujqërve evropianë për copëtimin e
trojeve tona etnike, deri në zhdukjen e tyre tërësore nga harta e Evropës në
Traktatin e lartpërmendur. Pra, Rusia ka qenë dhe vazhdon të mbetet
kështjella e armiqësisë kundër kombit shqiptar. Faktet konkrete të kësaj
armiqësie i kam renditur në internet kronologjikisht që prej vitit 2008.
Domosdo, duke qenë grekoman dhe serboman, Pirro Prifti,
automatikisht, figuron edhe në armatën e rusomanëve në Shqipëri. Gjithë
armatës së greko-serbo-rusomanëve nuk i bën fare përshtypje se çfarë
krimesh ka kryer dhe vazhdon të kryejë ushtria fashiste ruse në Ukrainë
kundër popullsisë civile dhe objekteve të infrastrukturës. Me sa duket, e
ndiejnë veten ligsht që ushtria heroike e Ukrainës, partizanët dhe mbarë
populli ukrainas ia kanë kthyer Rusisë të brendshmet nga jashtë, duke e
zhveshur lakuriq para botës, si një ngrehinë të kalbur, e cila mundohet ta
maskojë prapambetjen e saj skandaloze me organizimin e paradave
“madhështore” të 09 majit. Sigurisht që edhe drejtuesit e kanalit televiziv
“Top Channel” e dinë që “auditori” i rusomanëve në Shqipëri është mbushur
plot, prandaj edhe më emisionin “Lindje Perëndim. Rusia i shkatërron
vendet e NATO-s brenda gjysmë ore, mit apo realitet?”, të transmetuar
më 17 korrik, u bëhej reklamë aq e madhe atyre paradave. Sigurisht që
edhe Pirro Prifti ka ndenjësen e vet në atë “auditor”.
Feniks, Arizona
16 shtator 2022