Ne rrinim zgjuar kur të tjerët po flinin!

Mehmet Bislimi

Ne rrinim zgjuar kur të tjerët po flinin!

… Në atë godinë të madhe ku dera gjithherë ka qëndruar hapur, atdhedashës, miq e dashamirë të shumtë, kanë hyrë e dalë pa pushim. Kjo nuk duhet të nënkuptonte më shumë se sjelljen e devotshme njerëzore për të nderuar zakonin e pashkruar, respektin e brendshëm shpirtërorë që nuk preket me dorë, por që shihet me sytë e shpirtit.

Me dëshirën e madhe, jemi përpjekur për të nderuar miqtë dhe shokët, njerëzit e denjë, kaq dhe vetëm kaq, pa asnjë interes tjetër. Vërtetë, ju nuk e ndienit këtë, për shkakun e thjesht se ishte pozita dhe rrethanat që ju kishin shpërfytyruar nga rruga e dinjitetshme, ku përditë ecin dhe takohen mes vete njerëzit e thjesht! Tani më, ne edhe pa ju, nuk jemi veshur me të zeza nga frika e së ardhmes së zymtë, jo, ne ishim dhe jemi me syrin pishë, të paktën ne, me numra të vegjël por me zemër të madhe si dikur, dhe dikur ishim të paktë në numra, por ne bënim shumëzimin e tyre me guxim e vendosmëri. Në asnjë çast, në asnjë kohë, nuk na ka mbërthyer hija e padukshme e trishtimit që mund të ishte pengesë për mendje-urtët për të parë realitetin guximshëm në sy, pa dyshim edhe juve që çdo ditë po veniteni, dhe kjo po na frikon ca, po na huton ca, po na befason ca, e keqja që iu zu, neve po na zhgënjeu përfundimisht, njëkohësisht pjesën tjetër i entuziazmoj pafundësisht, dy pole me ngarkesë të të njëjtave elektrone që nuk mbajnë më, që ndeshën dhe refuzohen me njëra-tjetrën përjetësisht!…

Ata nuk po presin më askënd, ngase në konakun e zemrës së tyre nuk kishte mbetur vend për bujari, megjithatë shumë njerëz, atdhedashës, shokë, miq e dashamirës po hamendeshin për t’ua dhënë lamtumirën. Kjo hamendje kishte një bagazh të madhe hipotekash shpirtërore, ta themi shqip; hipotekë sa mali i madh: ishin jo pak vite të vuajtjes se përbashkët, jo pak përpjekje për të bërë atdheun tonë të lirë, të mirë, të begatshëm ku krenaria kolektive dhe ajo individuale do të ishte e pacenuar, ku do të kishte vend për secilin që kishte bartur barrët e dhimbjes të atdheut mbi shpatulla. Pa tundshëm, i bindur se ky përkushtim nuk do të shpërfillët, nuk do të vritet, nuk do të përçmohet…, po, mbase ata po flinin kur të tjerët po rrinin zgjuar, mbase ata ishin të qetë kur të tjerët ishin shumë të shqetësuar, mbase ato po festonin kur të tjerët po vuanin, mbase ata po gëzonin kur të tjerëve gëzimi iu kishte ngrirë në buzë, mbase ata po qeshin kur të tjerëve pika e lotit u kishte ngrirë në cepin e qerpikut, ata kishin harruar, apo hiqeshin sikur kishin harruar, bëmat e një kohe jo të largët, ku se bashku kishim ndarë një kothere buke, një pikë buzëqeshje e një pikë loti, një këngë burrash e një grusht baroti!…

Nën peshën e një mali vuajtjesh e përpëlitjesh, nën kërcënimin e dhëmbëve të ashpër të kohës së pakohë, po ju prisnim, pas një mungese të gjatë rekuiemi, po ju prisnim ngase vet ju kishim ngritur, jo, ju nuk bëtë më shumë veç se shkëputjen e luleverdhave edhe ashtu të vyshkur nga koha e bjerrjes që përfundojë në krihet e një hidhësie të urryer nga vjetërsia e bojës së saj. Pamohueshëm, ata gjithandej i kishte kapluar nostalgjia për të futur në lojën e madhe valltarët e çorientuar në atë kohë të pakohë, rrethuar me një armatë servilësh të cilët ishin ranguar në hierarki deri në maja- po nga këto maja, servilë të tërë, atkinë po ua lodrojnë!… E saktë, një pjesë e madhe admiruesish ishin përmalluar, po aq sa edhe trishtuar nga pritja e gjatë për t’ju parë tok. Muret e shtëpisë me dritare të vjetra si sytë e mplakur të nënëlokes, po aq padurueshëm po ju prisnin për t’ju parë rrugicave me kalldrëme të qytetit tonë, që ishin zvogëluar e rrudhur nga mungesa e dukjes suaj andej pari, kur dikur i shkelnit me këmbë duke biseduar e buzëqeshur, thanë se këngët e zogjve u prenë në mes, tek dëgjonin krrokatën e korbave, bari i dha fund blerimit, për t’i lënë kësaj vere një fund të athët që as kush nuk e kishte pritur e imagjinuar. Ju, keni ikur nga njëri-tjetri; keni ikur vet dhe nuk ju ka ndjekur askush, kjo po na vret më shumë. Mungesa juaj për nëntor, për vit të ri, për pavarësi dhe evenimente tjera, po na vret tinëzisht, po na godet në heshtje, mungesë kjo që do të na rëndoj- si për habi, disa të tjerë, sa shumë i gëzojë!…

Heshtje, heshtje, heshtje; ata tani do heshtin, por zëri i tyre, jo, jo nuk do të heshtë për jetë.    E habitshme sa, edhe absurde, e shara e një soj sorollopi, po dëgjohet kudo e për dite nëpër letrat shqipe, me shfryrjet e yshtjet, me shqelmat e tyre derdhur mbi kurrizin e tjetrit që sot është i pamundur. Ata u bënë copë për të ngritur ndërgjegjen  e tyre të zvenitur, mbi modestinë tuaj bujare. Vallë, kush kishte besuar se i gjithë ky mllef do të derdhej një ditë brenda sojit shqiptarë!? Mos qoftë e thënë por, oguri i zi ka zënë vend të madh në shpirtin tonë. Burrat e dheut që dikur ishin për rreth jush, sot nuk po ndihen si të tjerët, ata po ndihen të zënë pisk e të pamundur, me sy të skuqur nga dhembja e zemrës për ikjen tuaj nga toka e bukës në kohët e dimrit të madh!… dhe grupimi tjerët që me frymëmarrje të ngrirë, pritën këtë ikje, e priten  kaq gjatë, me zgërdhierjen e tyre fshehur nën rrogoz, duke u dëshiruar të gjithë juve rrugën e theqafjes… ky absurditet shqiptarë në faqen e borës së zezë, kësaj po i gëzohen të tjerët, madje u krijon hapësirë të bollshme për rrugëtimin e tyre drejt qëllimit final. E rëndë, shumë e rëndë, kur një dorë shqiptarësh i gëzohen finalizimit të qëllimeve shekullore të pushtuesit gjakatarë, e rëndë kjo sa një mal, smirëzi që as pas 20 vitesh nuk u ndal!
Nuk e di nëse konstatimi im është i saktë se: të gjithë ne, nuk bëjmë dot pa juve, apo se: të gjithë ju nuk bëni dot pa ne, dhe nëse ne, bëjmë pa njëri-tjetrin, atëherë kalaja jonë e dikurshme paska qenë ngritur mbi themelet e gënjeshtrave dhe pabesive, gjë të cilës nuk jam i prirur ta besoj, po aq sa bashkëveprimtarët tanë, më nuk po kuptojnë, nëse kjo është e vërteta e mos qoftë, një lubi e tërë servilësh po jargojnë!…
Të heshtur për rreth jush, miq, familjar, farefis, shokë, bashkëpunëtorë, bashkëveprimtarë, të përvuajtur, luftëtarë të lirisë, atdhedashës të denjë, qytetarë e dashamirës të shumtë, patriot të tërë, që mbetëm pa fjalë, por fjalën e dhënë mbajnë: lirisë i falen, i falen vetëm asaj!…

03-12-2020
Mehmet Bislimi