Malli më i rëndë se Raduçi – mal…

Malli më i rëndë  se Raduçi – mal…

  • Poemthë –

(Kushtuar Nënë – Dhoqinisë sime të dashur,Nurie Asanoska nga Llabunishti I Strugës,Maqedoni e Veriut )

Nga Hasan M. Shahinaj, shkrimtar

Hasan M. Shahinaj

Oh e oh, ç’ m’u kripe, ç’m’u kripe befas kaq pranë ti,

o uji i ëmbël I liqenit namuritës strugar,

nga lumë – lotët e nënokes sime të paharruar, të dashur;

ende, ende rignes si litarë, rrugës së mundishme e të patharë,

gjysmëshekulli e lart të mbyllur, të ndarë e të vrarë,

sikur s’ishim më në këtë jetë – farmak të gjallë;

zemrash përvëluar,zhuritur,copëtuar e duke qarë…

E kush guxonte me shiku, me shku e me ardhë:

në të vetmuar syrgjynosur këtu; ata – ato, tanët,matanë;

në mes nesh porsi Nyja gardiane Drini Zi plot dallgë,

dëshmitar  i vetëm kufitar,shaluar mbi kale të bardhë;

Oi, oi… si i durove  mal – mynxyrat, e gjora Nanë ?!

Oh, e oh,rrethuer nga prangosësi, ugurziu klon,

kobëziu e korbziu i kurdisur dekadash për fatin tonë,

ku luhej drama e hirnosur shekspiriane, siç po thonë;

e kush guxonte me ngritë pakëz sytë ,pakëz zë apo ton’ ?!…

Në qafë më paç, o moj e ndritshmja Hanë,

si  i gjeta babë e nënë, e të vetmin vëlla në të ziun varri;

dhimbje e pafund për mua, familjen, fisin,dynjanë!

E ku ta gjej tani Konstandin – Ismail vëllanë?!…

Së paku, o Perëndi, eshtrat e tia a mund t ’i marr,

që të shuaj mallin – mal të Raduçit, vendlindës- mal,

sa s’është errësuar krejt qielli dhe bërë vonë

se s’bëhet fjalë kurrsesi Ai për t’u ringjallë;

do të ish’ kjo një legjendë,mrekullisht e rrallë…

Dëshmo, pra,veç ti, i paanshmi ,gjarpëror Drin,

dhe ti, moj Kadënë –sedefja e stolisur Hanë;

ti, o moj e përveçmja verdhane, Hanë – gjaku,

që më fanitesh dhoqiniane Raduçit për çdo natë,

nëpër endërra të shumta, të frikshme te pragu,

se mbase i përthahen sadopak çurglotët times Nanë…

Dhe rrëshqanthi çapitem e riputh Perëndinë mu në ballë,

që i përfalet me durim shpirt – nënokes sime leshrabardhë:

Oi, oi…veç në Parajsën e bekuar e të amshuar  i vaftë,

emër – shpirti i tejduruar i fatkeqes Nuries – Nanë !

Vallë kë qan e vajton kujshëm nënokë – gjora Nurie,

prej Llabunishtit të Strugës, ajo bijë e nuse bukurie,

në prag e në derën e hapur të kasolle – shtëpisë;

mos vallë të pambyllur plagë të shkollimit të Hasan – djalërisë?!

Apo për të ndjerrën, të paharruarën nënë – gjyshe Rahime,

që s’u takuan dot nënë e bijë për së gjalli kurrë;

për të vëllanë e vetëm Ismailin atje, në kurbetin – larg;

për të ndjerrën  Flutur – fluturimthen me Dashin e saj të pafat,

apo për të gjitha pasojat e rrjedhojat nga çdo shkak…

Të gjitha, të gjitha bashkë si në vrimën e fyellit vajtimtar të xhrasë,

ashtu siç na plagosi edhe vdekja e parakohshme e motër Zyrhrasë!

Oh, dhimbje – dhimbje e pafund, brengë e lotë,

pasojë e një rrugëtimi – regjimi golgote të stërgjatë,

dhe befasitë e plotkurdisura enkas në këtë botë!

Oh,  dhimbje e paduruar jetë e mot deri në kockë;

jetë e shkuar aq dëm dhe e shuar  kotkot,

helmuar  trup e mendje e shpirt thuajse përplot!

U nda, u shkul pra padrejtësisht dega nga rrënja,

s’pushoi së rënkuari e përvuajtura,fatzezë NËNA:

andej, të vdekurit s’i treti doti i thellë varri;

këtej, ne u tretëm, përlitur e pakallur nga malli!

O Zot,ç’qe kjo gjëmë e hata nga kufiri e mali?!

A e meritonim vallë këtë sage – syrgjynosëse të paparë,

Nënoke  Nuria me të birin universitar Hasan – djali ?!

Ndaj urtia popullore ndër kuvende ka pasë thanë:

‘’Më mirë djapin bosh, se sa djallin brenda!…’’

Ndaj, o regjim – regjent i stërurryer të ra bomba;

të ra po  ashtu brenda 8 orësh ai, klon – gjembaçi ugurzi,

nga rinia ustallare trebishtare, nga sivëllezërit – vërsnikë të mi!

Tani, çelur sysh e mendjesh, jetojmë në paqe e liri,

ashtu siç e meriton në këtë botë çdo Njeri;

kurse njolla e turpit, e krimit e regjimit katran të zi,

ka pushuar  e pushtuar  të të Nëntë Rrathët e Dantes,

qysh nga Mesjeta tinzare, kobëzezja qyqare e gjer tani…

Ndaj, le ta rigëzojmë jetën që na përket përsëri,

 me punë, paqe, kulturë, arsim e harmoni,

qysh nga etnogjineza drejt shekujsh në vazhdimësi,

përqafuar prindërisht e vëllazërisht nga të dyjat anë,

Amanet i patretur , i përjetshëm i së shtrenjtës Nanë!

Se  edhe Perëndisë së bekuar po t’i rilutemi shumë,

do të na thotë paqësisht sy ndër sy: punoni,jetoni,miqësohuni sëbashku,

zvëndësoni kohën e humbur, se edhe Unë,

prijësja juaj, kam shumë punë!…

 Nga Hasan M. Shahinaj, shkrimtar                                                       Durrës më , 18. 11.2021

Lini një Përgjigje