Huqjet diplomatike, pasojë e papjekurisë politike!

Shkruan: Florim Zeqa         11.03.2022

Huqjet diplomatike, pasojë e papjekurisë politike!

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është kritika dhe as mbështetja ndaj ‘Qeverisë Kurti’, por është analizimi i situatës paradoksale pas mashtrimit të qytetarëve nga ana e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi për kinse fillimin e negociatve për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili u demantua keq nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Paradite lypësarë, pasdite të pasur dhe krenarë

Vetëm pak ditë pasi liderët shtetërorë e hapën “Fondin e Sigurisë”, duke e justifikuar atë me rrezikun nga agresioni serb, Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvall doli me një deklaratë sa befasuese, po aq anakronike për rrethanat e kohës, për blerjen e objekteve për ambasadat e Kosovës në shtetet evroperëndimore!

Pa dyshim se në rrethana normale, një ide e tillë do të konsiderohej pragmatike, por në rrethanat në të cilat ndodhet vendi ynë, të krizës së thellë socio-ekonomike si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve të artikujve ushqimor të shkaktuara pas agresionit rus në Ukrainë, jo vetëm që nuk përkon me realitetin e krijuar, tingëllon tepër keq pas themelimit të “Fondit të Sigurisë” për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së!

Qeveria Kurti nuk është fajtore për ngritjen e çmimeve, por është duke u treguar e papjekur politikisht dhe e papërgjegjshme, e cila ndaj qytetarëve sillet dorështrënguar dhe e pakujdeshme për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës!

Albin Kurti në të kaluarën me plotë të drejtë kishte hedhur kritika ndaj qeverive paraprake për keq-menxhimin e parasë publike, për mungesën e vizionit politik në ndërtimin e shtetit, për skandalet dhe dështimet e diplomacisë kosovare në arenën ndërkombëtare, madje kishte thënë dhe kishte premtuar se do të jetë ndryshe nga qeveritë e kaluara!

Mirëpo çfarë pamë deri më tani?!

Deri më tani nuk e pamë asnjë ndryshim substancial pozitiv në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Thënë ndryshe, nuk pamë asgjë përveq fjalëve boshe!

Pas një viti qeverisje duhej të ishin më të prekshme rezultatet e ‘Qeverisë Kurti2’ si në planin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm të politik-bërjes kosovare.

Në politikën e brendshme asnjë rezultat në përmirësimin e mirëqenjes së qytetarëve, përkundrazi kemi përkeqësim dhe varfërim të skajshëm të popullatës. Si pasojë e rritjes së inflacionit dhe mungesës së përspektivës për jetë në Kosovë, muajve të fundit kemi largim enorm të të rinjëve të punësuar në sektorin publik dhe privat. Për të papunët as që flitet, pasi ata nuk “ekzistojnë” në regjistrin e qeveritarëve!

Lënja e vendeve të punës nga mjekët dhe infermierët, nga mësuesit dhe profesorët, nga kuadrot e specializuara të fushave të ndryshme dhe shkuarja e tyre në vendet perëndimore, përveqse e ka krijuar një vakum të madh profesional, ka shkaktuar pasiguri për të ardhmen e vendit!

Lojë me ndjenjat e qytetarëve

Nëse një qeveri, deri dje fliste për rritjen ekonomike më të madhe në rajon, duhet të jetë e aftë në menaxhimin e krizës së shkaktuar e jo të luajë me ndjenjat e qytetarëve, të cilëve një ditë ua shkakton frikën në palcë nga rreziku i invazionit serb, kurse të nesërmën u thotë që të mos kenë frikë, se Kosova nuk është e rrezikuar!!!

Çfarë mund të ndryshoj brenda 24 orëve në politikën e jashtme, përgjigja është asgjë!

Pasi politikat e jashtme të një shteti nuk ndërtohen brenda natës as brenda një jave apo muaji, por duhen vite të tëra për konsolidimin e politikës së jashtme, siq duhet kohë për konsolidimin ekonomik të një vendi.

Krizat politike sikur kjo e tanishmja pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën i ka mobilizuar të gjitha shtetet në menaxhimin e sektorëve të sigurisë dhe menaxhiminm e ngritjes së pakontrolluar të çmimeve të artikujve ushqimorë!

Nuk mund të themi se nuk ka ngritje të çmimeve të derivateve dhe artikujve ushqimor në shtetet e Bashkimit Europian dhe rajon, por nuk ka ngritje të pakontrolluar dhe jashtë parametrave ekonomik siq ndodhë në Kosovën e vogël, por të paradokseve të mëdha!

Shpërputhja e krizës ekonomike me kapacitetet buxhetore për blerje të objekteve për ambasada i ka vënë në lajthitje qytetarët e Kosovës!

Si është e mundur që Qeveria të ketë para të mjaftueshme për investime të shtetet perëndimore dhe në të njëjtën kohë të mos ketë para për rritje të pagave të punonjësve në sektorin publik dhe privat, për rritje të pensioneve dhe ndihmave sociale për kategoritë më të rrezikuara në vend!

Nëse ‘Qeveria Kurti’ ka kapacitete buxhetore për blerje të objekteve milionëshe në perëndim duhet të ketë kapacitete për ngritje të nivelit të pagës mesatare të kërkuar nga qytetarët dhe sindikalistët e sektorëve përkatës në nivel vendi!

Atyre që janë mësuar të mashtrojnë qytetarët çdo ditë, u hasi “sharra n’gozhdë” me ndërkombëtarët. Diplomati norvegjez na e turpëroi zv.kryeministrin Bislimi duke e demantuar publikisht gënjeshtrën e trilluar “me fillimin e procedurave për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”. Tri mashtrime dhe tri huqje të mëdha brenda pak ditësh të diplomacisë kosovare janë pasojë e papjekurisë politike. Madhështia apo vogëlsia e një lideri shtetërorë tregohet në menaxhimin e situatave të vështira për vendin e jo në festa e manifestime popullore!