FRYMËZIMET POETIKE TË NJË VEPRIMTARI

FRYMËZIMET POETIKE TË NJË VEPRIMTARI

Meditim rreth librit me poezi «TË NDRITURIT» të autorit Sami R. Dërmaku, Prishtinë 2021.

Prof. Demë JASHARI

Prof. Demë Jashari

Sami Dërmakun e kam takuar në Zvicër në gusht 1989 edhe pse për të, veçmas për veprimtarinë e vendosmërinë, qëndresën dhe pathyeshmërinë e tij përballë strukturave të UDB-së kisha ndëgjuar edhe më heret. Nga ky moment, për një kohë të gjatë, me Samiun kemi bashkvepruar në organizime të ndryshme të veprimit për Kosovën dhe kemi mbetur në miqësi të pa cënuar.

E njihja Samiun si ish i burgosur për ideale kombëtare, e njihja poashtu edhe për grevat e urisë nëpër burgjet serbojugosllave, e njihja edhe për guximin dhe vendosmërinë e veprimit, për vrullin dhe energjinë e pashterrshme vepruese; kështu pra e njihja edhe si autor e hartues të shumë komunikatave, elaborimeve programore, artikujve e shumë shkrimeve të angazhuara kombtarisht…

Në gusht 1989, me rekomandim të veprimtarit kombëtar Sabri Novosella, në kuadër të «Grupi Patriotik Revolucionar» fillova të bashkëpunoj më ngjeshur dhe shumë intensivisht me Samiun, i cili, deri me kyçjen time në grup, ishte redaktor dhe përgjegjës për komunikim me publikun – përgjegjësi të cilën pastaj ma kaloi mua. Ky angazhim, pos tjerash, na mundësoi që të bashkpunonim e të bashkvepronim edhe më ngusht. Materialet për botimin e tre numrave të organit të grupit i kishim të gatshme, të redaktuara e të përgatitura për publikim.

Në vjeshtë të po atij viti, nga personalitete të angazhuara në Kosovë dhe në mërgatë, morëm udhëzimet që të angazhoheshim dhe përkrahnim me gjithë fuqinë tonë nismën e re dhe forcën e re të qëndresës dhe përpjekjeve për liri që po bëhej gati të dilte hapur në Kosovë.

Kështu edhe vepruam duke bërë që grupi ynë, me Sami Dërmakun, Hafiz Gagicën (i cili nga Gjermania për të marrë pjesë në takimet vinte gjithnjë i shoqëruar me Rifat Jasharin), Shaip Latifin, Nazmi Pecin, Elmaz Ademin, Imer Berishën, Januz Mustafën, Demë Mustafën, poashtu edhe një shok i Demë Mustafës – me sa di quhej Hasan Mula, (por emri i të cilit nuk jam i sigurt se po më kujtohet) dhe unë Demë Jashari e mëpastaj edhe Naim Maloku me disa veprimtarë të shoqatës «MIGJENI» të Lubjanës, si Fadil Demiri e Shefqet Cakiqi, të jemi bërthama e parë fillestare për nismën e themelimit të LDK-së në Zvicër e Gjermani dhe shërbyem edhe si model i formës organizative dhe vepruese edhe në shtetet tjera të Europës Perëndimore e më gjërë.

FRYMËZIMET POETIKE TË SAMI DËRMAKTUT

Samiu ka shkruar poezi edhe më heret por, mua më ka rastisur të lexoj ndonjë strofë apo poezi të tij vetëm nga koha e njohjes fizike me të. Tash më ra në dorë përmbledhja e tij poetike «TË NDRITURIT» me redaktor Kadri Rexhën dhe recenzentë Sylejman Dërmakun e Shefqet Dibranin.

Për mua ishte një befasi shumë e këndshme sepse kisha në dorë një përmbledhje të mikut e bashkëveprimtarit. Përjetova gëzim të madh edhe për faktin se Sami Dërmaku paska sendërtuar dëshirën dhe ëndrrën e vet jetësore për të shpalosur e përmbledhur në letër ndjenjat dhe frymëzimet e bartura me vite e dekada, thurje e vrulle poetike për shokët e veprimtarisë kombëtare, për shokët e burgjeve dhe heronjt e Kosovës.

Vargu dhe poezia e Samiut, shihet mirërëfilli se nuk janë vargje e poezi të një pende të skalitur të këtij lloji letrar, nuk janë të latuara e të lëmuara, ato kryekput janë shprehje përplot ndjenja kulmore, përplot përjetime – pra janë vargje që dalin nga zemra dhe thellësia e shpirtit. Si të këtilla, këto edhe e kanë fuqinë shprehëse krejt të natyrshme, burimore e të pastër si loti dhe dalin si shpërthim frymëzimesh krejt të çiltërta si vet zemra e shpirti i autorit.Në këtë mënyrë dhe formë shprehëse vargu dhe poezia e Samiut kanë kuptim dhe mezash konkret, fuqizohen më shumë, janë më rënkues, më luftarak, më sublim e shpërthyes njkohësisht.

ARTI POETIK DHE MOTIVET

Pa u thelluar në trajtim përcaktues teorik letrar, them se poezia e Samiut është një lloj proze poetike, është rrëfim poetik përplot ngjarje historike dhe personazhe të cilët i përgatitën, i krijuan dhe i udhëhoqën këto ngjarje. Përmbledhja fillon me poezinë kushtuar Simbolit të Qëndresës Adem Demaçit, të cilin autori e vlerëson shumë lart duke e quajtur Promete, duke e identifikuar me qëndresën, me angazhimin dhe përkushtimin kolektiv dhe sakrificën për liri e bashkim kombëtar. Autori vazhdon me vargjet e rrjedhëshme për Tribunin, martirin e heroin Metush Krasniqi, vargje këto që mund të konsiderohen si betim, jo vetëm i Samiut:

“O mësues i dashur farën e lirisë mbolle

Dhe ne bijtë e shqipes do ta rrisim prore

Amanetin tënd do ta çojmë në vend

Për lirinë e Kosovës deri në fitore”

Në këtë frymë është edhe poezia “Për flamur e për liri” kushtuar mësuesit të popullit dhe të lirisë Fazli Grajçevci, i cili u vra në burg nga torturat e UDB-së dhe që në popull identifikohet me flamurin për të cilin e dha jetën.

“Nga dhuna në burg nuk u dorëzove

Për vdekje të kanë torturuar

Se për liri e flamur ti luftove

Okupatorin nga vatra për ta dëbuar”

Poezia kushtuar Rexhep Malës është vijim i ciklit përkushtues e rrëfyes për shokun dhe bashkëveprimtarin, i cili, bashkë me Nuhi Berishën, bëri një qëndresë heroike të armatosur kundër milicisë serbojugosllave. Të dytë ranë heroikisht në altarin e lirisë. Rexhep Malën Samiu e krahason me yllin në errësirë i cili shkon në përjetësi.

“Kosovë trime

Yjet tu në qiell

Fanar drite në errësirë

Qirinj në festa

Ylber në të reshura”

Dhe pastaj poeti shpërthen në ndjenja personale përplot emocione dhe pikllim :

“Vjershën e parë në jetën time

Po shkruaj për ty or vëlla or shok

Përplot mbresa e kujtime

Zemra po më grihet po më bëhet copë”

Një ode ua thurë edhe prindërve të Rexhep Malës. Po në këtë frymë është edhe poezia kushtuar Isa kastratit, shokut të orgnizimeve, të rezistencës dhe vuajtjeve:

“Çka të pyes kur më s’të kemi

Të debatojmë shtruar me urtësi

Për gjuhësi, letërsi e filozofi

Për shkencë e letërsi

Për ideale për liri”

Ndër poezitë e realizuara është edhe ajo kushtuar Shaqir Shaqirit, veprimtar dhe intelektual i shquar e titullur “Udhëtim nëpër teh shpate”. Samiu e shprehë në vargje se Shaqa ishte i organizuar me shokë të besës dhe të përzgjedhur si Teki Dervishin, Kadri Rexhën, Jusuf Gërvallën, Kujtim Myftarin, familjen Dobruna, Nexhmedin Sobën, pastaj me poetë, shkenctarë veprimtarë e atdhetarë të përkushtuar. Edhe Shaqir Shaqiri, sikur shumica e veprimtarëve kombëtar, zbulohet dhe burgoset, torturohet e gjymtohet nga UDB-a gjakatare.

“Nga torturat mizore Shaqa qe bërë hija e vetvetes

I rrahur me kërbaç veshkat i lëshonin urinë e gjak

I kërcëllonte dhëmbët lotët i rridhnin nga dhimbja

Nga hetuesit kriminelë serbë e shqiptarë UDB-ash”

Një kapitull tjetër i përmbledhjes është edhe “Kosovë e përgjakur ndër shekuj” ku në mënyrë kronologjike përshkruhet robëria shekullore dhe luftërat e parreshtura shqiptare për liri. Ndërkaq poezia “Flamur shkabë krenaria jonë” është himn kushtuar flamurit kombëtar për të cilin u derdh gjak e të cilin ndër shekuj e përdorëm për festa e për vdekje – por me të në ballë shkuam në gjitha luftat çlirimtare kundër armiqve e pushtuesve.

Motiv tjetër në libër është edhe ai i dhëmbshurisë dhe krenarisë së autorit për personalitete të qëndresës e të sakrifices, të cilët i vizitoi nëpër spitale në fazën përmbyllëse të jetës së tyre – të gjithë të shkatërruar fizikisht nga burgjet e rënda dhe torturat çnjerëzore. Ahmet Haxhiu, Xheladin Rekaliu, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha, Fadil Vata, Shabi Hajdini dhe shumë të tjerë, janë vetëm disa prej tyre.

Histori qëndrese” quhet poezia, e cila mund të jetë edhe kapitull më vete, kurse poezia “Tryezë e shtruar” i kushtohet tryezës me gjithë të mirat e të kqiat që mbanë sipër, por edhe lojërat e hilet që bëhen në të nga hileçarët dhe ata që luajnë me fatin e popujve. Kurse masakra në Burgun e Dubravës autorit i ka shkaktuar drithërima shpirti dhe revoltë. Kësaj ngjarjeje Samiu ia kushton poezinë “Lugetërit e errësirës”.

“Në burgun kasaphanë të Dubravës

…………

Fantazmat bënin orgji

Shëmti e zezë policë e ushtarë

Kriminelë e paramilitarë…”

Përmbledhjen poetike, Sami Dërmaku e përmbyllë me poezinë kushtuar vendlindjes dhe personaliteteve që dha dhe që i ka Shipashnica. “Kujtesë për vendlindjen” është njëherit edhe shprehje e mallit dhe dashurisë së pashuar për vendlindjen e munguar për shumë vite.

Samiu askund në libër nuk flet për veten e as në vetën e parë. Ai rrëfen për shokët, për qëndresën e tyre, për vuajtjet dhe sakrificat e tyre, për heroizmin flijues e vetflijues. Personazhet e Samiut nuk janë imagjinarë. Ata janë realë, janë bashkëveprimtarë dhe bashkëvuajtës, prandaj edhe nuk ju ipen atribute e as dimensione të mbinatyrshme.

NGJARJET DHE PERSONAZHET KANË SHTRIRJE NË KOHË DHE HAPSIRË.

Kohët janë zezonat e njëpasnjëshme që e goditën dhe katandisën Kosovën dhe shqiptarinë. Ajo e para luftës dhe gjatë Luftës së Dytë botërore, e pas LDB dhe periudhës deri në luftën çlirimtare të UÇK-së pjestar të cilës ishte edhe vet autori. Në fund po përmendi dy autorë të spikatur hebrej: Baris Cirilnikun me veprën e tij “Shpejto (mund të përkthehet edhe IK) jeta të thërret” ku përshkruan vuajtjet e hebrenjëve në kampet shfarosëse naziste, tmerrin e të cilave e përjetoi edhe vet si fëmijë për të vazhduar jetën me dëshmime e shkrime shumë të sukseshme romaneske psikologjike, dhe shkrimtarin tjetër – Primo Levi me veprën e tij kulmore “E nëse është një njeri”?! Vargjet e e tij të skalitura në një pllakë përkujtimore në Torino të Italisë në janar 1947 në kujtim të tmerrit që përjetoi njerëzimi gjatë Luftës së Dytë Botërore, bartin mesazhin ndër breza, mesazh ky që do duhej të vlente përjetësisht edhe për ne:

“Gdhendni këto fjalë në zemrën tuaj.

Mbajini mend në ju, në rrugë,

Duke fjetur, duke u zgjuar

Përsëritjuani fëmijëve tuaj!…”

Lausanne 17 shkurt 2022