Fitorja e unitetit politik

Shkruan: Florim Zeqa         17.01.2022

Fitorja e unitetit politik

Doli të jetë plotësisht i saktë konstatimi im në shkrimin paraprak “ky mund të jetë një eksperiment i planifikuar i ndërkombëtarëve për ta testuar vendosmërinë dhe përkushtimin tonë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit me legjitimitet ndërkombëtar”.

Uniteti politik në Rambuje, fitorja e parë kundër Serbisë

Nga historia e kemi të mësuar, nga përvoja e kemi të dëshmuar se, sa herë që jemi bashkuar i kemi arritur synimet tona kombëtare dhe e kundërta, sa herë që kemi qenë të ndarë, armiku na ka mundur e dëmtuar.

Nuk ishte aspak e lehtë arritja e unitetit politik në Rambuje, por falë kompromisit të presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili, edhe pse president legjitim i shtetit dhe udhëheqës shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, u tërhoq nga drejtimi i delegacionit për t’i lënë vendin një anonimusi politik siq ishte atëherë Hashim Thaçi!

Falë atij uniteti politik në Rambuje e kemi fituar betejen e parë politike kundër Serbisë, me ç’rast kjo e fundit u përball me intervenimin 78 ditësh ushtarak të forcave të NATO-s.

Ishte ky intervenimi më i madh i aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia për të ndaluar krimet, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Për më tepër se befasi, ishte ky një realitet i ri dhe i pa parë deri më tani në këtë pjesë të Evropës dhe botës. Pak kush e kishte pritur ngritjen e aeroplanëve luftarak nga Aviano, madje as drejtuesit politik të shtetit italian të asaj kohe.

Të mos personalizohet beteja e fituar

Thyerja e Serbisë për mbajtjen e referendumit kushtetues në Kosovë, duhet t’na shërbejë si mësim i mirë për të ardhmen, por nuk guxon të na krijojë vetëkënaqësi për relaksim të gjatë, për shkak se kemi të bëjmë me një armik shekullor i cili nuk heq dorë aq lehtësisht nga ambiciet territoriale ndaj vendit tonë.

Kjo fitore e madhe ndaj Serbisë assesi nuk guxon të personalizohet dhe as t’i atribuohet një subjekti politik, por duhet trajtuar si fitore të përbashkët shtetërore, e cila duhet të avancohet me unitet të spektrit politik edhe në dialogun e Brukselit, që i bie, se Albin Kurti në dialogun përfundimtar, gjithpërfshirës dhe obligues për të dyja shtetet, duhet ta ketë me vete edhe opozitën.

Para çdo vendimi përfundimtar në Bruksel duhet të njoftohet me kohë i gjithë spektri politik, shoqëria civile dhe mediat, në mënyrë që të mos mbetët asnjë hapësirë dyshimi apo paqartësie, në mënyrë që të gjithë së bashku të pranojmë ose refuzojmë njëzëri ofertën përfundimtare nga bashkësia ndërkombëtare.

Kështu do ta forcojmë shtetin tonë dhe do të jemi më të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare, në veçanti do të jemi të nderuar nga miqët tonë, me ndihmën e të cilëve e arritëm lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Pavarësisht rrethanave politike të krijuara, populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t’u jetë mirënjohës SHBA-së dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e pakursyer në çlirimin e vendit tonë, rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit, ndihmë e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Efektet e testit politik

Kalimi me sukses i kësaj sprove politike nga institucionet shtetërore dhe partitë politike, do t’i detyrojë zyrtarët perëndimorë që të ndërrojnë çasjen ndaj zhvillimeve të mëpastajme politike, përfshirë fazën e përmbylljes së dialogut me Serbinë në Bruksel.

Pra, tani e tutje ndryshe do të jenë deklaratat dhe veprimet e zyrtarëve të BE-së karrshi Kosovës, shtetit të pa njohur nga ana e tyre, të cilin deri dje e konsideruan të pabarabartë në dialogun e Brukselit.

Pas kalimit me sukses të testit të vënë nga shtetet e QUINT-it, nuk guxon të personalizohet beteja e fituar pa e fituar luftën politike me Serbinë! Liderët shtetëror të Kosovës duhet të udhëhiqen nga ndjenja e përgjegjësisë shtetërore e jo e glorifikimit të sukeseve personale.

Urime Kosovë fitoren e unitetit politik!

Të bashkuar mund t’i fitojmë edhe betejat e radhës me Serbinë…!