Drejtori Maloku: Mësuesit tanë edukuan breza por edhe rrokën armët për lirinë e Kosovës

Adem Lushaj

Urime Dita e mësuesit! Urime 7 Marsi!

Kështu uroheshin sot, mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë arsimorë të komunës së Deçanit, të cilët, edhe pse jo me ndonjë organizim të veçantë, kanë shënuar ditën e tyre, “Ditën e mësuesit”, ditën e atyre që çdo herë dhanë kontributin dhe sakrificën për edukimin e brezave të rinj dhe të formimit të shtetësisë së Kosovës.

Mësuesit e kësaj komune, sikurse edhe kolegët e tyre anekënd Kosovës, ishin ata që dhanë çdo gjë nga vetja, jo vetëm që të kryejnë obligimin e tyre në edukimin e brezave, por sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre, që të arrihet liria dhe pavarësia e Kosovës. Kështu ka vlerësuar Qazim Maloku, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, për të cilin “Mësuesit ishin ata që në vitet më të vështira, me qëndresën e tyre titanike, nuk u gjunjëzua para pushtuesi të egër serbo-sllav”. Gjithnjë sipas tij, ishin nxënësit e dalë nga edukimi i po këtyre mësuesve, që rrokën armët për tu bashkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e duke bërë që vendi ynë të çlirohet nga armiku shekullor. “Me rastin e Ditës së mësuesit, 7 Marsit, kam nderin t’i uroj të gjithë mësuesit dhe veteranët e arsimit të komunës sonë! Ishin mësuesit ata të cilët me punën e tyre vetëmohuese në kohë të vështira për popullin tonë, që kurrë nuk u ndalën në rrugën tonë të përbashkët për dije, në rrugën drejtë lirisë dhe pavarësisë. Lavdi mësuesve të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, Lavdi të gjithë dëshmorëve të Atdheut !”, ishte mesazhi urues i drejtorit të arsimi deçanas, Qazim Maloku, duke thënë se “kontributi i punëtorëve arsimor, është i paharrueshëm, sidomos në kohërat më të vështira të ekzistencës së shkollës shqipe, periudhës kur mësuesit punonin edhe nën masat represive të pushtetit okupues serb, gjë që kishin befasuar edhe bashkësinë ndërkombëtare”. Ai, duke vlerësuar lart angazhimin e mësimdhënësve nëpër gjitha periudhat, është shprehur “arsimi ishte ndër shtyllat kryesore të ekzistencës sonë në kohërat më të rënda,  të shtet ndërtimit të Kosovës, ndaj edhe për punën e tyre fisnike, gëzojnë respektin e gjithë shoqërisë”.

Mirëpo, mësuesit e kësaj komune, përkundër angazhimeve të qeverisë komunale dhe asaj qendrore, për të krijuar kushte më të mira për punë, që reflektojnë direkt në mësimdhënie dhe mësimnxënie, kërkojnë investime më të mëdha në fushën arsimore, qoftë në rregullimin infrastrukturës, pajisjen me kabinete të nevojshme, por dhe në përmbushjen e obligimeve financiare ndaj tyre. Avdullah Lataj, kryetar i Sindikatës së arsimit të komunës së Deçanit, pasi ka uruar kolegët dhe koleget për ditën e tyre, ka thënë se institucionet lokale dhe qendrore, duhet të angazhohen më shumë për arsimin, pasi që kjo shtresë ishte gjithmonë “halë në sy”, e pushteteve të egra, që donin me çdo kusht të shuanin shkollën tonë shqipe.  “Kërkesat e mësimdhënësve, kërkesat e anëtarëve të sindikatës sonë, çdoherë ishin të arsyeshme, ndaj edhe do vazhdojmë në mbrojtjen e interesave të punëtorëve arsimor, por edhe duke kërkuar përgjegjësi për punën që bëjmë, në ngritjen e nivelit të mësimdhënies dhe mësimnxënies”, është deklaruar Lataj, për të cilin plotësimi i kërkesave sindikaliste, do jenë në të mirë të shoqërisë, në të mirë të shtetit të Kosovës, duke nxjerr kuadro që do jenë krahas kolegëve të tyre të shteteve më të zhvilluara të botës.

Sikurse Lataj, shprehën edhe mësimdhënësit të cilët pos përkrahjes morale, kërkojnë edhe përkrahjen e duhur në përmbushjen e kushteve për punë dhe jetë normale. “Nuk jemi ata që kërkojmë kushte që nuk janë të arsyeshme, por duhet kuptuar se arsimi çdoherë ishte i lënë pas dore, qoftë në krijimin e kushteve të punës, ashtu edhe të kujdesit familjar”, ka thënë mësuesja Ganimete Ukshini, e cila udhëton dhjetëra kilometra për të shkuar në vendin e saj të punës. Sikurse Ukshini, ankohen edhe mësimdhënësit të tjerë, të cilët kërkojnë një kompensim sado të vogël për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve që bëjnë, sikurse edhe njohja e viteve te punës për periudhën 1990-1999.