Christopher Hill shkëndijë shprese për qytetarët e Kosovës!

Shkruan: Florim Zeqa         16.03.2022

Christopher Hill shkëndijë shprese për qytetarët e Kosovës!

Mund të themi se konfirmimi nga Senati për zgjedhjen e Christopher Hill ambasador i ri i SHBA-së në Serbi nuk është i rastësishëm! Prolongimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi e ka detyruar presidentin Biden të bëjë zgjedhjen e duhur me emërimin e diplomatit të karrierës ambasador në Serbi, i cili e ka përvojën e zhvillimit të negociatave dhe zgjidhjes së shumë problemeve ndërshtetërore dhe ndëretnike në botë.

Pritet çasje e re në dialog

Zyrtarizimi i diplomatit amerikan Christopher Hill për pozitën e ambasadorit të SHBA-ve në Serbi është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut mes të dyja vendeve. Si pasojë dialogut të pasukseshëm 11 vjeçar Kosovë-Serbi, pritet të ndërrojë çasja dhe formati i këtij dialogu! Që i bie se, duhet të caktohen afatet kohore për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, si dhe të përfshihen në dialog institucionet e të dyja shteteve (presidenca, parlamenti, qeveria, partitë opozitare, shoqëria civile dhe ekspertë të fushave përkatëse) në mënyrë që marrëveshja përfundimtare në mes dy vendeve të garanton paqe dhe stabilitet afatëgjatë në Ballkanin perëndimor.

Bazuar në “rezultatet” e deritanishme pas rifillimit të dialogut Kurti-Vuçiq, zgjidhja përfundimtare nuk shihet as në horizont! Në vend të progresit kemi regres për shkak të rrëshqitjes së dialogut nga niveli politik në atë teknik, të cilit nuk i shihet fundi!

Meqë BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut për 11 vite, jo vetëm që nuk arriti të ofrojë një zgjidhje optimale, nuk e paraqiti asnjë dokument lehtësues që i përafron palët drejt zgjidhjes përfundimtare!

Pasojat e ngërçit politik nuk është se po i vuajnë politikanët, por po i vuajnë qytetarët e të dyja vendeve, e në veçanti qytetarët e Kosovës, të vetmit të getoizuar në Ballkanin perëndimor dhe pas asnjë shpresë për ardhmëri në vendin e tyre.

Andaj, emërimi i diplomatit amerikan Christopher Hill për pozitën e ambasadorit të SHBA-ve në Serbi është një shkëndijë shprese për qytetarët e Kosovës, që më në fund të shohin një progres dhe të lëvizin lirshëm dhe pa asnjë pengesë drejt vendeve evro-perëndimore.

Hill alarm për palët në dialog

 Siq dihet Hill ishte pjesë e ‘Grupit të Kontaktit’, ka shërbyer si Emisar Special gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat në Rambuje të Francës më 1999.

Për Serbinë emri i Christofer Hill rikujton simfoninë e zhurmshme të aeroplanëve bombardues të NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, ku pas refuzimit të kësaj të fundit për nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën në Rambuje, kishin nisur sulmet 78 ditëshe ndaj regjimit të Millosheviqit.

Pa dashur të ndalem në historinë e suksesshme diplomatike të ambasadorit, vlen të theksohet se diplomati Christofer Hill ka qenë person vendimtar në shumë procese që determinuan veprimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit të Serbisë, përfshirë bombardimet e NATO-s.

Deklaratën e tij: “Unë do ta inkurajoj Serbinë të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis” duhet kuptuar si ultimatum ndaj dy palëve në dialog, Serbisë dhe Kosovës.

Ashtu sikurse Serbia që duhet të përgatitet mirë për efektet diplomatike të ambasadorit Hill, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta merrë seriozisht diplomatin amerikan, ngase për dallim nga diplomatët e tjerë perëndimor, ambasadori Christofer Hill palëve në dialog nuk iu lë shumë hapësirë manovrimi, por shumë shpejtë i sjellë para dy zgjidhjeve përfundimtare.

Kur e themë këtë, e kam parasysh faktin se, sikurse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili kot tenton të viktimizohet para ambasadorit Hill i cili e njeh mirë të kaluarën e ish ministrit të Millosheviqit, edhe Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Albin Kurti duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe praktik në dialog me Hillin amerikan, ngase këtij nuk i bëjnë përshtypje oratoria dhe përformanca e fantazive poetike.

Sikurse që, asnjë luftë nuk përfundon pa dialog, edhe dialogu nuk përfundon pa kompromise të dyanshme!