A mund të largohet Edi Rama me sjellje puciste anti-PD dhe me foltore anti-SHBA në mbrojtje të të shpallurve “non grata” ?!

A mund të largohet Edi Rama me sjellje puciste anti-PD dhe me foltore anti-SHBA  në mbrojtje të të shpallurve  “non grata” ?!

Nga Skënder Sadri KAPITI

Shqiptarët janë populli më pro amerikan në Botë. Janë më proamerikan sepse prej SHBA-ve shqiptarët kanë sot dy shtete. Madje SHBA e kane mbrojtur Shqipërinë edhe në kohën e regjimit fanatik antiamerikan të diktatorit Enver Hoxha nga synimet shoviniste të jugosllavëve dhe  grekëve.SHBA-të gjithmonë e kanë mbrojtur Shqipërinë pavarësisht pushteteve dhe regjimeve politike që kanë qenë në Shqipëri.

SHBA janë aleati më i madh i shqiptarëve në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe që kontribuan për VETTING-un në drejtësi.

SHBA shpallën non grata disa politikanë e pushtetarë në Shqipëri si Doshin dhe Dakon por askush nuk organizoi protesta e foltore kundër këtyre sanksioneve të SHBA-ve ndaj tyre. Po tani që u arrestua edhe ishministri Lefter  Koka  i Edi Ramës për korrupsion a mos duhet që të mbahen foltore prokorrupsion për ta mbrojtuar atë dhe Edi Ramën?!

Ndërsa pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës, Berisha nisi fushatën foltoristo mitingashiste kundër SHBA-ve, fillimisht me një padi antiamerikane në Paris, e pastaj pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Berisha dhe disa rreth tij nisën fushatën antiamerikane nepër foltore me qëllim për ta marrë drejtimin e Partisë Demokratike dhe për ta përdorur atë si mburojë politike antiamerikane.

Këto veprime të Berishës  dhe të foltoristëve vetëm sa ia zgjasin jetën dhe shërbejnë si oksigjen për regjimin korruptiv e antipublik të Edi Ramës, të kësaj keqqeverishje kampione në skandale korrupsioni.

Pyetje është kjo se  a mundet që me veprime antidemokratike e puciste për të uzurpuar Partinë Demokratike, si dhe me sjellje kundër SHBA-ve, a mundet që foltoristët ta largojnë nga pushteti Edi Ramën?!

Kjo nuk mund të ndodhë sepse kundër politikës antikorrupsion të SHBA-ve janë jo vetëm Berisha dhe mbështetësit e tij , por kundër Vetting-ut dhe kundër non grata – ve  amerikane janë të gjithë politikanët e cdo lloj ngjyrimi politik që kanë zhytur duart në korrupsion. Prandaj sulmohet Lulzim Basha, jo vetëm nga Berisha  por edhe nga Meta e Rama dhe nga e gjithë elita e vjetër politike në Shqipëri. Basha me të drejtë po lufton për ta shpëtuar vëndin nga gëlltitja korruptive e asaj që ai e quan si Trekëndëshi i Bermudës  RBA: Rama,  Berisha, Meta.

Basha sot ka mbështejen e SHBA-ve si më i besueshmi për cmontimin e sistemit kriminalo-korruptiv ne Shqipëri; për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni dhe për integrimin e saj në BE. Basha është antiteza a Berishës, Basha ndihmës strategjike dhe jetike të SHBA-ve për Shqipërinë nuk e shikon si Berisha i cili sjelljet e ambasadores amerikane i shikon si të një guvernatoreje apo si asmbasador i Bashkimit Sovjetik.

Dhe shikoni se si reagon në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i DASH, Ned Price, kur tha se: “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.

Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë. https://abcnews.al/ish-kryeministri-berisha-sulmon-kim-dash-akuzat-ndaj-ambasadores-te-pajustifikuara/

Unë shkruesi i këtij shkrimi jam dakord me opinionin publik dhe me opinionistët e analistët të cilët kritikojnë dhe që kërkojnë me të drejtë largimin e regjimit super të korruptuar të Edi Ramës dhe të rilindjes së socialistëve, e  që nuk duhet të rrijnë asnjë minut në pushtet, por jam kundër disa prej atyre të cilët janë verbërisht kundër non gratës  amerikane të Berishës.  

Pra korrupsioni nuk mund të luftohet prej atyre që janë akuzuar për korrupsion dhe që u është ndaluar hyrja në SHBA.

I pyes edhe disa intelektualë nga Kosova, po sikur ndonjë politikan, apo kryeministër e ish kryeministër i Kosovës do të deklaronte për ambasadorin amerikan si guvernator dhe ambasador sovjetik a do ta kishit mbështetor ndonjërin që  do e bënte nje gje të tillë. Po sikur ta zëmë që SHBA ta shpallë p.sh. Kurtin apo Osmanin non grata per korrupsion si do ta kishit pritur ju një gjë të tillë, a do kishte pasur prej jush kundërshtarë të flaktë kundër non grata për politikanë kosovarë të akuzuar për korrupsion?!