A do ta bëjmë Shqipërinë?!

A do ta bëjmë Shqipërinë?!

Peripecitë aktuale që skicojnë peshën e klasës politike gjithandej tokave shqiptare, ngecën larg parimeve më elementar që do ta përkufizonin interesin kombëtar mbi të gjitha, ku kryefjala dhe kallëzuesi ynë, do të ishte interesi i atdheut. Për aq dhe për kaç kohë sa jemi, është i pashmangshëm zhgënjimi i prurjeve të dëshiruara përgjatë kësaj rruge politike, këtë duhet ta themi hapur, dhe mbetet mjeti i vetëm demokratik që ne, duhet ta përfillim.

Që nga dje e deri tek e nesërmja, në mënyrë analoge, gjatë gjithë këtij rrugëtimi sikur na ka përcjellë një psherëtimë e mëdyshjes dhe zhgënjimit të bazuar përballë operatorëve tanë politik, opusi filozofik i të cilëve nuk ka çka të ofroj më shumë, me keqardhje, veç një kopje e ligë e së kaluarës, rrethuar me miq, daja, nipa e ndrikulla ministrash, e zëvendës ministrash, këshilltarë e figura tjera tashmë të stërkonsumuara, duke ngarendur nga një subjekt tek tjetri, tamam si mjet kusuritje për të plotësuar boshllëkun e djegur dikur. Madje, mungesë e theksuar kuadrosh serioze të përgatitura dhe të përkushtuara për të qenë tamam i kompletuar.

Peshuar me kandarin e paanësisë, rruga politike, kalorësit dhe kalëruesit e saj, Kosovën e shpunë deri atje sa të krijon përshtypjen e papërgjegjësisë së shtet-bërjes, e cila nuk mund të jetë e plotë pa forcimin e ligjit, mëkëmbjes ekonomike, pacenueshmërisë territoriale, morale, politike, kombëtare, përgatitja për përballje diplomatike, strategjia për të udhëhequr dhe zhvilluar shtetin, forcimin e Policisë dhe Ushtrisë, sigurinë e qytetarit dhe fuqinë vendimmarrëse për mos cenimin e sovranitetit- siç po cenohet skajshëm veriu i Kosovës!
Jo, fatkeqësisht jo, kjo nuk po ndodhë, as sot pas 20 vitesh, shkarjet e njëpasnjëshme nuk ta forcojnë bindjen sa qytetari ynë të mos ndihet me krenari të vrarë pa fajin e tij!

Përkundër vullnetit të mirë, në përditshmërinë tonë po forcohet përshtypja e një ndjesie inferioriteti përballë problemeve të shumta të cilat duan trajtim të veçantë dhe emergjent.

Ky kompleks varësie në shoqërinë tonë, sikur ka kaluar në rutinë politike. Qasja nga një këndvështrim tjetër, pa përvetësuar të drejtat e rezervuara të dyshimit mbi atë që është bërë dhe mbi atë që ka mundur të bëhet. E gjitha kjo që aktualisht po bëhet, na shpie në evokimet afirmative të momentit të cilat nuk ofrojnë më shumë së një mundësi për të gjykuar; nëse kemi më shumë të drejt të besojmë, apo të dyshojmë?

Situata imediate e cila shkon përtej gërvishtjeve të një llamarine të ndryshkur; se kush do të këndon në Korçë, se kush ku i bënë pushimet, se duam treg të përbashkët, se duam lëvizje të lirë, se nuk ka më nepotizëm, se ne e sfiduam pushtuesin në bisedime, se shkarkuam këtë dhe atë bord e dokrra tjera kaq sipërfaqësore!… Jo, jo, gjërat duhet parë më thellë, Kosova është në rrezik potencial, dhe përgjegjësia do të bie mbi ne, në veçanti mbi klasën politike aktuale, rrethuar me disa figura që zgërdheshën duke u fshehur pas emrit të partisë, të kryeministrit, të presidentit etj. Lëpirje këto, që dëmtojnë procesin dhe rendin politik, ngase reflektojnë mjerim intelektual dhe pasiguri, figura këto që irritojnë qytetarin- siç më tha një mik imi:

– “Prapë ky qenka kandidat ë!?”…
– Po- ia ktheva, madje ka edhe shumë të tjerë si ky!…
 
Më kujtohet një film shqiptarë me titull: “Rrethimi i vogël!”, si duket klasën politike e ka zënë në çark ky rrethim i vogël, për më shumë tani në këtë hallakatmë të “vjelash” vjeshtore, ku nuk zgjidhet forma për të arritur qëllimin!

Pajtohem: çështja jonë kombëtare nuk është e re, nuk është diçka që nuk jemi përballur edhe në të kaluarën, por që nuk është zgjedhur, që duhet të zgjidhet, tokat shqiptare nuk janë të çliruara, nuk janë të bashkuara, përkundrazi janë të pushtuara, copëtuara dhe poshtëruara.
Ne, duhet të çlirohemi, të bashkohemi dhe shumë gjëra tjera afërsisht të ngjashme të cilat urgjentisht duhet të marrin formë, dhe këtë duhet ta themi burras:
A jemi ne, ata që zotimet duhet kryer, dhe nëse ne, nuk i kryejmë- nuk e besoj se do të na i kryejnë të tjerët. Dëshiroj të besoj se bartësit aktual të politikës në Kosovë, pozitë- opozitë, të mos hiqen aq naiv për të mos e kuptuar rolin e tyre racional, në vorbullën e politikes aktuale e cila thjeshtë, po ridefinon ide të njëjta, si të kohëve të vjetra me rrezikun permanent mbi supet tona, për pasojë, problemet e pazgjidhura, ne po ia bartim brezit pasues, përkundër krekosjeve tona të pa reshtura, se do bëjmë këtë dhe atë!…

Tentimi i pareshtur i qarqeve të caktuara, që po i bien të njëjtës melodi, për ndarje dhe rindarje të tokave, të njerëzve tanë, të subjekteve tona politike, të shoqatave, të sindikatave, të intelektualëve, të akademikëve përfundimisht të çdo gjëje që është unike, në mënyrë qe dy e dy të mos mbesim të bashkuar- qëllim ky shekullor i pushtuesve tanë. Mirëpo, nëse është i vlefshëm konstatimi se duke qenë unik erdhëm deri këtu, atëherë gjykoni vet se ku do të na shpie e kundërta e unitetit! 

Stërkeqa jonë për gjatë këtyre dy decenieve së ne, na mbron Amerika, Gjermania, Anglia etj. ka kaluar gati në rutinë e cila nuk ka më kuptim. A jemi ne gati, dhe kur do të themi Ne, së atdheut tonë i dalim vet zot, dhe për këtë kërkojmë mbështetjen ndërkombëtare të cilët i falënderojmë pafundësisht, por ne jemi gati të vdesim për atdheun tonë- kaç dhe vetëm kaç!…
Tanimë pas kaq kohësh, ngjarjet e fundit në Afganistan, ua hoqën maskën disa patriotëve e rrahagjoksëve të rremë politik, analitik e filozofik!, sa të ligë e të pa kurriz janë soj-sorollopi i tyre të cilët kanë ngarendur nëpër kohë, duke treguar gatishmëri lojaliteti për pushtuesin që nga stërgjyshërit e tyre e deri tek stërnipërit t tyre sot, të cilëve nuk ju skuqet faqja fare dhe publikisht deklarohen së na merr Serbia për 3 orë!
Jo, jo Serbia, nuk ka arritur që ta nënshtroj Kosovën për më së një shekull, dhe nuk ka për të arritur asnjëherë këtë. E ka dëshmuar katërçipërisht koha dhe historia jonë e përgjakur shekullore, shqiptarët nuk mposhtën me asnjë çmim, pavarësisht kuisjeve të liga të zagarëve! 

Me të drejtë shtrohet pyetja: A do ta bëjmë Shqipërinë?! Po, e them po, duke u bazuar në fakte historike, jo pak herë çështje shqiptare ka qenë buzë gërminës, por që burrat e dheut i kanë dalë zot. Prandaj, edhe tani padiskutueshëm së do ta bëjmë, por duhet të veprojmë e mos të mbesim hipotekë e pritjeve të mrekullive mbinatyrore.
Klasa politike, pozitë-opozitë, duhet që burrat e dheut t’i mbledhin urgjentisht, anë e mbanë shqiptarisë, për të vu në linje gatishmërinë dhe veprimet e të gjithë atyre që mendojnë seriozisht për çështjen e pazgjidhur shqiptare- ndryshe ata detyrohen të mblidhen vet, përgjithmonë nuk iu pret as kush!

Dikush duhet të mendoj më gjithë mend dhe shumë seriozisht për këtë, dhe kjo nuk do duhej të vonoj shumë, ndryshe për vonesat tona, do të na gjykoj historia.

Dorën në zemër, pa dashur të zbehu angazhimin e secilit, me këta burra që ka sot shqiptaria- vështirë së do bëhet SHQIPËRIA!

23-08-2021

Mehmet BISLIMI














23-08-2021

Mehmet BISLIMI