20 pyetje për ambasadoren Yuri Kim

Shpend Topallaj

20 pyetje për

ambasadoren Yuri Kim

Kam disa pyetje,

Zonja e nderuar Yuri Kim

Faqja e internetit “Fjala e Lirë”

Londër, 26 tetor 2021

Ju patjetër që e dini mirë se ne shqiptarët të dalë nga një  diktaturë e pashembullt komuniste gjysmëshekullore, e kemi pritur para tre dekadash Xhejms Bejkerin si përfaqësuesin e një vendi të madh, kampion të mirëqenies, lirisë dhe demokracisë, me të cilin do të na lidhnin fort edhe interesat tona. Nuk e njihnim fare atë, por e mbajtëm në krahë si të qe Mesia, për të shprehur dashurinë tonë për atë shtet të fuqishëm, me ndikim në ecurinë politike të botës mbarë, atë shtet tek i cili shihnim edhe realizimin e shpresave dhe aspiratave tona të mohuara. Mbi të gjitha, masa e gjërë e atyre që e kishin provuar në shpinën e tyre mizorinë kriminale të atij sistemi, kishin bindjen se do të gjenin përkrahësen e palëkundur në mënjanimin e mentalitetit dhe praktikave të trashëguara nga regjimi i kaluar. E forcoi në sytë tanë respektin për SHBA, sidomos kontributi i ushtrisë së saj në kuadrin e NATO – s, për çlirimin e Kosovës nga hordhitë kriminale serbe. Mirëpo, duhet të jesh miop, ose fare pa dinjitet që të mos vëresh e shqetësohesh nga disa qëndrime të cilat duke shkaktuar turbullira politike, më shumë po i bëjnë dëm atdheut tonë. Kuptohet, se përgjegjësinë për këtë gjëndje aspak të pëlqyeshme e kanë në radhë të parë politikanët tanë, të cilët u nënshtrohen paturpësisht të huajve, duke i bërë ata zot në shtëpinë tonë. Para kësaj situate, nuk ka sesi të të mos habisin edhe veprimet e ambasadës që Ju drejtoni, veprime që bijen në kundërshtim me premtimin e sekretarit Bejker se “ne nuk do t`u japim të hani peshk, por do t`u mësojmë si kapet ai”. Para kësaj situate, ku opinionet e njerëzve janë bërë lëmsh, Ju qëndroni e padeshifrueshme, me një pamje plot sharm, ku ka ngrirë një buzëqeshje që nuk kuptohet në shpreh çiltërsi apo lojën dykuptimëshe të Pitisë së Delfit, prej nga dua të besoj se ka marrë shkas edhe torinezi Camillo Benso di Cavour kur thosh se “Mjeshtëria e diplomacisë është ta ndash kulaçin në mënyrë të tillë që secili të mendojë se ka marrë copën më të madhe”. Ju, më shumë se një nëpunëse e lartë e një administrate, jeni bijë e një populli shumëkombesh që e njeh si pakkush mirënjohjen, aq sa edhe festën më të shenjtë ka Thanksgiving, pra Ditën e Falenderimeve, ku nuk harron çka bënë në Plymouth, plot 400 vjet më parë indianët për kolonët puritanë, pas zbarkimit në Cape Code. Unë flas me ju hapur, pa drojën se do të më keqkuptoni, ndaj kini mirësinë t`ia bëni të qartë administratës tuaj, se populli shqiptar u do dhe do t`u mbetet përherë besnik, ndaj nuk është e nevojshme të praktikojmë ndaj tij akrobacira diplomatike. Është kjo arsyeja që si qytetar i këtij vendi, duke parë se nuk po gjen zbatim ai mësimi i amerikanit të shquar H. A. Kisinger, se “Diplomacia është arti i frenimit të pushtetit”, besoj se e kam të drejtën t`u drejtoj disa pyetje edhe pse nuk pres ndonjë përgjigje prej jush.

1 – A kishte të drejtë presidenti R. Regan kur thosh se “Politika supozohet se është profesioni i dytë më i vjetër, unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”?

2 – Si e vlerësoni pohimin e Henry Woton se “Ambasadori është një njeri i ndershëm, që dërgohet jashtë vendit për të gënjyer në favor të atdheut”?

3 – A ka të drejtë një ambasador të ndërhyjë brutalisht në punët e brendshme apo të marrë komandën e drejtimit në një shtet tjetër?

4 – Në administratën amerikane, a zbatohet me vendet e tjera parimi i marrëdhënieve reciproke?

5 – Si do reagonin te ju ndaj cilitdo ambasador të huaj që do të merrte përsipër të luante hapur rolin e tutorit?

6 – E quani normale ju mbajtjen e anës së një force politike në vendin ku jeni emëruar dhe a i parashikoni pasojat që vinë nga kjo?

7 – A mund të orientojë apo të ushtrojë ndikimin e vet mbi drejtësinë ambasadori i një vendi tjetër?

8 – I lejohet një ambasadori, qoftë edhe në emër të qeverisë që përfaqëson të urdhërojë se kush duhet të futet e kush duhet të dalë nga Parlamenti në shtetin ku është akredituar?

9 – A mund të shndërrohet selia e një ambasade në administratë ku paraqiten ankesat e popullit?

10 – Mund të thuash se po kryen detyrën e vet një ambasadë që për vite me radhë nuk realizon asnjë shkëmbim kulturor, artistik, letrar, shkencor a sportiv mes dy vendeve mike?

11 – A duhet të identifikoni kërcënueshëm, gjysmën e shqiptarëve, me një njeri të vetëm, kushdo qoftë ai, dhe t`i thuash opozitës ose zhduk atë ose do hani bar?

12 – E quani të drejtë të akuzoni e diskreditoni cilindo individ e sidomos politikan influent të një shteti tjetër, pa dhënë asnjë fakt?

13 – Çfarë rreziku mund të përbëjë për sigurinë e një superfuqie një njeri i cili qysh kur u njoh publikisht nuk resht së foluri për miqësinë me SHBA, e quan suksesin më të madh përfshirjen në NATO dhe ka krijuar të gjitha lehtësirat për vendosjen e forcave tuaja ushtarake te ne?

14 – Në vendin tuaj, a e keni shpallur “non grata” V. V. Putinin e Rusisë apo Kim Jong Unin e Koresë së Veriut që nuk ka ditë të mos demonstrojnë forcën e të mos vringëllijnë armët kundër jush?

15 – A duhet përkëdhelur Serbia agresore duke e barazuar me viktimën e saj dhe duke iu lutur të njohë Kosovën?

16 – Çfarë pengoi pas 78 ditë bombardimesh mbi Beograd dhe gjunjëzimit të ushtrisë gjakatare serbe, që SHBA të shtronte dhe çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke ndrequr një gabim historik ndërkombëtar?

17 – Çfarë mendoni ju për politikanët tanë të nënshtruar, kur thonë se edhe gabim ta ketë Amerika, ne duhet të bëjmë si thotë ajo?

18 – Ju e kuptoni apo bëni sikur nuk e kuptoni që një administratë kalimtare nuk është SHBA – ja në sytë e popullit tonë?

19 – Vërtetë nuk e shihni dhe nuk e ndieni se me veprimet tuaja jo gjithmonë të lavdërueshme, po ngjallni në popullin tonë pakënaqësi ndaj politikës që ndjek vendi juaj mik?

20 – A mendoni ndonjëherë sesi do t`u mbajnë mend shqiptarët kur të përfundojë mandati juaj dhe të largoheni nga vendi ynë?

Mos m’u zemëro, zonja ambasadore. Unë e dua Amerikën, por më shumë dua Shqipërinë