Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

Ballina

Letërsi

Filozofi

Histori

Opinione

Intervista

Citate

Kritikë

 

Portal  

   

 HEKURAN ZHITI (1911 – 1989)

Shkruan:
Eda AGAJ

 

 

Hekuran Zhiti (13 prill 1911 – 15 mars 1989) zbriti nga Mali i Tomorrit, Olimpi i shqiptarëve dhe jeta e tij do të ishte një zbritje, por njëkohësisht dhe një ngjitje e brendshme, një kalvar vuajtjesh drejt një Olimpi tjetër, moral dhe artistik.

Në kohën e mbretërisë shqiptare ai u shkolla në "Normalen" e Elbasanit dhe punoi mësues fshatrave të Jugut, por qysh student u shqua dëshira dhe prirja e tij për poezinë dhe teatrin. Pas botimeve të para, ai do të shkruante komedi të shumta dhe do t’i interpretonte dhe vetë, kur Shqipëria nuk kishte teatro profesioniste, por me drama plot rrugëve.

Pushtimi fashist i vendit e gjeti në Berat, i njohur si nacionalist dhe kundërshtar, por dhe si personalitet në kulturën e qytetit.

Ai po bënte atë që nuk e kishte bërë askush, po shkruante elegji për të rënët dhe ua lexonte te varret, qofshin këta partizanë si miqtë e tij Margarita e Kristaq Tutulani, qofshin nacionalistë, dëshmorë të Ballit Kombëtar.

Kulmi i krijimtarisë së tij poetike do jetë poema "Përqafimi i dy kundërshtarëve", kur për herë të parë në poezinë shqipe kërkohet të shmanget lufta civile, në kohën kur po këndoheshin marrshet e luftës së klasave me simbol drapër e çekanin. Poeti bën thirrje për vëllazërim e dashuri, të mos vritemi mes nesh, por të çlirojmë vëndin e të ngremë lart Flamurin tonë me shqiponjën e lirisë.

Poema u ribotua në shumë gazeta të kohës, u dramatizua dhe u shfaq në disa skena të vendit, në Berat, Fier, Kavajë, Vlorë dhe në Kinema "Kosova" në Tiranë, etj, dhe në vitet e demokracisë u rivu në skenë në Lushnjë.

Të shumta do të ishin dramat dhe komeditë që Hekuaran Zhiti po shkruante duke i vënë vetë në skenë në Berat e interpretuar po vetë.

Dhe një herë kur publiku po duartrokiste furishëm dhe kërkonte autorin të dilte në skenë, ai dergjej pak më tutje në një nga qelitë e burgut. E kishin arrestuar duke e tortuar dhe për atë poemën me apel pacifist që kishte shkruar gjatë luftës, që partizanët kishin urdhër, që po ta gjenin, ta digjnin.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore i theu ëndrrat e tij dhe i ndërpreu aktivitetin e nisur. Nuk e la të bëhej ai që premtonte. Fitimtarët e pushojnë nga puna, e burgosin si nacionalist, për origjinën e tij, "me toka në Tomoricë e çifligje në Selanik, bashkëpunëtor me intelektualët antikomunistë si Mit’hat Frashëri e Safet Butka, Abaz Ermenji, Sejfi Protopapa, për poemat e tij kundër luftës civile në Shqipëri", të cilën, më pas gazetat ku ishte botuar, do të çoheshin në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në letër të bardhë si harresa.

Kur del nga burgu, Hekurani dëbohet nga Berati. Familjarisht ikën dhe gjen punë hamall në portin e Durrësit, duke interpretuar kështu të pashkollin dhe analfabetin, por e heqin dhe që andej, si zonë kufitare. Punon puntor rrugësh me kazmë, por pas pune merte violinën e "Normalistit" dhe me duart e nxira i binte për 4 fëmijët e tij që e rrethonin, për të shoqen dhe prindërit në kasollen ku banonin.

Nevojat e vendit ishin të mëdha, kuadrot të pakta, varfëria kudo, mungonte buka dhe mësuesit. Hekuran Zhiti, i vlerësuar nga shkrimtarët e viteve ’30 si Sterrjo Spasse, shok klase, Petro Marko, Nonda Bulka, që e kishte cilësuar si "Fisha i Jugut" (Hekurani ishte takuar me poetin e madh Gjergj Fishta në Shkodër), etj., po kështu dhe nga shkrimtarët e socrealizmit si Shuteriqi e F. Gjata, etj, nga rektori i parë i universitetit, emërohet mësues në fshatrat e Lushnjës. Andej internimeve kishte ende miq të tij si gazetari dhe studiuesi Lazër Radi, piktori Lek Pervizi, poeti Pano Taçi. Më tutje kishte përkthyesin dhe poetin Vexhi Buharaja, shkrimtarin Mustafa Greblleshi, etj.

Kur Hekurani iu rikthye ndërkohë pasionit të tij, lojës teatrore, e ngarkuan të themelojnë teatrin e estradës së Lushnjës. Se bashku me muzikantin e shquar, Fotaq Filipeu, i liruar nga burgu politik, por dhe me Vaçe Zelën, që do të bëhej këngëtarja më e njohur e muzikës së lehtë, me parodistin e shkëlqyer, shkodranin që do të vinte nga internimi Gjosho Vasia, etj.,

Shumë shpejt Hekuran Zhiti u bë kurora e suksestit të asaj estrade, vetëm se ai nuk do ta kishte të drejtën e botimit të një libri të tij, të një drame a komedie, megjithëse kritikët që i lexonin në dorëshkrim i konsideronin si ndër më të bukurat. Ndonjë skeç i botohej në almanakët e estradave.

Në kulmin e punës u hoq, u nxor në pension dhe me ashpërsimin e luftës së klasave, erdhën goditje të reja në atë familje që kishte njohur pushkatime e burgje e persekutim të pandarë. Pasi i burgosin njërin nga djemtë për poezi, ai vetëburgoset në shtëpinë e tij të ngushtë, nuk del më, deri sa mbylli sytë e verbër. Vdiq në qytetin e Lushnjës, kur në fakt e dinin të vdekur.Një vit më vonë do të binte diktaturaVitet e demokracisë do ta risillnin emrin e Hekuran Zhiti duke kërkuar t’i jepnin vlerën e vërtetë, atë që meriton, duke e përkujtuar, duke kujtuar bëmat e tij, ato që mundi të shkruajë, duke nënkuptuar dhe atë atë nuk u la të shkruhej, si një bos i përhershëm. Ndërkaq janë botuar dy libra të Hekuran Zhiti, një përmbledhje me poema e poezi të zgjedhura "Kryengritje shqiptare në parajsë" dhe "7 komedi", të një lloji tjetër, me fund tragjik. Veprat e tij janë mirëpritur nga lexuesi dhe kritika, kanë patur jehonë në vend dhe më tej, në diasporë. Hekuran Zhiti ka ende për të dhënë, dorëshkrimet që presin botimin, drama e komedi të tjera, por mbi të gjitha emri i tij është i demokratit të natyrshëm, që deshi atdheun, dijen, artin, u bë edukator në shkolla dhe në popull, solli optimizëm dhe të qeshura jete në kohën e errësirës më të rëndë. Emra të tillë mbartin dritën.
 

KANË THËNË PËR HEKURAN ZHITIN:

1.Aktor

Hekuran Zhiti u bë shumë popullor në Myzeqe e pastaj nëpër Shqipëri nëpërmjet estratës. Ai u fut në memorjen kolektive, në atë të qytetarëve. Ja ç’kujton tani një krijues dhe gazetar nga Lushnja, Kozma Gjini:

"Në fëmijëri vraponim pa pyetur për gjembat e thereckave, për të zënë një vend përpara sheshit të fshatit, në lëmë, a dritareve të vatës së kulturës që ta shikonim nga afër artistin me famë, që shkurt i thërrisnim "Hekri". Do të ndiqnim estradën që vinte nga qytetit hipur në degët e pemëve, duke rrezikuar të binim nga qarri, mes buçimës së duartrokiste. Shkuleshin të rinjtë e fshatrave Lumth, Shakuj, Gorre, Rrapez, Pirrë, Goriçaj, Këmishtaj... dhe do ta kthenim sa e sa herë artistin e mrekullueshëm Hekuran Zhiti, duke thirrur pa pushim "Biiiizzzz"!

Pastaj ne mësuam më vonë se kaq mund të shkonte lavdia e tij, më shumë nuk i lejohej, kishte biografi jo të mirë për regjimin. Mbi të po hidhnin pluhur harrese ashtu si plisat e dheut mbi arkivolin e tij në varr në marsin e fundit të diktaturës."

Është vlerësuar nga kolegët si aktori i humorit, Luftar Pajo, po kështu dhe nga libretisti, regjisori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla. Edhe aktori i madh i Teatrit Kombëtar Kadri Roshi e çmonte, kurse regjisori i njohur i po këtij Teatri, Pirro Mani, që hapi një shkollë të re në regjisurën tonë e ka lënë me shkrim se e ka kërkuar Hekuranin dhe jepte për të 5 aktorë të tjerë.

Dramaturg

Tani aktorë të Akademisë së Arteve kanë ngjitur në skenë komedi të Hekuran Zhitit me regji të Kiço Londos apo dhe të Anton Qesarit, i cili jep vlerësimet më të larta për këto vepra.

Ja ç’shkruan për Hekuran Zhitin dramturg Prof. Dr. Josif Papagjoni, kritik letrar, njëkohësisht dhe autor i "Enciklopedi Teatri & Kinematografi shqiptare":

"…jo shpesh ngjet që të zbulohet krejt një autor, i panjohur më parë nga lexuesi i gjerë; një autor, i ngujuar diku në pjesën e territ të kohës a të fatit. Ky është Hekuran Zhiti. Si në ato baladat kur heronjtë lëvizin rasën e varrit dhe zhduken tej në mugullirë, duke sfiduar vdekjen dhe peshën e dheut, për të vënë në vend një amanet (që dheu s’e tret), shfaqja e këtij njeriu të "panjohur" në cirkun e ngushtë të dramës shqipe, ishte për mua një befasi. Një zbulim.

A ishte e mundur të shpëtonte pa u vënë re ky autor elegant, aq shpotitës, modelimi i një moleriani shqiptar, a Kalderoni, a Goldoni, plot shije e nur?

...nuk mund të rrimë pa shfaqur habinë dhe admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor dhe, detyrimisht, me nxitimin për t’i dhënë kurorën e mohuar që i takon…"

 

Poet

Si poet Hekuran Zhiti ka qenë vlerësuar nga gjenerata e tij, sidomos për satirat, qysh në bankat e shkollës. Por dhe gjeneratat e tjera si poetët Xhevahir Spahiu e Ali Podrimja, ndërsa poeti Faslli Haliti do të krijonte dhe një çmim letrar me emrin e tij për krijuesit lushnjarë e deri tek më të rinjtë si Ilir Levonja, etj.

Me një pjesë të poezive të Hekuranit ndodhi dhe ajo që rrallë u ndodh autorëve, u bënë anonime, popullore duke u futur në tekste të shkollave si folklor, psh poezia për Flamurin apo shumë këngë myzeqare.

Hekuran Zhiti poet, aq sa duket naimjan dhe romantik, është dhe realist, me muzgjet dhe agimet e përgjakura të vendlindjes. Ndërkohë ai solli dhe një mesazh të ri.

Ja ç’zbulon studiuesi dhe poeti Dr. Agim Vinca në veprën"Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)" në kapitullin "Poezia si akt moral" Prishtinë 1997:

"Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës "Epopeja e Ballit Kombëtar" të Shefqet Musarajt, mund të konsiderohet poema "Përqafimi i dy kundërshtarve" e Hekuran Zhitit, (Hekuran Zhiti, "Përqafimi i dy kundërshtarëve", "Jehona" nr. 3, f. 53 Shkup, 1994), e cila, njësoj sikurse dhe autori i saj, njihen fare pak, për të mos thënë aspak. Kjo poemë (...) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar. Siç e thotë edhe vetë titulli i saj, ajo kërkon përqafimin e kundërshtarëve, pra pajtimin kombëtar midis palëve në konflikt: partizanëve dhe ballistëve.

Poema është konceptuar si dialog i individualizuar i dy kundërshtarëve politikë: partizanit dhe ballistit dhe është e ndarë në shtatë pjesë. Në këngën e parë jepet "Peizazhi i luftës". Me pak vargje, pra në mënyrë sintetike, jepet atmosfera rrëqethëse e kohës së luftës në Shqipëri. Është tejet sugjestive figura e pemëve që "shkulin flokët": Pemët shkulin flokët, thërret kroji mjerë./ Vaji i Shqipërisë po hapet në erë.Në dy këngët vijuese, të dytën dhe të tretën, hasim monologun e "djalit me yll në ballë" dhe atë të "birit tjetër të dheut". Pas fjalëve shkëmbehen dhe plumbat: Lufta vazhdon. Në përpjekje e sipër të dy taborëve kundërshtarë vëllai vret vëllanë dhe kur merr vesh ç’ka bërë, nxjerr revolverin dhe vret veten. Pastaj shfaqet "Fantazma e Ajkunës" si personifikim i nënës shqiptare nëpër shekuj. Dramaciteti dhe tragjizmi i poemës rritet: përmbi trupat e bijve të vrarë bie edhe mëma e mjerë! Pason pjesa me titull: "Vajtimi i shqiponjës", që shkoqitet me fjalët e vëna në parantezë (që do të vazhdojë edhe mbas luftës). Autori e parandjen se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës do të vazhdojnë dhe pas saj. Shqiponja është simbol i flamurit dhe i atdheut. Ajo lë dhe dy porosi, me anë të të cilave kërkon bashkim e përparim për Shqipërinë dhe përmend Kosovën dhe Çamërinë e robëruar.

 

4. Si epilog

Vepra arti për Hekuran Zhitin

Bashkëqytetarët e Hekuran Zhitit, skulptorët e rinj Arjan Bafa e Altin Paçeli, tani emigrantë, punuan një portret të Hekuran Zhitit qysh në kohën e diktaurës, kur ai ishte braktisur dhe dënuar me harrim.

Kurse skulptori i njohur lushnjar Maksim Bushi realizoi po një portret të tij me rastin e vënies në skenë të poemës-dramatike "Përqafimi i dy kudërshtarëve", në 5 vjetorin e vdekjes së autorit.

Për Hekuranin janë organizuar përkujtimore dhe janë ngritur këngë nga shoqata kulturore "Tomorri", ndërsa në Lushnjë rruga ndanë Kino-Teatrit mban emrin Hekuran Zhiti

Piktori shkodran, profesor Guljelm Mosi me banin në Itali tani, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Hekuran Zhitit, i frymëzuar nga poema "Perqafimi i dy kundërshtarëve", ka realizuar një triptik në vaj, në njërën është Nëna Shqipëri me dy djemtë e saj luftëtarë, partizani me ballistin krah për krah, ashtu siç duhet të ishin, me në sfond flamurin e kuq kombëtar, teksa jepet kushtrimi për liri, por dy vëllezërit i ndau historia a antihistroia.

Në tablonë e dytë Nëna Shqipëri është kryeulur, vajton mbi dy varret në borë të djemve të rënë në luftën vëllavrasëse, kurse shqiponja ka dalë nga flamuri dhe ka ngritur flatrat dëshpërueshëm, edhe qielli i duket i shkretë.

Në tablon e tretë janë Poeti kombëtar Gjergj Fishat me Hekuran Zhitin, ata vërtet janë takuar njëherë në Shkodër, Hekurani ishte student, por piktori i ka dhënë pamjen e tij të mëvonshme dhe duket sikur po i lexon Homerit shqiptar poemën e vëllavrasjes, gjithë pikëllim, në pritje të një mesazhi të ri. Në sfond është dhe busti i Skënderbeut dhe harta e Shqipërisé etnike. Në tryezë janë dy filxhanë të porsapirë. Dëshirojmë të mos ketë qenë kafe e përzishme. Tabloja na kujton dhe thënien e shkrimtarit Nonda Bulka që "Hekuran Zhiti është FishtA i Toskërisë".

Piktorat e Guljelm Mosit janë plot me imagjinë dhe pathos patriotik, që përçojnë me forcë mesazhe paqeje.

E risjellim poemën të ilustruar me triptikun e ri.

Përgatiti Eda AGAJ


 

 

 


Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat

citate
intervista
letra hapura
botime reja
 
 

 
 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .