Gjergj Fishta, (1871-1940) është një
krijues madhështor jo vetëm për
letërsinë shqipe, por është edhe një
personalitet tejet i dalluar për shumë
segmente të jetës sonë kombëtare. Nuk
është tepruar edhe kur është krahasuar
me Homerin, apo Danten, sepse për
letërsinë dhe kulturën tonë kombëtare,
Gjergj Fishta na
paraqitet edhe si Homer edhe si
Dante, pse jo edhe si Gëte e Shiler.
Nga do të studiohet poezia e tij,
arrijmë në përfundim se angazhimi i
Fishtës për kombin, kulturën, për
shqiptarin e Shqipërinë e kohës ishte
preokupim mbi të gjitha preokupimet.
Duke qenë krijues me një kredo
origjinale, një mendje erudite, një
burrë i zakonit, një prift i devotshëm,
i cili kishte gjetur strehë në nderin,
besën dhe cilësitë morale të jetës
tipike, patriarkale shqiptare, Fishta
për asnjë moment nuk iu nda fatit të
kombit e Atdheut, as atëherë kur e
trimëroi dhe e lavdëroi, as atëherë kur
e kritikoi dhe e satirizoi.
Fishta, Mjeda, Naimi, Çajupi, Asdreni,
Migjeni, Noli dhe bashkëkohësit
e tij fatin e tyre jetësor e kishin
lidhur me fatin e shqiptarit, që po
kolovitej në katrahurën e madhe
njerëzore, me fatin e Atdheut, të cilin
po e kafshonin, po e ndanin dhe po e
bënin copë-copë fqinjët grabitqarë me
bekimin e Evropës dhe Rusisë.
Edhe pse prift i besimit katolik, edhe
pse i orientuar me tërë qenien kah
kultura dhe tradita pozitive evropiane,
Fishta në krijimtarinë e tij i mbeti
besnik zërit të kombit e Atdheut, duke
bërë përpjekje për ta mbrojtur nga të
gjithë, sepse edhe ishte sulmuar nga të
gjithë, nga Turqia që po hiqte shpirt,
nga Greqia e cila falë luftës së Ali
Pashë Tepelenës, me ndihmën e Evropës
kishte shpallur pavarësinë, nga Serbia e
cila po dyndej me zjarr e barbari drejt
tokave shqiptare, madje edhe nga
Bullgaria, Mali i Zi, por edhe Italia
përtej detit. Duke parë dhe duke
përjetuar thellë në shpirt këtë
katrahurë që ishte derdhur mbi
shqiptarët, doemos se ai do të
protestonte dhe protestën e tij do t i
hidhte në ballë Evropës, Moskovit,
Stambollit. Duke qenë njohës i thellë i
rrethanave politike, diplomatike e
shoqërore, Fishta ishte i vetëdijshëm se
shtetet e Evropës po e sakrifikonin
Shqipërinë, me qëllim për të kënaqur
orekset e shteteve sllave dhe me qëllim
për ta dënuar një komb të tërë, asokohe
kombin me numrin më të madh të banorëve
në Ballkan, i cili në përpjekjen e tij
për mbijetesë kishte pranuar islamin,
por kurrë pushtimin dhe robërinë turke.
Andaj ai kishte derdhur tërë mllefin e
pezmin, ku tjetër pos te shkaktari
kryesor i katrahurës shqiptare, te
Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës.
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Këto vargje diskrete të zemërimit dhe
pezmit, Fishta i kishte deklamuar si
shqiptar, si pjesëtar i një kombi që po
viktimizohej dhe po sakrifikohej për
interesat e sllavëve dhe grekëve të
Ballkanit. Zemërimi i Fishtës kishte
arritur kulmin kur në vitin 1913, në
Konferencën e Londrës, Eduard
Grei Ministri i Jashtëm i
Mbretërisë së Madhe dhe Kryetar i
Konferencës se Ambasadoreve
të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte
pranuar se paqja e lidhur mes Fuqive të
Mëdha do të peshonte mbi kurriz të
Shqipërisë, dhe përderisa ishte fjala
për paqe, do të sakrifikohej Shqipëria,
meqë ishte shtet më i dobët dhe pa
asnjë aleat të botë. Evropa e asaj kohe
përfillte interesat e veta, ashtu sikur
po përfillë edhe sot Brukseli zyrtar,
duke ia plotësuar Serbisë,
“këlyshëve të Rusisë” të gjitha
kërkesat, duke krijuar edhe një
Republikë të vogël serbe në veri të
Kosovës, me qëllim për ta mbajtur peng
bashkimin e shqiptarëve, edhe 100 vjet
pas Konferencës së Londrës, edhe pas
shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më
17 shkurt 2008.
Gjergj Fishta më së miri e kishte
kuptuar hilenë e Evropës, e cila thirrej
në qytetërimin e saj të lashtë, në
drejtësi e barazi, në të drejta
kombëtare për vetëvendosje. Ai i qorri
maskën Evropës, e cila për të kënaqur
orekset e këlyshëve të Rusisë cariste,
ishte pajtuar që të viktimizoheshin
shqiptarët e Shqipëria. Pezmi i Fishtës
ende gjallon, jo vetëm në vargjet e tij
por gjallon te zemrat dhe mendjet e të
gjithë shqiptarëve liridashës. Po është
klasa politike shqiptare, në Tiranë,
Prishtinë e Shkup, e cila na përkujton
edhe disa “sallahana”
të kohës së Fishtës, të cilët edhe një
qind vjet pas copëtimit të trojeve të
Atdheut mbeten po ata, gjakpirës, rriçna
e ushejza të pangopur.
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t'ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Pezmi i Fishtës ishte drejtuar në të
gjitha anët, sepse edhe trojet shqiptare
ishin sulmuar nga të gjitha anët. Për më
keq edhe më keq shumë nga politikanët,
bajraktarët e fisnorët shqiptarë të
asaj kohe kishin përfituar mbi kurrizin
e Shqipërisë, e cila kishte mbetur në
mëshirë të kohës dhe përderisa të huajt
ia copëtonin tokat dhe ia masakronin
banorët autoktonë, kishte edhe mjaftë
shqiptarë trutharë e tradhtarë që kishin
qitur në treg tokat e Atdheut, si
Esad Pashë Toptani, Ahmet
Zogolli, Cenë Kryeziu
(cernogllaviqi) e të tjerë. Fishta
vajtonte dhe fshikullonte fatin e zi të
shqiptarit i cili ishte degdisur nga të
gjitha anët, atij nuk i kishte mbetur as
gjë në dorë, meqë ishte sulmuar nga
jashtë e nga brenda...
Shka bajnë tash shqyptarёt?....
Han fiq e kastraveca
E pijn’mastikё e qesin petlla n’ujë;
E ngrehen rrugёs e fryhen si
gjeldeca;
E rrin tue kqyrun udhёs ushtarёt e
huej
Pale’a kanё ksulen qyp a se kapelё,
A ka uficiali kalin at apo pelё.
Askush më mirë se Fishta nuk i kishte
identifikuar, akuzuar dhe diskredituar
shkaktarët e vërtetë të humbjes së madhe
të shqiptarëve dhe Shqipërisë, andaj
duke qenë me mish i shpirt i interesuar
për ta nxjerrë Shqipërinë në dritë, ai
doemos se kishte një uzdajë në mos te
Evropa, atëherë te ndonjë shtet i
fuqishëm i saj, sikur ishte Italia
fashiste. Dhe, në atë mendësi politike,
Fishta nuk ishte i vetëm. Duke parë se
bota kishte ndërruar shumë pas pasojave
që sollën luftërat ballkanike dhe Lufta
e Parë botërore, pas Konferencës së
Londrës dhe të Versajës, pas
ngadhënjimit të Revolucionit të Tetorit
në Rusi, Fishta doemos se kishte
përkrahur mbështetjen e Shqipërisë te
një fuqi e kohës, edhe pse ai nuk pati
ndikim politik, as diplomatik, sepse
Fishta kurrë nuk ka qenë zogist, edhe
pse e kishte pushuar luftën kundër tij
ashtu sikur bënë edhe Faik Konica e
shumë emra të tjerë të njohur të kohës.
( Ahmet Qeriqi)
Disa poezi nga opusi krijues i Gjergj
Fishtës
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?
Gomari i Babatasit
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t'ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m'do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me 'i gjysmë setre t'pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me 'i komçë t'njtitme nën grykë:
pantallonat me "gjyslykë"
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t'tanë gordec e berbalec
pa ndo 'i msim, pa ndonji dije,
me 'i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t'gjith njerzisë...
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi "Skandërbeg",
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'"smoking", tash në "bon-jour"
ju, qi dje s'kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m'sahan t'huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m'pash,
edhe besa me "gulash"
me "afishe" e me "sultjash",
me "kjumshtuer" e me "ashurè",
"kosha gjelash" si kubure,
"tarator", "pilaf me kos",
"mish me qepe" e "majdanos"
"shish qebap", "brizholla viçi",
"kunguj t'mbushum", "kuzuici",
"kabuni"- e "mualebi".
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t'Atdheut
kane ra n'luftë si shqipe t'leta,
kanë shkri gja e shpija t'veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n'vend qi ju me u vu n'konop,
a se brinjt m'jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m'ndo 'i prrue
për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo 'i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m'ju si t'ishi ogiça,
për me u pri udhës s'qytetnisë
e me i sjellë t'marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi "shqiptarë" vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo 'i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s'po e gjeni dot,
nën kambë t'cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m'palc,
pleh i ndytë me u bartun n'shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.
Nuk din Shkjau me mbajtë
miqsí!
Por, s' din Shkjau me mbajtë miqsí!
Aman, Zot, kur duel Serdari,
Se ç' kje ndezë Vranina zhari!
Aman, Zot, kur mrrîni Pera,
Se shum krisi atbotë potera!
Por kur rán Shkjét e Vraninës
Shum u krisi plumja shpinës!
Porsi shé, qi m' nji natë gjâmet
Rritet turr e del prej âmet
Tuj ushtue - e tue shkumue,
Shkaperderdhet nper zallina,
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,
N' valë Shqyptarët krejt tue i pershî.
S' lufton ndryshe e rrebtë kulshetra
E me dhâmbë edhè me kthetra,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Kur drangojt t' a kenë rrethue;
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari
Per dhé t' amel, qi i la i Pari:
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,
Tue korrë krena neper Shkjá.
U janë ndezun flakë breshânat,
U kullojn gjak n' dorë tagânat,
E u kullon gjak edhè zêmra,
Veç se vendit s' u lot thêmra.
Por ç' dobí: dielli tue lé
Isht' tue lé m' at ditë per Shkjé! -
I rán ndore Shkjaut t' terbuem
Tridhjetë t' vrám e dhetë t' shituem!...
O ata t' lumt, qi dhane jeten,
O ata t' lumt, qi shkrîne veten,
Qi per Mbret e vend të t' Parve,
Qi per erz e nderë t' Shqyptarve
Derdhen gjakun tuj luftue,
Porsi t' Parët u pa'n punue!
Letë u kjoftë mbí vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Aklli, bora e serotina:
E dér t' kndoje n' mal ndo 'i Zânë,
E dér t' ketë n' dét ujë e rânë,
Dér sá t' shndrisin diell e hânë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N' kângë e n' valle por u kndojshin. |