Filozofi
 
 dhe letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 

...

 

 

Ballina   Poezi e Prozë - Ishte vonë

ISHTE VONË

Muharrem BLAKAJ (tregim)

 

I mallëngjyer dhe me sy të përlotur, disa herë e rrotullova kasetën e magnetofonit nëpër duar. Më në fund, e futa në magnetofon dhe u përqendrova të dëgjoj fjalët e gjyshit tim, që i kishte folur para tridhjetë vitesh. Vetëm pas vdekjes së tij, kisha filluar të ndërgjegjësohesha... por ishte vonë... tepër vonë!...

Sa herë që kthehesha nga shkolla, së pari shkoja në dhomën e gjyshit. E gjeja si gjithmonë, të ulur në cepin e shtratit, i rraskapitur nga dergja e gjatë, i molisur nga kujtime të largëta dhe ashtu i qetë thithte duhan me çibukun i tij i drunjtë, të cilin e kishte skalitur vetë kur kishte qenë i ri. Futesha ngadalë në dhomë. Qetë, që t’mos më diktonte, i afrohesha pranë. Ia rrëmbeja kutinë e duhanit dhe me të shpejtë e mbështillja një cigare sa për vete dhe fët e fët, largohesha pa më diktuar. Gjyshi e kishte vështirë të më diktonte, sepse ishte i verbër dhe nuk dëgjonte mirë!

Kur nëna ia sillte drekën apo darken, duke prekë me dorë mbi tabakë, herë pas here pyeste: „Ç’më solle?“ dhe nëna, qetë-qetë, i tregonte për llojin e ushqimit që ia kishte shtruar.

Në mbrëmje, kur binte muzgu, babi vinte nga puna. Pasi u përshëndeste, ulej në stolin e drunjtë pranë tij. Gjyshi merakosej për punët e përditshme dhe për çdo gjë kishte dëshirë të dinte. Babi nuk përtonte ta informonte për të gjitha që e pyeste ai. Kur në dhomën e gjyshit pllakoste heshtja, ai na thërriste më radhë, dhe ne, ashtu i përgjigjeshim sepse e dinim së në fund do të thoshte: „Asgjë!“

Edhe pse gjyshi im ishte i verbër dhe gjysmë i shurdhër, as sot nuk e di së si më diktonte kur kthehesha nga shkolla. I çuditur e dëgjoja kur me thërriste me zërin e tij të mekur:

– O Rremë, ku je bre bir?… – dhe unë me paudhësitë e mia nuk i përgjigjsha fare. Pastaj, ai i drejtohej nënës: oj Nuse, a ka ardhur Rrema nga shkolla? „Thuaj se nuk jam këtu“ i pëshpëritja nënës të veshi dhe dilja jashtë, kurse nëna detyrohej të gënjente për shkak të paudhësive të mia. Edhe sot më duket se ishte idiotësi e madhe që unë sillesha në atë mënyrë me një plak të moçëm, e aq më tepër kur ai ishte gjyshi im!

Si sot më kujtohet kur unë bashkë me vëllezërit, i rrinim pranë, duke e dëgjuar me vëmendje kur na tregonte për të kaluarën e tij. Sa gjëra të çuditshme na rrëfente! Sa vuajtje, gjakderdhje të tmerrshme kishte përjetuar në rininë e tij të hershme... në ato kohëra kur kishin ndodhur pushtimet e tmerrshme serbe! Tregonte për vrasje, masakra, burgosje, kidnapime. I kishte përjetuar rënd burgosjet e kidnapimet, torturat dhe plagët e rënda mbi trupin e tij të njomë... dhe i kishte parë katilët duke ia vrarë shokët miqtë dhe vëllezërit! Oh, sa tmerr!

Këto i ka bërë Serbia gjatë okupimit të parë, thoshte. Por, kush e besonte? Përjetimet e tij i merrnim si një ëndërr e kaluar, si një ndodhi që nuk do të përsëritej kurrë më. Ai, me zërin e tij të mekur, këmbëngulte në të tijen dhe ishte i sigurt se një ditë të gjitha do të përsëriteshin e ripërsëritshin një për një, madje ndoshta edhe më keq, sepse ata ende nuk i kanë realizuar planet e tyre famëkeqe, thoshte i zemëruar në kryeneçësinë tonë, dhe vazhdonte si me vete: „Mjerë ai që do t’i provojë mbi kurriz të këqijat e tyre... ata janë të pa zemër, të pa shpirt, të pa orë... mos besoni në fjalët e tyre të bukura, sepse, ata janë të pabesë!“

Se si më dukeshin të gjitha këto! Si një gjë e shkuar, e harruar… që nuk mundë të përsëritët më, derisa mendoja së gjyshi im mjekërthinjur, i rënduar nga pesha e viteve dhe e vuajtjeve bashkë, është bërë matuf dhe nuk di se ç’flet. Ndërsa ai vazhdonte të fliste me zërin e tij të mekur për të më mbushur mendjen dhe herë pas here e zgjaste dorën e tij të thatë, të më prekte, për t’u siguruar se unë ende isha aty, pranë tij, dhe po e dëgjoja.

Dhe unë, në vend që t’i merrja këto ashtu siç m’i thoshte gjyshi im, ktheja kokën në anën tjetër, dhe zgërdhihesha, duke e imituar me zë të ulët dhe me gjeste, duke e shtrembëruar gojën si majmun dhe duke e valëvitë dorën në ajër sikurse vepronte ai gjatë tregimit. Këtë e bëja sa herë që isha i disponuar t’i bëja të tjerët të qeshin. Kurse gjyshi im, pasi nuk kishte sy t’i shikonte mbrapshtitë e mia, vazhdonte:

– …dhe pasi na grumbulluan në mullirin e Gjuriqit, filluan nga torturat ç’njerëzore… me hu e mbytën Murat Maksutin, e prenë me thika Arif Avdiun, e shpuan me kosë Istref Muzliun, ia nxorën sytë e pastaj e prenë në fyt Kadri Kamberin, Ramë Rugovën e mbytën me goditje çekiçi në kokë, kurse Ukë Hysenin e mbytën në ujin e mullirit!... pastaj në shtëpi të vetë e vranë Sokol Ramën, Fazli Tahirin…tre meshkuj nga dera e Dakaj… në bjeshkë e vranë Ramë Latifin, plak mbi njëqindvjeçar, Halil Osmanin e pushkatuan…

Tani me vjen turp për këto gjeste, por është tepër vonë. Gjyshi ka kohë që ka vdekur, dhe ato që ai m’i kishte treguar, e që unë, në vend që t`i merrja seriozisht, zgërdhihesha si idiot, më erdhi radha t‘i përjetoj vetë, tamam ashtu siç i kishte përjetuar gjyshi im ndjesë pastë. Tani i besoj, i marr seriozisht fjalët e gjyshit tim, kur m’i kishte thënë në dhomën e tij, duke thithur duhan me çibuk... kurse unë i shkujdesur, kur vinte koha për të shkuar në shkollë, rrëmbeja çantën dhe dilja me vrap në rrugën e pluhurosur, duke e lënë gjyshin të flasë vet me vete në dhomën e tij! Sa keq!... Ecja pas vajzave, duke i shikuar me admirim, dhe nganjëherë iu hidhja ndonjë fjalë dashurie, të cilat të qeshura e të shkujdesura, kthenin kokën prapa duke më nxjerr gjuhën me lazdrim… Kurse tani, sa për ngushëllim, herë pas here i dëgjoj vetëm ato fjalë që kanë ngelur të regjistruara në shiritin e magnetofonit dhe mbushëm më melankoli, kur e mendoj së folësi i tyre nuk jeton më.

Ka shumë kohë që i mendoj momentet e fundit të jetës së tim gjyshi. Disi e ndiej një dhembje mu në mes të kraharorit, dhe më bëhet sikur më ndahet gjoksi në dysh. E kuptoj se kjo nuk është prerje thike, por vrarje e ndërgjegjes, dhe në çast më tingëllon në vesh zëri i tij i venitur, kur unë para se të shkoja në shkollë, i afrohesha shtratit të tim gjyshi dhe e pyesja:

– Ë gjysh, si u gdhive sot?

– Mirë besa, mirë! Me duket se sonte kam fjetur pak... në shkollë po shkon? – me pyeste me zërin e tij të mekur.

– Po gjysh, në shkollë.

– Do të vish për drekë? – me pyeste me gjysmë zëri.

– Po gjysh, patjetër do të vij! – ia epja fjalën, por edhe gjyshi e kuptonte se unë nuk do të kthehesha fare. Sa i bëja dy a tre hapa në hajatin e errët të shtëpisë, me zinte prapë zëri i tij i mekur:

– Mos harro të m’i mbështjellsh cigaret, se gati më janë mbaruar! – Gjente shkak për të siguruar shkuarjen time.

– Do të vij patjetër gjysh! – dhe dilja me vrap në rrugë. Vetëm të mendoja së do të kthehesha në atë dhomë të trishtë, që i vinte një erë e rëndë mplakje e sëmundje, me ngjethej mishtë. – Nëna është në shtëpi. – thirrja që larg, por gjyshi im nuk i dëgjonte këto fjalë.

I lodhur nga s’mundja e gjatë dhe nga pleqëria, gjyshi im me ndërgjegje do të ngushëllohej, sikur të arrinte të ma mbushte mendjen se koha e shkaut nuk kishte kaluar. Sa do të ngushëllohej, sikur unë t’i merrja serioze fjalët e tij, por ah, sa naiv kisha pas qenë! Sa e kam dëshpëruar gjyshin tim me këto paudhësi të mia. I shkreti, nuk kërkonte shumë nga unë! Dëshironte që t’i afrohesha pranë, dhe për pak kohë t’i dëgjoja me vëmendje rrëfimet për vuajtjet e tij, për kohën e turkut, largimin e tyre nga trojet tona dhe sulmet e pa besë të Serbisë, dhe këtë vetëm një copë herë, deri sa ai të lodhej së foluri, e pastaj ai do të më linte të qetë të shkoja atje ku dreqin e kisha ndërmend. Kurse unë, as këtë dëshirë, sa të vogël aq edhe të çiltër e fisnike, me egoizmin tim së isha nip, nuk ia plotësoja.

E kuptoja se gjyshi im mërzitej. Të gjithë shokët e tij moshatarë kishin vdekur. Edhe gjyshja ime e kishte lënë herët. Kishte mbetur i mënjanuar nga vrulli i përditshëm i jetës, i mbyllur në dhomën e tij të trishtë. I lodhur nga pleqëria dhe sëmundja e gjatë, i mbyllur në errësirën e përhershme që e rrethonte nga të gjitha anët, si natën ashtu edhe ditën, kishte dëshirë të ndërronte me dikë ndonjë fjalë dhe më ndërgjegje t’i linte amanetet...

I mbytur në errësirën absolute, i vrarë nga heshtja e vetmisë, herë pas here thërriste me zërin e tij të mekur:

– O Rremë, ku je bre bir?... Eja të gjyshi, të pastë gjyshi... Eja se kam mundim, siklet, që po më ngjitet nga fundi i barkut, fu fu fu përpjetë trupit e po ma çon zemrën peshë... pastaj po mërzitëm shumë, po shkrehem në vaj, sikur t’isha fëmijë!... haj medet haj! – fliste me zë të përvajshëm.

Kjo më dukej një gjë krejtësisht normale tek njerëzit që janë plakur dhe tani duhet t’i numërojnë ditët e fundit të jetës së tyre, e aq më tepër për të verbëritë, që para se t’i mbyllnin sytë përgjithmonë, dëshirën e fundit e kanë që të shohin edhe një herë dritën e kësaj bote.

Këto ishin gafat e mia, që tani kur më kujtohen, nuk gjej ngushëllim.

Gjyshi ka vdekur. Prej tij tani më nuk ka mbetur asgjë, një grumbull dheu mbuluar me bar, dhe rrasa në grykë të varrit e shënuar me një epitaf të shkurtër: „Këtu pushon trupi i M. I. 1888 – 1976.“ Por kockat e tij janë aty ndër varr. Nuk bëzajnë. Nuk më thërrasin dhe nuk më kërkojnë asgjë!

Sa dhembje ndjej kur i kujtoj ato pika të mëdha lotësh të varura në cepat e syve të verbër të gjyshit tim!

…dhe nga magnetofoni jehoj fuqishëm zëri i tim gjyshi… „birooo, shkau nuk ka besë!“

Disi i lehtësuar them më vete:

Po, po! Gjyshi më ka falur! Sepse ai e ka ditur se nipërit janë egoistë, madje më egoistë se sa bijtë…por, nipërit kur të bëhen gjyshër ndërgjegjësohen, dhe kujtimi për fjalët e gjyshit do t’u mbetet testament i përhershëm... dhe do t’ua rrëfejnë nipërve të tyre!

Vrarja e ndërgjegjes më ka mbetur i vetmi ngushëllim!

Ndjesë pastë!


Muharrem Blakaj



 


 
 
     
 

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve|

|Altruizmi-Egoizmi| |Arsimimi| |Art-Dhunti| |Besimi| |Dashuria| |Dashuria (II)| |Dashuria (III)| |Dashuria (IV)| |Dituria| |Drejtësia| |Edukata| |Ëndërrat| |Fëmijët| |Filozofia| |Fjalëbutësia| |Frymëzimi| |Gruaja| |Humori| |Imagjinata| |Inteligjenca| |Jeta| |Lakmia| |Lotët| |Lumturia| |Mali| |Mëdyshja| |Miqësia| |Mosha| |Motivimi| |Muzika| |Natyra| |Ndryshimi| |Nga-fëmijët| |Nga-Vizitorët| |Optimizmi| |Paqa| |Paragjykimi| |Qesëndi| |Rrena| |Skamja| |Vetitë| |Vjedhja| |Xhelozia| |Të-pandara|

 
  © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .