Filozofi
 
 dhe letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 

...

 

 

Ballina   Pozi dhe prozë - Albina Idrizi: MOMENT

MOMENT (poezi)

Albina IDRIZI
 


I.

MOMENT

 

Në pjatë kohe servir veten

Zbukuruar në dekorin e kopshteve 

Që ushqeva me lékurën time

Krojeve që në djersën time shuan etje

Fjalë, buzëqeshje, prekje,...

Çastet ngopen e rriten sakaq 

Në ditë, javë, muaj, vite,...

Përbindësh me barqe zerosh 

Të pambaruara 

Ndërkohë që unë i këndoj 

Vetes nën zë

Ninulën e të vdekurit bukur

Pa e kuptuar 

Nga e kisha mësuar.

 

II.

 

HYJNORE

 

Zot

Ti perëndi

Unë nga gjaku e mishi

Krijuar

Por kam 

Një copë hyjnie dhe unë

Kur lind

Kur fal 

Kur dua

Ti Zot

Unë Grua.

 

III.

 

KUJTIM

( Tim eti )

 

Në pllakën e mermertë

Të varrit tënd

Sot u pashë si në pasqyrë

Unë, grua e martuar

Gëlltitëse pasthirrmash

Që klithin nga trupi, nga sytë

Nënë e duruar

Që me qindra herë

Përplaset, rrëzohet e ngrihet

Në dy fëmijë.

 

Por jo! Në gurin e akullt

Kujtimesh të dërsirë 

U duk ajo - 

Vogëlushja me piptha 

Në flokët e zi

Ulur në prehërin tënd

Si atëherë kur i mësoje

Infinitin në dashuri.

 

IV.

 

UNË TË DUA

 

O qenie e brishtë

Prej njeriu

Që aq ëmbël di t'u hidhërohesh

Gjërave të vogla, të imta të jetës

Kur bijnë mbi ëndrrat tua

Si guralecë rrëshqitës

Shkëmbinjve të lartë

Të cilët nuk kapen dot

Nga shikimi yt

Dhe shpeshherë i trembur

Godet në vend të përqafimit

Kafshon në vend të puthjes

E ik, ik diku larg vetes

Strukur në një fytyrë tjetër

Me ehun e piskamës

Që të tradhëton nga pas

Më të lashtë se sanskrishtja

Unë ,,,gjithsesi, të dua!

 

V.

 

DASHURISË

 

Në kërkim tëndin

Prekim gjithçka 

Më parë se ty

Përplasemi, lëndohemi

Si në errësirë 

Kur kërkojmë dritë

Ndaj, më duaj 

Dhe të verbër, o shpirt

Në mos, ma hiq 

Imazhin tënd nga sytë

Dhe flake tutje, tutje

Andej nga nuk kaloj përditë.

 

VI.

 

ĒNDRRA

 

I dashur, çfarē pa ëndërr

Kur mbrëmë qeshe në gjumë

Lojën që bënim si fëmijë 

Puthjen e parë

Apo vallëzimin e çmendur në shi

E di, ka akoma...

Ma thuaj, cilado të jetë

Çfarë pa ashtu ëndërr

Kur mbrëmë aq ëmbël

Qeshe në gjumë

Veç mos thuaj, të lutem

mos thuaj kurrë -

Se nuk isha unë.

 

VII.

 

VJESHTA

 

Dhe ja ku u takuan

Dhimbjet tona përsëri

Një grua dhe një vjeshtë

Mbuluar në petkun e pjekurisë

Tuat gjëmime struk thellë

Mes ofshamave të mia në gji

E shiut ia kthej fytyrën 

Pa dashur t'ia di

Cilat nga pikat që lagin mallin tim

Pikëllimin e kuqërremtë në ty 

Janë lotët e mij.

 

VIII.

 

THIRRJE NGA BRENDA

 

E kotë të shtiresh

Pjesë e një alegroje të kohës

Kur përbrenda gjithmonë të fton

Një harfë Orfeu

Me miliona vjet drite rrugë:

           Eja

           Vetëm poetët kanë

           Të drejtën e zhbirimit

            Nëpër tejbotë

            Atje, ku arkeologjia e fjalës

            Është aq afër Zotit

            Vetëm ata munden 

            Të flasin me yjet, bimët, shtazët

             Të fluturojnë qiellit pa krahë

             Të kalojnë detra pa u lagur

             Të zbërthejnë enigma perandorësh

             Të këmbejnë mrekulli profetësh

              Të dëgjojnë për çdo natë

              Rrëfimet e Sheherzades

              E t' i përvidhen Kreontit

              Sa herë duan të kalojnë matanë

              Pastaj prapë, si asgjë

              Të kthehen po aty ku janë

              Eja

 

E kotë të shtiresh

Kur përbrenda një pastoraleje shpirti

Ngarkuar me trastën e absurdit mbi shpinë

Gjithmonë ndjek një zë

Pas të cilit, si në përrallë

Mbeten thërrmijat e misterit- 

Cila nga ne është vërtetë gjallë?!

 

IX.

 

PRANVERA ËSHTË GRUA

 

E ndjen 

Gjakun si lëvrin 

Damarëve të tokës

Kur shpupurish ëndrrat

Kujtimeve rrënjë

Për flladin që puth gjethet

Për shiun që lan petalet

Për rrezet që ngjyrosin shikimin

Dhe gjithçka ngjanë

E ngrohtë

E ëmbël

Për të qenë e dashur

Mos u çudit, o Diell

Nëse prapë e sheh duke qeshur

Sikur të mos kishte qarë kurrë

Të flasë

Të këndojë

Të dashurojë

Sikur të mos kishte vdekur kurrë.

 

X.

 

PEISAZH FËMIJËRIE

 

Në krahë malli

Kthehem të shetis peisazhit të vjetër

Varur në vite kujtimesh

I pandryshuar

Me të njëjtat gjëra fëmijërore përreth

Lulet, barin, shkopin magjik të dëshirave lodër

Librin e përrallave më tej

Mbi hulajën e drunjtë mbështetur

Të gjitha, të gjitha po aty

Njësoj ishin

Vetëm unë isha bërë tjetër.

 

XI.

 

PROFECI NJERËZORE

 

Në fillim do të të rrahin erërat e kohës

Nga të gjitha anët (për të cilat ti as nuk di)

Pastaj dielli do përkujdeset të krijojë

Me shqetësimin e ngrohtë mburojë indesh

Për shpirtin tënd që syve të botës derdhet

Dhe gjithkush merr ngjyrë a shije pas qejfit të tij.

 

Asgjë s'do të lënë - gjithëçka do të mbetet.

 

Dhe, kur krater i shpërthimit mbyllet i tëri

E përreth kurreshtja heshtet si bishë e ngopur

Ti do ledhatosh fshehurazi në lëkurë vulën e dhimbjes

Kur e ndjen dhe me ndjenjën e saj rri

I lumtur që përbrenda teje gjallon akoma plaga

E domosdoshmja yte që të bën Njeri.

 

Zgjodhi:Shaban Cakolli




 


 
 
     
 

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve|

|Altruizmi-Egoizmi| |Arsimimi| |Art-Dhunti| |Besimi| |Dashuria| |Dashuria (II)| |Dashuria (III)| |Dashuria (IV)| |Dituria| |Drejtësia| |Edukata| |Ëndërrat| |Fëmijët| |Filozofia| |Fjalëbutësia| |Frymëzimi| |Gruaja| |Humori| |Imagjinata| |Inteligjenca| |Jeta| |Lakmia| |Lotët| |Lumturia| |Mali| |Mëdyshja| |Miqësia| |Mosha| |Motivimi| |Muzika| |Natyra| |Ndryshimi| |Nga-fëmijët| |Nga-Vizitorët| |Optimizmi| |Paqa| |Paragjykimi| |Qesëndi| |Rrena| |Skamja| |Vetitë| |Vjedhja| |Xhelozia| |Të-pandara|

 
  © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .