Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

Ballina Letërsi Filozofi Histori Opinione Intervista Citate Kontakt

 

Portal

   

NJË COPËZ JETE.
Vjollca Tiku Pasku
Tregim

 

 

 

Rrezet e kuqe të diellit binin shtruar në asfaltin e rrugës duke e nxehur tej masës. Nga temperaturat e larta, asfalti ishte bërë i butë dhe në cepat e pashkelura formonte flluska. Gjatë drekës ato fryheshin dhe më pas plasnin duke çliruar atë afsh të nxehtë me erën karakteristike që është mbytëse për frymëmarrjen...Në mesditë, kjo vapë bëhej e padurueshme, sepse të gjitha poret e trupit përthithnin të nxehtin dhe ajri i tharë pa lagështi vështirësonte frymëmarrjen. Vendosëm me bashkëshortin që këto ditë të nxehta t’i kalonim në qytetin tim bregdetar të lindjes. Sapo arritëm aty, unë si përherë shkova për të psonisur tek magazina e madhe e shoqes time të fëmijërisë. U përqafuam me mall, pasi kishim kohë pa u parë. Fytyra e saj ovale e bardhë me flokët e zezë krijonin atë kontrast që quhet bukuri. Sytë që dikur ishin te vëmendshëm edhe në lëvizjen më të lehtë, tani ishin bërë disi të hutuar. Përshëndeta bashkëshortin e saj, një njeri trupgjatë me flokë të dendur gështenjë. Në tëmthat kishte fije te bardha thinje, sikur koha i kujtonte që vitet e tij po kalonin. Gjithmonë zotëronte një energji të paparë dhe përherë krijonte një situatë gazmore. Evelina kishte përqendruar shikimin në një pikë, njësoj si të shikonte një shishe ne det, nga ato që ruanin një mesazh të mbyllur dhe valët e merrnin duke e shtyrë gjithnjë e më larg. ”Ç’mendonte vallë..” Papritur u zgjua nga përgjumja dhe u bashkua me batutat e tij, më pas i tha diçka të shoqit, më kapi prej krahu dhe më tha:
-Hajde të pimë një kafe së bashku. Pranova me kënaqësi. U ulëm në lokalin më të afërt, dhe unë ia nisa:
-Lina të kujtohet kur ishim të vogla, sa herë kishe diçka që të mundonte, ti vrapoje tek unë dhe të dyja e diskutonim së bashku. Tani të shoh të menduar, ti sikur ke një hall. Më duket sikur më ke thirrur me botën e shpirtit për të më thëne diçka... Lina e befasuar, shkundi gjithë turbullimin e grumbulluar me një psherëtimë të zgjatur dhe tha:
-Eshtë e vërtete ne kemi qenë si motra, por edhe tani megjithëse nuk jemi parë shpesh, unë të konsideroj si të tille...
-Njësoj të çmoj edhe unë , për më tepër që më bën pjesë në botën tënde,- i thashë unë duke pritur të vazhdonte shpjegimin e pyetjes sime.
-Ti me kuptove menjëherë,- tha ajo- që diçka nuk shkon. Atëherë po të hap ty zemrën, nuk i kam thënë askujt... Në magazinë rrimë po thuaj nga mëngjesi në darkë. Unë shkëputem me intervale për punët e shtëpisë. Për të lehtësuar punën përdorim kompjuterin. Ti e di që kam mbaruar ekonomikun dhe gjithë hyrjet-daljet e mallit i bëjmë me të. Një ditë hapa faqe në fb dhe në kohën e lirë flisja me shoqet. Një shoqe me prezantoi një kushëririn e saj në fb. E pranova pa dëshirë. Me shumë mirësjellje më tha ”se kishte një biznes të vogël dhe nëse mund të merrte mallra nga magazine jonë”.“ Natyrisht “ iu përgjigja. Kur erdhi më vështronte ngultas , vjedhurazi nga burri im, njësoj sikur të hidhte një rrjete të padukshme për të më zënë rob. Kohë pas kohe u mësova ta marr atë shikim, si një shigjetë të ëmbël që më trazonte diçka brenda meje. Më dukej vetja si preja e një magjistari ndjenjash. Zemra më godiste me forcë, njësoj sikur do më kërcente nga kraharori,dhe mjaftonte ta tërhiqte pakëz, unë do të pranoja çdo vuajtje, apo torturë, mjafton të isha bashkë me të . Që nga ai çast fishekzjarrët shpërthenin në qiell, ndërsa ndjenjat shpërthenin brenda meje dhe purpurima e kuqe më degëzohej faqeve, se ndjeja të më digjnin. Buzët e tij mishtore më ngjallnin dëshirë dhe zëri i tij ishte si një instrument që luante vetëm për mua. Në fillim më dukej një njeri i zakonshëm, pastaj portreti i tij m’u ngrit në qiell. Një ditë burri im kishte vajtur të paguante disa fatura. Këtij i ndritën sytë tek më pa vetëm. Doja të fshihja atë ndjenjë të ëmbël që më provonte ai, por orvatja ime ishte e kotë. I thashë punëtorit tim të ngarkonte artikujt që bleu ai në makinën e tij dhe u tërhoqa për të bërë llogarinë. Ai më erdhi pas në zyrë dhe më tha “Edhe sikur t”i bija kryq e tërthor botës , nuk do gjeja lule më të bukur nga ty për ta kundruar. Je si lulja në mes të shkëmbit të greminës. Kam frikë se kurrë nuk do mund të të arrij”. ”Nuk ke frikë se mos bie në humnerën e thellë “ i thashë unë. “Jo, më frikë kam të vështroj e të ndiej kundërmimin tënd “ më tha . Ai hodhi një hap përpara, si për të bërë kapërcimin mbi shkëmb. Instinkti i vetëmbrojtjes më thoshte ”s’prapsu e marrë, ç’po bën”. Por zemra më fliste: “vetëm një puthje e para dhe e fundit”. Lufta logjik –zemër ndesheshin si dy qenie për jetë a vdekje. Ai e pa ngurrimin tim, më vështroi me sy, sikur do të më përpinte, ndërsa unë doja të humbisja në horizontin enigmatik të tij. Ai më puthi me një puthje të gjate dhe mua m’u duk sikur shpërtheu portën e turpit e të ndrojtjes dhe u hap bota e përjetimit të kënaqësinë. Ndjeja gjakun të më vërshonte në vena i nxehtë, dhe mushkëritë e mia që po thithnin ajrin e tij. Po te mos ishin hapat e punëtorit tim, nuk e di ku do kishim arritur. U tërhoqa menjëherë dhe bëra sikur po vazhdoja llogarinë, duke qenë se po mbytesha në një baticë ndjenjash. Në njërën anë ndihesha e lumtur dhe shikoja ëndrra me sy hapur, sikur isha me të, dhe nga ana tjetër me vriste ndërgjegjja. Njëzetekatër vjet martese po i hidhja poshtë. Dy fëmijët e mi djali njëzetedy vjeç dhe vajza njëzetëvjeçe ç’farë do mendonin për mua. Po bashkëshorti im që më kish mbajtur në pëllëmbë të dorës , zonjë mbi zonja, s’i mund t’i vija shkelmin, kur më tepër nuk dija çfarë mendje kishte ky. “Te lutem Lina, mos më bëj moral, mjaft lufte zhvillohet në shpirtin tim. Do të thosha se lufta me armë nuk është asgjë para luftës së shpirtit.... – më tha ai pas rezistencës sime... Sot është hera e parë që ai me la takim në një motel, në orën gjashtë... Nuk po u besoja veshëve te mi, as syve. Ajo ishte vërtetë Evelina, shoqja ime e fëmijërisë ?... Ajo kishte qenë nga shoqet më e arsyeshmja, më e logjikshmja, njeriu më shpirt mirë dhe më drejte që kisha njohur. Tani vinte një çast ku brenda hutimit të saj fshihte gjithë zjarrin e madh që i ishte ndezur papritur. Një shpirt ku kishte lulëzuar si në një tokë të thatë, për kaq vjet, dhe mjaftoi një shkreptimë e gënjeshtërt për t’i zgjuar dëshirën të provonte stuhinë që i përkiste një territori të huaj. Vitet e kaluara për të po zbeheshin si gjethet e vjeshtës, duke harruar se edhe ajo po shkelte në të njëjtën stinë. Tani ishte ndërmjet qiellit dhe tokës duke harruar se qielli është për zogjtë me krahë dhe toka për njerëzit që mbështeten fort në të.
-Ç’farë pret shko, Lina!– i thashë me një ton provokues.
-Kaq thjeshtë, Lola? -tha ajo me një vështrim dyshues...
-Të gjitha tradhtitë , thjesht ndodhin , -i thashë unë qetësisht.
-Nuk po me ndalon?...
-E përse të ndaloj, nëse ti merr përsipër pasojat dhe të vë kandarin t’i peshosh, ku është vuajtja dhe dhimbja më e madhe. Në njërën anë të kandarit vendos së pari fëmijët, bashkëshortin, gjithë punën, ekonominë tënde, në fund opinionin e botës, lakimin e emrit tënd në çdo rasë, dhe në anën tjetër vendos vetëm ndjenjën tënde, të cilën do ta quaj pasion kalimtar, ku do anojë kandari?.... Por edhe të luash fshehurazi, as mos e mendo, sepse njëherë do kapesh. Ti tani je bërë dhe si e hutuar, rri gjithë kohën në botën tënde. Mos kujto se nuk ke rënë në sy. Jam e bindur se burri yt të ka pyetur shumë herë dhe diç bluan për ty. Nëse njëzetekatër vjet i shumëzon me zero atëherë shko... Në fb shumë njohje virtuale janë kthyer në njohje reale kanë ndarë shume familje… Pa prit, kur erdha u ndesha më një person pak të shkurtër, ai është?
-Po po ai....
-O Zot, një xhuxh një metrosh, të paska katandisur në këtë gjendje?!.... Po a krahasohet burri yt si azgan me një gjysmë hije si ai…Ti ke pasur momente bosh, të plogështa, dhe ato ngacmimet e vështrimet e vogla të janë kthyer në emoni. Sa gra kanë rënë në këtë grackë ndjenjash….i konsumojnë….dhe më pas jetojnë ne depresion, sepse i dashuri kërkon të zbrazet përherë dhe kur do ai , pa pyetur për familje, burrë, apo fëmijë. Ai pasi të të shtijë në dorë me fjalë të mësuara sa andej këtej, sepse këta gjuetare dine mire se çfarë i pëlqen shpirtit të ndjeshëm të një gruaje naive, do vijë të marri shumë artikuj për dyqanin e tij dhe ti do t’ia japësh me çmimin që i ke marrë vet, ose kur gjen rastin pa para. Ky është përfitimi. Një të dashur për pak qejfe të vjedhura dhe para për aq sa mund të shfrytëzojë... Ai familjen e tij nuk e prish kurrë, të njëjtën gjë do të thotë edhe ty. Besoj i ka bërë shumë mire llogaritë... Mos më thuaj se nuk kishe menduar asgjë nga këto që të thashë, dhe hallakatesh vetëm ne lumin e ndjenjave. Hap sytë Lina!... Evelina më vështronte e tmerruar dhe më foli me shpërthim gjoksi:
-Jo , jo, Lola ime, kur njeriu verbohet nuk mendon logjikisht, por rend drejt ëndrrave pa frymë. Duhej patjetër një zë, që të më zgjonte!...
–Atëherë jepi frymëmarrjen logjike ëndrrave të tua, Lina!... Lotët e saj filluan të rridhnin çurk. Ndoshta tani e zgjonin tërësisht nga amullia e mendimeve. U ndamë duke marre dy rrugë te ndryshme, unë për në shtëpi dhe ajo për në punë.


Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat

 

citate
intervista
letra hapura
botime reja

 

 
 
 

 
 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .