Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

Portal 7.8.2014

   

 Tetë poezi nga libri “Stoli në parkun e vjetër”
 
Shkruan:
Adem ZAPLLUZHA

 

 

DIKUSH I VARI MJEGULLAT


 

Unë dhe përhitjet kemi mbetur

Diku në mes të udhës

Vetëm hingëllimat e kuajve

Mund ta zgjojnë natën


 

Më kujtohet balta e fshatit

Ai lloç i gatuar

Me një mjeshtri të paparë

Si mund të buzëqesh kështu njeriu

Kur i përngjanë poçarit


 

Më kujtohet kur deshën ardhacakët

Të na i vjedhin kuajt

Po mos të kishin qenë dizgjinët

Nata do të përfundonte

Diku nëpër honet e trishtimit


 

Ngjau se çka ngjau

Ikën zogjtë

Përhitjet u kthyen në disa ngjyra

Të reshurat s’erdhën si çdo herë

Filloi davaritje e reve

Dikush i vari mjegullat

Për flokët e thinjura të ditës



 

NA PRET AJO UDHË E GJATË



 

Kjo rrugë

Kah jemi duke ecur

Nuk di ku na qon

Nëse kalërojmë sonte

Nuk ka më kthim prapa


 

Do të vrapojmë

Deri sa e zhveshim lëkurën

Pastaj  ndalemi

Nëse gjejmë ndonjë vend

Ku ankorohen anijet

Mund ta lëshojmë spirancën


 

Për kthim

S’kemi kohë të mendojmë

As kokën as duart

S’do t’i kthejmë prapa


 

Na pret ajo udhë e gjatë

Nga e cila nuk ka kthim


 

MALLI



 

Nëse era

Kalon këndej pari rastësisht

Dhe troket në derë

Ngadalë e butësisht

Ti del te çezma

Të të shoh

Edhe një herë

Moj e bukura Erë






 

JAM NË MESIN TUAJ


 

Jam në mesin tuaj

Bisedojmë

Për gjëra të kota

Na interesojnë çmimet e gazetave


 

Kur s’isha këtu

Nuk dija as vetë se ku

I pata harruar duart

Pastaj as që di se

Çfarë keni biseduar

Mos ju ka penguar frymëmarrja

E gjetheve

Ose loti i vesës


 

Diçka nuk është në rregull

Me mjegullat

Megjithëkëtë bie shiu i zi

Nëpër rrugën e bubullimave

Vrapojnë meteorët


 

Jam në mesin e juaj

Ose ju në mesin tim

Nuk po di më

Se çka po ngjanë

Me këto ndryshime atmosferike


 

KURSE KOKA KUNGUJSH


 

S’mund të paramendoj

A jam sot këtu

Apo ishe dje diku tjetër

Mbase nesër

Do të jem

Me vetveten time


 

Kjo mëdyshje

Disi po luan me mua

Si një mace  me miun

Që i ka humbur këmbët në betejë


 

Kudo i lypi duart

Nuk janë askurrkund

Endem

Me xhepa të zbrazëta


 

Asnjë farë kungulli nuk kam

Fushat m’i kanë djegur duart

Kurse koka kungujsh

Përplot rreth meje



 

VETËM TI HIDHE HAPIN E PARË


 

Kemi kohë

Të lozim sonte valsin e parë

Për atë të fundit

Kurrë mos mendo e dashura ime

Sepse fundi

Ose fillimi

Fillojnë që nga ky vend


 

Në udhën tonë nuk ka fund

Fillimi është diku këtu

Pranë këtyre kornizave

Ku fshihen grindjet tona


 

Ose pranë tingujve të fjalëve

Të kësaj muzike të trishtuar

Me duket se ne i harruam

Duart e erës

Në flokët e nuseve


 

Ti do të jesh kryefjala

Në rrugëtimin tonë

Kurse unë kallëzues

Kur bleta kthehet nga kullosa

Fle me  dashurinë e luleve



 

2.


 

Pasi që i jemi kah fundi

S’do të qesim më asnjë hap

Përtej gjumit të luleve

Asgjë nuk ka  më tutje

Atje është fillimi

I çdo fundi që nuk ka mbarim


 

Vazhdoje valsin e dashur

Do të lozim sonte

Për njëqind vitet e ardhshme

Vetëm ti hidhe hapin e parë

Kurse unë atë të fundit


 

LULJA


 

Të kujtohet

Kur në pushimet verore

Mblidhnim kërpudha

E shiu na i lagëte flokët

Deri në asht


 

E unë t’u bëja ombrellë

Ti e dashura ime

Shkulje nga zemra e tokës

Më të bukurën lule

Në kujtesë

Për ta mbjellë


 

TA MBJELLIM ATËHERË ASHTIN TONË


 

Duhet të mbjellim disa fjalë

Jo për ne

Por për ata të tjerë

Që nesër ose pasnesër

Do të vijnë pas nesh


 

Nuk është me rëndësi kur

Ata janë nisur

Domosdo do të vijnë

Do të kenë kohë të takohen

Nëse jo me ne

Atëherë me eshtrat tona


 

Nuk jemi kot poetë

Ka një dhunti në shpirtin tonë

Ta lëmë një pjesë të poezisë

Nëpër këto faqe gazetash

Ose në brendinë e ndonjë libri


 

Mos të udhëtojmë kot

Edhe pas shkuarjes

Do të ekzistoj një lidhje

Që shkon deri aty

Ku nuk këputet peri


 

Nëse nuk jemi në gjendje

Të mbjellim asnjë fjalë

Atëherë ta mbjellim ashtin tonë

Poet të dashur

Ashtin tonë

Me mbishkrimin e atdheut

Filozofi
 
dhe
letërsi
 

 

 

 

histori
tradita
vështrime
debat

 

 

 

 

citate
intervista
letra hapura
botime reja
 

 

 

 

 
 
 

Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve| |"Xhevahire" nga Reis Mirdita|

Altruizmi-Egoizmi Dashuria Edukata Gruaja Mali Natyra Qesëndi
Arsimimi Dashuria (II) Ëndërrat Humori Mëdyshja Ndryshimi Rrena
Art-Dhunti Dashuria (III) Fëmijët Imagjinata Miqësia Nga-fëmijët Skamja
Besimi Dashuria (IV) Filozofia Inteligjenca Mosha Nga-Vizitorët Vetitë
  Dituria Fjalëbutësia Jeta Motivimi Optimizmi Vjedhja
  Drejtësia Frymëzimi Lakmia Muzika Paqa Xhelozia
      Lotët   Paragjykimi Të-pandara
      Lumturia      
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .