Këtë mbrëmje nata është veshur me
fustan argjendi dhe në kapelen e saj vezullojnë
dritat e yjeve të kuq. Së bashku me motrën u ulëm në
verandën e shtëpisë sime, të shijonim këtë peizazh
nate vere. Papritur ajo më tha ;
-Qielli është i mbushur me yje e shkëlqejnë sikur të
jenë lyer me një të kuq magjik. Thonë që njerëzit
kur vdesin shndërrohen në yje! A duhet të jetë e
vërtetë..?
-Ti e di që meditimi është çelësi që hap çdo lloj
porte, dhe u ngjita njëherë tek ata….. por nuk dua
të shkoj asnjëherë…. - i thashë unë.
- Pse, të lutem më trego- vazhdoi motra ime. Atëherë
nisa të tregoja:
-Nën vegimin e mbyllur të syve, distanca e dritës
yjore me mua është gjatësia e një ndjenje që më
pushtoi. Doja të isha një pelegrine e qiellit,ushqyer
me dëshirën të darkoj bashkë më yjet. Enigma e
misterit yjor më mbështjelli në shtjellë ajrore dhe
më tërhoqi lartë. Ndjeva frikë dhe kuriozitet për të
depërtuar në botën e yjeve. Ndihesha si një fjollë e
zjarrtë dhe fillova të ndjej fjalët dhe ndjenjat e
tyre, si zhurma e zjarrit kur ndizet dhe flet me
gjuhën e tij përvëluese. Heshtjen e theu një yll i
vogël. “-Sot në një vend të vogël të quajtur
Shqipëri, rrethuar me skela vargmalesh,me liqene dhe
dete, pashë një lypës me nofulla të deformuara me
blana të errëta. M’u duk si një muzg i uritur i
mbështjellë nga rrjeta e reve të zeza. Ai ra në tokë
i munduar nga jeta dhe bota indiferente, Njerëzit e
përgjumur kalonin sikur nuk e shihnin, -foli ylli me
gjuhën e zjarrit.
-Të gjithë sytë yjorë u derdhën në kërkim të njeriut
në tokë, dhe rënkuan kur e panë pa jetë.
“ -Eh -psherëtiu një tjetër, dashuria brenda
shpirtit të njeriut ka mërguar,duke u zëvendësuar me
qënësinë bosh të indiferencës. Një yll tjetër
murmuriti; “-Në këtë vend të vogël të magjepsur, të
verbërve u thuhet, ç’sy të bukur që ke, injorantit
je i zgjuar, të korruptuarit, je i shkathët, dhe
njeriut me shpirt te vdekur, të rrosh sa malet. Të
gjithë lëshonin tym të zi nga fryma e zjarrtë njësoj
si të visheshin me rrobat e zeza mortore. Ylli që
merrej me listën e vrasjeve, kishte mbledhur cepat e
dhimbjes, dhe lëshonte ngashërima yjore. Në qepallat
e zjarrta, midis të tjerave ishte fragmentuar një
skenë terrori. Disa plumba, kishin thyer pasqyrën e
diellit dhe kishin copëtuar kraharorin e një njeriu
me urdhrin e ” të madhit”. Skena të tjera ,
ekzekutimesh me snajper, pistoletë, automatikë, me
bomba të telekomanduara, ruheshin të shkruara në
librat qiellorë me gërma të ndezura gjaku, që nuk
thaheshin kurrë e më pas fillonin emrat e të gjitha
jetëve që kishin kryer vetëvrasje. Mbretëria
legjitime e vuajtjes pushtonte yjet sa herë këputej
filli i një jete. Nuk e dija që yjet e stërmëdhenj
të vuanin brenda flakës së zjarrit, dhe ngjyra e
tyre zbehej pak nga pak. Shpesh herë nga trishtimi u
rridhnin lotë të errët flake. Papritur turma
embrionesh yjore, që listoheshin si “të përndjekur”
u mblodhën si farëza yjore duke folur me sinjalet e
lëvizjes, njësoj si në barkun e nënës. Ato fije të
vogla flakëzash ngjyrë zjarri të trishtuar, u
ngjitën me tyl drite, sepse ishin prerë në mitër,
dhe u varën... Rrjedha e zjarrit në dellin e
embrioneve shuhej e ndizej për të honepsur mendimin
yjor, se tani do të kishin jetë yjore, pa provuar
jetën tokësore. Ylli i aborteve, me listën në
miliarda vjet, duke ndier dhimbjen e thellë të
embrioneve fiku dritën e kuqe dhe ra. Ai u shndërrua
në një yll të bardhë. Zemra ime u copëtua. Peshën e
dhimbjes dhe të barbarisë njerëzore, nuk e mbajti më,
as ylli i zjarrtë. Ndoshta prandaj qielli është një
hapësirë pa kufi, sepse dhimbja ka peshë të rëndë….Ylli
i bardhë u afrua pranë tokës dhe u quajt ylli i
shpresës. Ai do të ishte më pranë zemrave njerëzore,
që të mund të kufizonte dhimbjen e jetës.
Teksa vazhdoja tregimin e ngjarjes, sytë e motrës
sime ishin bërë të lagësht e rridhnin si një ujëvarë
e kripur.
- Të kuptoj motër, dhimbjet që shkaktojë njerëzit
janë pa peshë dhe pa masë, -tha ajo, duke vështruar
trishtueshëm qiellin.
- Ah sikur të mundja, - i thashë unë,- të shkruaja
me gërma të zjarrta në qiell: “Jeta është e bukur
për të gjithë, mjafton të vështrojmë zgjimin e
rruazave të bardha të dritës në agim"