Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 
Poezi -  <1 - 2 - 3

 

Pesë poezi nga libri “Sytë e gurtë të erës”
 
 
të poetit Adem Zaplluzha
 
 
C:\Users\Adem Zaplluzha\Desktop\Adem-Zaplluzha.png

 

 

 

VETËM NJËHERË NË JETË
 

O etja ime e madhe

Sa më dhemb shpirti

Kur nuk të ndjej

Nën thundrat e ditës

Dy zogj pretar

Ëndërrojnë hënën lakuriqe


 

Shirat nuk erdhën mbrëmë

Te majat e plepave

Zgjohen trishtimet

Si mund  t’i ndali këto pak fjalë

Të mos i vrasin arkivolet


 

Dy zogj si dy njerëz të rritur

Bisedojnë

Për disa ëndrra klandestine

Vetëm një herë në jetë

Shirat kanë të drejtë të flasin me drurët

Për prejardhjen e frikës


 

Vetëm njëherë në jetë

Zogjtë e ikur të vendlindjes

Fluturojnë hapësirave

Për t’u ballafaquar me lisat

Dhe arkivolet që dënesin te varret



NJË PALË DIZGJIN TË VJETËR


 

Kuptoni miqtë e mi

Ende nuk qenkan ndalur krakëllimat

As të trokiturat e hijeve

Te portat e vegimeve


 

Në mendjen e erës

Një ëndërr rri pa gjumë

Kurse troku i kalit të egër

Me shekuj nuk ndalet  në këto troje


 

Nuset dalin te çezma

Për t’i mbledhur copëzat e shtambave

Era i theu mbrëmë

Duart e lodhura të mjegullave


 

Një palë dizgjin të vjetër

Qeshin në bejlegun e trishtimit

Kuajt e drunjtë menatë

Fshehurazi hynë nëpër portat e hekurta


 

Degët e thara të mushmollës

Me nostalgji shikojnë lindjen e diellit

Kurse diku në perëndim

Asnjëherë nuk pushuan daullet


 

KY BALSAM I TEJDUKSHËM


 

Mbrëmë kuptova

Se duart e mia vetmonin

Diku te përgjumja e baladave

Një serenatë e fjetur me vite

Në kreshtat e këndesit

E zgjoi mëngjesin e lodhur


 

Qante era me ngashërim

Diku te një arkivol i hapur

Qanin edhe akaciet

Në shpirtin e vrarë të erës

Derdhej një grusht lot prej luleve


 

Ky balsam i tejdukshëm

Që pikon në trurin tim

Mbase i shëron

Trishtimet e gjelbërimit

Një hënë e zhveshur te kiçi i anijes

I ushqen shpresat e pulëbardhave


 

Kjo kohë e ndrydhur dhe e shtrydhur

Për çdo ditë i mpreh dhëmbët

Një qyqe e zezë

Nga majat e bjeshkëve  të mira

I thërret shirat


 

ME KUKULLAT E VITRINAVE BLU


 

Mos më thuaj

Asnjëherë mos provo të thuash

Se heshtja e jote

Bisedon si stërkalat e shiut

Dimrat në qytetin tonë

Përherë i përngjajnë Lumëbardhit


 

Sa herë që dalin vashat në qytet

Pashmangshëm krahasohen

Me kukullat e vitrinave blu

Netët këtu janë të gjata

U përngjajnë atyre netëve

Që s’duhet t’i përmendim asnjëherë


 

Ju nuk do të më kuptoni

Se si nga rrënjët e zambakëve

Zgjohen baladat e përgjumura

Por ato edhe ashtu kurrë nuk flenë

Në djepin e gurtë të kujtesës


 

Ju kam folur edhe më parë

Për xhelozin e dallgëve të ujit

Sa herë që hidhërohen ato

Sa ora qohen peshë

Dhe bashkohen me shpirtrat e etërve

                      

MOS M’I MBYLLNI SYTË


 

Kur një ditë do të më vendosni

Në arkivol të akullt

Ju lutem

Mos m’i mbyllni sytë

Dua të shoh

Se si rritet atdheu im


 

Unë nuk pata fëmijëri

Më kujtohet vetëm kukulla e motrës

Me të cilën luaja fshehurazi

Kur të gjithë flinin


 

Më përqeshnin

Kur e shikoja këmishën e portokalltë

Dhe sandalet e kuqe

Me këmbë të drunjta


 

Më thoshin se djemtë  

Nuk duhet të lozin kukullash

Por unë nuk e qaja kokën  

Për askënd


 

Asnjëherë nuk më kanë bezdisur

Fjalët e të tjerëve

I doja kukullat po aq shumë sa e doja

Edhe pushkën e babait


2.


 

Kisha një ndjenjë

Se edhe lufta është loja e të rriturve


 

Atë çast

Kur m’i drejtoni këmbët

Ju lutem

Lëreni një vërrimë

Në arkivolin tim të kaltër


 

Dua ta shoh mugullimin e gjelbërimit

Dhe zogjtë kah fluturojnë

Prej një dege në tjetrën degë

Se përndryshe

Si mund të rritet atdheu


 

Mbase nuk jam duke kërkua

Të pamundurën prej jush

Vetëm sytë mos m’i mbyllni

S’keni nevojë të shkruani

Asnjë epitaf te varri im


 

Nuk është me rëndësi

Se kush prehet

Në atë copë toke të atdheut

Me arkivol të hapur


 

O ju lutem

Vetëm sytë mos m’i mbyllni

Me lëni ta shoh vendin tim

Se si rritet e përtëritet

Në ashtin e tokës mëmë

Filozofi
 
dhe
letërsi
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

histori
tradita
vështrime
debat

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

citate
intervista
letra hapura
botime reja
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


     
     

 

     
Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve|

|Altruizmi-Egoizmi| |Arsimimi| |Art-Dhunti| |Besimi| |Dashuria| |Dashuria (II)| |Dashuria (III)| |Dashuria (IV)| |Dituria| |Drejtësia| |Edukata| |Ëndërrat| |Fëmijët| |Filozofia| |Fjalëbutësia| |Frymëzimi| |Gruaja| |Humori| |Imagjinata| |Inteligjenca| |Jeta| |Lakmia| |Lotët| |Lumturia| |Mali| |Mëdyshja| |Miqësia| |Mosha| |Motivimi| |Muzika| |Natyra| |Ndryshimi| |Nga-fëmijët| |Nga-Vizitorët| |Optimizmi| |Paqa| |Paragjykimi| |Qesëndi| |Rrena| |Skamja| |Vetitë| |Vjedhja| |Xhelozia| |Të-pandara|

 
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .