
Hapëroj ngadalë
në kopshtin e Edenit. Një kopësht i
rrethuar me mure të padukshëm. Aty
ka shumë pemë, frytet e të cilave
prodhojnë dritë, disa duken aq te
bukura sa të fusin në ngasje për t’i
prekur. Shumë pyetje lindin në kokën
time. “Përse e shoh këtë kopësht..?
Përse kam frikë..? Ky është kopshti
i famshëm i Evës dhe Adamit..? Këtu
ndodhet akoma pema e ndaluar…?
Rrugët shtrohen si pentagrame drejt
meje. Tinguj të padëgjuar më
shoqërojnë. Ngjyrat e dritave
alternojnë njëra-tjetrën. Kam
ndjesinë sikur dy sy më shohin.”Mos
vallë është frika ime që avancon,
dehur nga kjo mrekulli e paparë?!...Oh,pema
me frytet e gëzimit. Frytet e saj
hapeshin vezulluese, si vallëzimi i
xixëllonjave në fushë. Stolisen me
tokë, qiell,e hidhen përpjetë si
zemra fëmije. Ndiznin çaste të
lumtura, që ruheshin përgjithmonë në
kujtesë, si ngjyrat ylberike në
kanavacën e pikturës. Sa mundime e
vuajtje kishe, të ngjiteshe në
errësirën e natës për ti këputur në
agim. Pema e dashurisë së vërtetë…Shumë
fryte shtireshin të tilla..por duhej
të gjeje të vërtetën, nuk duhej të
lodheshe ta kërkoje, por vetëm të
ndjeje. Nëse emocionet formonin yje,
dhe flatrat e erës të mbështillnin
me ngrohtësi të kuqe shpirtin, vetëm
atëhere bota jote, do të hapte velin
magjik të paparë, të pandjerë
ndonjëherë. Zemra dridhet dhe këto
dridhje prodhojnë nxehtësi, që të
mbajnë ngrohtë një jetë të tërë.
Frytet e saj janë bekuar nga
shenjtorët e dashurisë. Pema e
hidhërimit gjendej kudo. Ato të
dilnin përpara, në procesionin e
jetës, duke u lënë shijen e helmuar
të gjithëve sa kalonin pranë. Mund
të luftoje me dituri, përvojë, dhe
me fenerin e besimit, që ato mos të
helmonin. Pema e ndaluar lëshonte
reflekset e rreme të lumturisë më të
madhe në jetë. Të tërhiqte me një
joshje të madhe, lëshonte një pasion
dëshire të nxehtë në zemër, dhe
dashuria, pasuria, lavdia e ndaluar
vraponin drejt teje e të përpinin.
Në këtë ekstazë, ekuivalent i
mëkatit, njeriu vazhdon të thithë
kënaqësitë pa menduar prologun e
romanit të jetës. Mendimet
rrëshqasin si gjarpri rreth gushës,
duke të injektuar helmin e sinjaleve
të kënaqësisë, dhe veshi bëhet i
shurdhër kur e thërret ndërgjegjja,
derisa drita e saj fiket dhe nuk
egziston më. Shpirti është një
fjollë drite, e cila mund të rritet,
zvogëlohet apo të shuhet, në varësi
të njeriut. Vallë kjo është pema që
tundoi Evën për mëkatin e saj…!?
Pema më e tejdukshme është ajo e
ndërgjegjes. Ajo është e plazmuar te
çdo njeri. Mendimet transparente,
kur bën mire apo keq , janë njësoj
si të shihesh në pasqyrë. A nuk
është jeta një kopësht Edeni..?
|