
Në
heshtje ndjej zhurmën
karakteristike të dheut
që bie sipër trupit tim,
teksa kam ndjesinë e
zhurmës së zogut brenda
në vezë, që thyen
koracën për të fluturuar
i lire drejtë jetës së
re. Kështu u ndjeva dhe
unë, një qenie e lire që
fluturon pa krahë në
hapësirë, kur theva
lëvozhgën e botës.
Vuajtja dhe dëshpërimi
dukeshin sikur i ndante
honi i botëve. Në këtë
gjendje si eksploratore
e re, vëreja se shpirti
im ishte si qiell dhe
qielli si shpirt. Në
tokë veshja e ajrit i
referohej gjendjeve të
natyrës, ndërsa këtu
hapësira veshur me dritë,
qesh me flatra gëzimi.
Yjet vijnë përpara
vështrimit tim. Planete
të fildishta me valët e
frymëzimit të ëndrrave.
Brenda në to ishte
guximi , forca , kuraja,
për të ecur përpara.
Ndërsa pigmenti i
shpresës ishte i lidhur
me një burim të lartë
hyjnor. Sa më shumë
këmbëngulte njeriu aq më
shumë rritej ylli i tij.
Disa njerëz i preknin në
jetë, ndaj edhe këta
njerëz quheshin yje. Por
jo çdo yll toke ishte
kuqëlim i qiellit…Koha
është pa kalendar. Dje,
sot, nesër, është një.
Kujtesa ime është sikur
çdo ngjarje e jetës
ndodh tani. Çdo
buzëqeshje,apo gëzim në
jetë vishte çastet me
jelekët e imazheve.,
ndërsa të gjitha
dhimbjet ishin bërë hi
dhe shndërruar në pluhur
të artë hëne. Shikimi im
kap Diellin e nxehtë nga
fryma e të dashuruarve
të tokës dhe hënën që
shkëlqen argjendin e
retinave të tyre. Ulem
në harkun e horizontit
dhe mbledh të gjitha
vështrimet largpamëse
njerëzore që depërtojnë
si farat e mendimeve që
dikur do bëhen projektet
më të bukura në tokë.
Një imazh engjëllor ma
bën me shenjë të shoh në
krahun e kundërt ku isha
ulur. Ishte si të ishin
dy skena, e mendimeve
dhe e realizimeve. Pikat
e djersës ishin si pika
magjike në ritmikën e
shpikjeve , ndërsa
këmbëngulja ishte si një
flurudhë deri në udhën e
suksesit. Megjithëse
ndjesitë e mia ishte si
të fluturoja mbi oqeanin
e lotëve të gëzimit, në
velat e petaleve të lule
zemrës me erë lumturie,
dashuria për tokën më
tërheq tek planeti i
vogël, ku mbizotëronin
drita e bardhë ,
gjelbërimi dhe kaltërsia.
Dita ruan pavdekësinë e
emrit plot dritë,ndërsa
nata fshin emrat që nuk
e fitojnë këtë rezidencë
parajsore... Këtu pranë
ndodhet olimpi i
engjëjve. Mbi të gjithë
shquhej një engjëll që
sa herë buzëqeshte me sy,
drita e tij përhapej mbi
tokë, quhet engjëll
Agimi...Për ata vërtet
nuk ka kufi hapësira e
tyre tokë-qiell. Mendova
se në ç’pjesë të tokës
do gjendeshim. ”
Shpejtësi engjëjsh”.
-Oh, e qara e një
foshnje të porsalindur
ndezi një dritë jete.
Sytë e engjëllit
shtrojnë velin e
dashurisë në shtrojën e
krevatit. Nuk e dija se
kur lind një foshnjë, së
pari puthet nga një
engjëll. Ndoshta është
shpresë e tokës. Gjuha e
engjëjve është qetësia
shumëngjyrëshe, ku
ndizeshin dhe
rindizeshin mendimet e
bukura. Engjëlli i
pranverës luante muzikën
e gëzimit. Çdo prekje
çelte lule toke, dhe
pranvera ndizte ngjyrat
dhe nuancat e saj. Ndaj
ku ka muzikë,ka gëzim,
ka pranverë. Një engjëll
tjetër ishte i bardhë,
por pa dritë, sepse
drita e tij shuhej
vazhdimisht nga lotët e
njerëzve. E qara e tij
ishte si e qara e detit,
ku një pikëz lot ngrinte
një dallgë të madhe dhe
përthithej po nga deti.
Ai shkonte menjëherë
pranë zemrave që vuanin
dhe inkurajonte të tjerë
të ndodheshin sa më
pranë njeriut të rrëzuar.
Ndaj në vuajtjet e mëdha
askush nuk është vetëm,
përherë ka një engjëll
të padukshëm…i cili ndez
qiririn e shpresës.
Shpirti im ndihej i
stolisur . Sapo kishin
filluar të më dilnin
krahët e engjëllit. Thua
të bëhem engjëll?!...
Nuk e di, është më e
vështirë të jesh njeri
apo... engjëll…? Shpesh
ngremë sytë nga qielli
dhe mendojmë se parajsa
ndodhet atje… kur në të
vërtetë engjëjt e
parajsës janë gjithmonë
këtu në tokë.