Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 

 

 

Poezi/Prozë - Katër poezi nga Adem Zaplluzha

MBI LIBRIN E SHENJTË TË FISHTËS

Poezi nga:

Adem Zaplluzha

 


 

 


MBI LIBRIN E SHENJTË TË FISHTËS

 

Përpara meje

Ecin rrugët pa kurrfarë trajte

Era në dorën e saj të thyer

Si për inati

E mbanë kafkën time të djegur

 

Përpara meje

Atje te shelgjishtet e pikëlluara

Me tërë dhembjen e ditës

Po qan

Një zog i zi prej argjile

Ku Fishta

Si rruzaret e fatit i rendit këngët

 

Kur bie shi në këto anë

Çmendurish bymehen lumenjtë

lagjet i harrojnë këpucët

Dhe vrapojnë këmbëzbathur

Vrapojnë deri te kisha

Sepse një i harruar mali

Ia ka nis këngës” Ave Maria”

 

Këndojnë edhe përrenjtë

Piskamat e trishtuara dëgjohen

Si në kullën e Vraninës

S’pushojnë së kënduar

As shtojzovallet

 

Thonë se është koha të zbresin yjet

Dhe të këndojnë

Mbi librin e shenjtë të Fishtës

Po atë këngë

Që i këndonte Gjergji i jonë

Kur si një daulle shqyhej Atdheu!


 

ZJARRI I MALLIT TIM

Nuk do të ndalemi askund,

E vetmja mënyrë se si të jetojmë vertikalisht

Është lëvizja,

Deri te ëndrra që kurrë nuk e pamë.

 

Në jemi për çdo ditë

Në rrugëtim e sipër nëpër një trajektore,

Ku asnjëherë nuk na mundon vetmia,

E kemi fshehur mallin tim nëpër xhepa.

 

Lisat në mëhallë

Na përngjajnë si asnjëherë më parë,

Me varret e vjetra të gjyshërve,

Që na kanë mbetur peng nga fëmijëria...

 

Më kuptoni, ky rrugëtim i jonë

Nuk ka filluar sot

As, s’ka të ndalur asnjëherë,

Si fëmijë, i kemi shlyer të gjitha pengesat.

 

Kudo që të shkojmë, në trastën tonë

Kemi një grusht dhe nga atdheu i largët,

Kur na përvëlon malli i përqafojmë lisat,
Dhe çmallemi si kërthi në prehrin e nënës!

 

ME NE JANË DRURËT HALOR

 

Sonte duhet të pezullohen mëkatet

Nuk kemi kohë

Të ecim nëpër mjegull

Eja ulu këtu

Kjo sofër ka bukë për çdo kë

 

Do pimë nga një gotë nga kujtesa

Le të derdhen gjymat nëpër shpirtin e erës

Ky rrap është dëshmitar i zogjve

Që fluturuan tejpërtejmes

Është pengu i një balada

Që ka zënë të zgjohet

 

Mbushe atë gjym miku im

Mbushe siç e mbushnim dikur

Në kohën e Adoleshencës

 

Do dehemi sonte si drurët e atdheut

Do pimë për shëndetin e lirisë

Do e qojmë dollinë e Parë

Pas dymijë vjetëve të amullisë

 

Nuk jemi vetëm

Me ne janë gjethet e njoma

Që askurrë nuk u fishkën
Nga trishtimet e krakëllimave

 

Me ne është

Edhe kjo natë lozonjare

Që dinë aq bukur të luaj

Një lojë arkaike të xixëllonjave

 

Me ne janë drurët halor

Nga shpirti i të cilëve

Si rrëshira buron
Kjo freski që zbret nga malet
 

 

BINTE EDHE NGA PAK SHI

 

Mbrëmë zuri të frynte

Një tjetër lloj ere

Ishte pak e ngurtë e më shumë e lëngtë

Era që i trazonte deri në skajshmëri

Gjethet e fishkur të plepave

 

I tërë qyteti kishte dalë nëpër rrugë

Njerëzit bënin sehir

Me rrënjët e zhveshura

Që qeshnin në syprinë

 

Lëviznin mjegullat në trajta të ngurta

Dridheshin qepenat e mbyllur

Thua se kishte hyrë makthi

Në shpirtin e njerëzve

Një frikë e tejdukshme

Derdhej në shtambat e mbushura me verë

 

Kalldrëmet i fshihnin shikimet e zymta

Binte edhe nga pak shi

Një lloj shiu

As i ngurtë e as i lëngtë

I cili i thyente xhamat e brymta të pemëve

Kur deri në asht zhvisheshin degët

 

2

 

Mbrëmë frynte një erë e çmendur

Nëpër vetmin e rrugicave

Furtuna i ndiqte të lehurat e natës

I ndiqte rrënjët e pemëve

Nga çatitë melankolike të heshtjes

Pikonin format dyshimta të stinës

 

Mbrëmë po edhe sot

Nuk paskan të ndalur këto erëra

Po frynë nëpër lëkurin time të regjur

Si në dimrat e zeza

Po frynë erërat e liga nëpër qytetin tim

 

 


Filozofi
 
dhe
letërsi

 

histori
tradita
vështrime
debat

 


citate
intervista
letra hapura
botime reja

 

 
 

     
Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve|

|Altruizmi-Egoizmi| |Arsimimi| |Art-Dhunti| |Besimi| |Dashuria| |Dashuria (II)| |Dashuria (III)| |Dashuria (IV)| |Dituria| |Drejtësia| |Edukata| |Ëndërrat| |Fëmijët| |Filozofia| |Fjalëbutësia| |Frymëzimi| |Gruaja| |Humori| |Imagjinata| |Inteligjenca| |Jeta| |Lakmia| |Lotët| |Lumturia| |Mali| |Mëdyshja| |Miqësia| |Mosha| |Motivimi| |Muzika| |Natyra| |Ndryshimi| |Nga-fëmijët| |Nga-Vizitorët| |Optimizmi| |Paqa| |Paragjykimi| |Qesëndi| |Rrena| |Skamja| |Vetitë| |Vjedhja| |Xhelozia| |Të-pandara|

 
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .