Filozofi
     dhe
letërsi

__histori kombëtare, vështrime, debat__

 

 

 


.....

 

 

 

Portal - Popullariteti dhe pasojat e tij: Rrena që zgjati gjysmë shekulli

Popullariteti dhe pasojat e tij: Rrena që zgjati gjysmë shekulli

Shkruan:Shaban CAKOLLI

 


Po të vdisja , pa ua treguar një rrenë që ka të bëjë me popullaritetin tim prej këngëtari popullor dhe që zgjati hiq më pak se gati një gjysmë shekulli , më duket se as dheu i varrit tim nuk do të më linte të qetë, mu sikurse që nuk më lanë të qetë për së gjalli gjatë gjithë karrierës sime , disa shpirtkëqij , zemërzi , shpifarakë dhe ndjellakeq anonim , që fatkeqësisht janë bashkëpjesëtarë të kombit tim !

Rrena , propaganda dhe shpifja më e madhe që më është bërë gjatë karrierës sime prej këngëtari popullor , ka të bëjë drejtpërsëdrejti me interpretimin dhe publikimin tim , të këngës popullore me titull : “Kënga e Zejnës” , të cilën e kam incizuar qysh në vitin 1970, në Produksionin e disqeve të gramafonit “Beograd disk” në Beograd .

Por, para se të kalojmë tek shpifjet dhe propaganda rreth kësaj kënge , do të ndalem pakëz tek historiku i kësaj kënge :

Ishte viti shkollor 1959/60, kur unë isha nxënës i klasës së –III-të fillore në fshatin tim të lindjes – Tugjec , që i takon Malësisë së Gollakut dhe administrohet nga Komuna e Kamenicës .

Pos mësimit të rregullt dhe aktiviteteve tjera shkollore , talenti dhe dashuria ime e madhe ndaj këngës dhe muzikës , shumë shpejtë i ra në vesh mësuesit tim të klasës, por edhe mësuesve tjerë dhe nxënësve të shkollës sonë .

Nuk kalonte asnjë orë e edukatës muzikore e të mos më shtynte mësuesi im, që ta këndoj ndonjë këngë para shokëve dhe shoqeve të klasës sime . Por, jo rrallë, së bashku me mua , më shoqëronin në këndim edhe dy kushërinj , me të cilët kryesisht e kalonim bashkë jetën baritore duke kënduar së bashku .Ata ishin Qamil Ibrahim Krasniqi dhe Fehmi Bafti Krasniqi .

Ditë pas ditësh , mësuesi ynë , na e solli një këngë të re , të cilën e kishte sjellë në shkollë mësuesi veteran – Ismajl Doda , nga fshati Sfircë , i cili edhe punonte në shkollën tonë .

Kënga që na e mësoi mësuesi , titullohej :”Kënga e Zejnës” dhe kishte një tekst bukur të gjatë , me një përmbajtje shumë elegjiake . Ajo, nuk kishte ndonjë melodi të re, të kompozuar , por këndohej sipas dëshirës duke ia përshtatur ndonjë melodi nga këngët e vjetra tradicionale . Shumë shpejt e mësuam përmendsh dhe e këndonim kudo që na kërkohej , ku edhe mirëpritej nga të gjithë ata që na dëgjonin . Më vonë e mësuam se autori i vargjeve të kësaj kënge , kishte qenë vetë mësuesi – Ismajl Doda .

Që nga ajo kohë, kudo që organizohej ndonjë program shkollor, ndonjë ndeje fshatare, shëtitje shkollore, dasma e ahengje të ndryshme popullore , ishte e pa mundur që t’iu iknim kërkesave të adhuruesve të këngës – pa ua këndua këtë këngë, e cila kudo mirëpritej me lot e admirim !

Me t’u regjistrua në Shkollën e Mesme të Muzikës , në Prishtinë, aktivitetin tim muzikor në fushën e këngës nuk e ndala as atje .

Në Prishtinë , kisha disa kushërinj të cilët ishin mjaftë të talentuar dhe entuziast për muzikë dhe shumë shpejt së bashku me ta e themeluam Grupin muzikor “Vëllezërit Krasniqi”. Me këtë grup, shumë shpejt u afirmuam dhe kërkesat e adhuruesve tanë , për të na ftuar nëpër dasma e ahengje të ndryshme popullore , sa vinin e shtoheshin dita-ditës.

Edhe me këtë grup muzikor , kudo që organizonim ndeja dhe kudo që shkonim nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore , ishte e pashmangshme edhe këndimi i “Këngës së Zejnës” , e cila mirëpritej kudo dhe kërkohej shumë nga adhuruesit tanë !

Unë , edhe si fëmijë, edhe tani si i ri , këtë këngë e këndoja me afsh nga kureshtja, por asnjëherë në jetë nuk i dija pasojat e saj, sikur që nuk i dija as protagonistët e kësaj ngjarje , si që ishin : Zejna , si viktimë dhe Murati , si vrasës ?!

Me t’u pranuar në Radio Prishtinë, si këngëtar i rregullt i saj, më 1968 , rrugët dhe mundësitë e mia për afirmim në popull , sa vinin e shtoheshin çdo ditë e më shumë gjithandej trojeve shqiptare .

Talentin dhe popullaritetin tim e kishin gjurmuar edhe zyrtarët e Produkcionit Muzikor “Beograd disk” , nga Beogradi , të cilët shumë shpejtë na e bënë ofertën për të incizuar atje edhe disqe gramafoni me këngë e valle popullore shqiptare nga repertori ynë. Kjo ofertë , për ne ishte një shkallë shumë e lartë e sukseseve drejt afirmimit në fushën e këngës popullore .

Në njërin prej disqeve që duhej ta incizonim në vazhdim , gjatë vitit 1970, e përzgjodhëm edhe “Këngën e Zejnës” , me që ajo këngë na kërkohej shumë nga populli dhe ishim të bindur se ajo edhe në tregun muzikor , do ta gjejë vendin e duhur ! Ashtu edhe vepruam dhe kënga u incizua në disk, por që pritje bukur një kohë të gjatë derisa ajo të plasohej në tregje !

Në vitin shkollor 1970/71, për herë të parë ia fillova punës si arsimtar i edukatës muzikore , në shkollën fillore të fshatit tim – Tugjec .

Gjatë kohës sa isha duke punuar atje, disku im , i incizuar me “Këngën e Zejnës”, kishte dalë në shitje gjithandej trojeve shqiptare , por edhe jashtë tyre.

Për këtë risi të tregut nga veprimtaria ime muzikore , ma solli lajmin në Tugjec , dikush nga kolegët e mi , i cili e kishte parë dhe dëgjuar këngën duke jehuar fuqishëm nëpër shitoret e qytetit të Gjilanit .

Mua, më dukej larg deri sa të shkoj në Gjilan , që ta dëgjoj diskun dhe ta shoh se si na ka dalë puna jonë ?!

Këtu fillojnë propagandat , gënjeshtrat , shpifjet dhe etiketimet ndër më të ndryshmet ndaj meje

Me të marrë lajmin për daljen në treg të diskut tim të ri , mezi e pritja fundin e javës së punës në shkollë dhe ditën e premte , po sa e përfundova orarin e punës , menjëherë u nisa për të shkuar në Gjilan, ku prej Tugjecit në Kamenicë duhej udhëtuar këmbë 18 kilometra rrugë, e pastaj me autobus udhëtonim për në Gjilan .

Po sa zbrita nga autobusi në Gjilan, u nisa sheshit për të shkuar deri tek shitoret ku po shiteshin disqet e gramafonit . Duke udhëtuar nëpër rrugët e Gjilanit, po e vërejë një gjest shumë të çuditshëm nga ana e kalimtarëve , të cilët po e bënin në drejtim timin?!

Çdo kalimtar që po vinte në drejtim timin , nga disa metra larg meje po e venin shuplakën e dorës mbi ballë , duke më shikuar me habi dhe pastaj më pyesnin :

“Po, ti a hala i gjallë koke, a ?!”

Unë, duke mos e ditur se për çfarë arsyeje po ma bënin këtë pyetje , mendoja se po tallen me mua , duke menduar për kushtet e rënda në të cilat jetoja e punoja në vendlindjen time dhe iu përgjigjesha :

-Po, po. Gjallë edhe i fortë bile !

Mirëpo, sa hap që shkoja ma larg sheshit të qytetit , pyetjet e këtilla nuk kishin të ndalur !

Dikur, në mesin e njerëzve që kishin dalë për të shëtitur nëpër rrugët e qytetit , e takova edhe një mik timin shumë besnik dhe adhurues i flakët i këngëve të mia , ku edhe ai ma bëri të njëjtën pyetje !

Atëherë e ndava nga shokët e tij dhe e futa në një çosh të rrugës , ku edhe e pyeta se për çfarë arsyeje po më shtrohet kjo pyetje nga të gjithë?!

Mikut tim, iu mbushën të dy sytë me lot dhe mezi fliste nga dridhja e buzëve dhe nostalgjia , kur e pa se unë isha i gjallë !

-Po, tha ! Mik, po të tregoj, veç pashë të madhin Zot, mos më keqkupto dhe mos u demoralizo për atë që do të tregoj tani!

-Që ditën e parë, kur është paraqitur disku yt, në treg të Gjilanit dhe nga ai disk ka jehuar në kupë të qiellit “Kënga e Zejnës” , nëpër rrugët dhe kuluaret e qytetit është përhapur një propagandë shumë e rëndë kundër teje , ku flitej se me të dëgjuar të kësaj kënge nga ana e vrasësit të Zejnës – Muratit , ai është takuar me ty në vendin e quajtur Crephane dhe të ka vra me 13 plumba !…

Ky lajm dhe kjo propagandë ishte përhapur nëpër popull aq shpejtë, sa brenda tri ditëve kishte arritur edhe deri tek mërgimtarët tanë në diasporë deri në Australi!

Pas këtyre lajmeve “të zeza” lidhur me mua, unë e mora diskun dhe u ktheva menjëherë për në shtëpinë time në Tugjec.

Me t’u kthyer nga Gjilani për në Tugjec, të gjithë ata propagandues të cilët më kishin parë gjatë rrugës dhe qëndrimit tim në Gjilan, se unë jam i gjallë, atëherë e rrotullojnë propagandën anasjelltas dhe shpifin:

“Jo, more ! Nuk ish kanë e vërtetë se Murati e ka vra Demirin, por Demiri e kishte vra Muratin në vetëmbrojtje, nga se kishte qenë më i rreptë ndaj përdorimit të armës!”

Prej kësaj dite, propagandat rreth kësaj kënge, nuk pushuan kurrë dhe ato sa vinin e shtoheshin në variante të ndryshme , ku secili propagandues e qëndiste sipas qejfit dhe dëshirës së tij personale !

Shumë prej tyre , për t’ a bindur masën me rrenat e veta , shkonte aq larg, sa u tregonte njerëzve se gjoja , ai ka qenë vetë prezent në një dasmë, ku ka qenë i ftuar Demiri për të kënduar dhe aty janë takua ballë për ballë me Muratin, të cilit Demiri para dasmorëve i ka thënë:

”Unë ta këndoj këngën edhe para syve tu dhe nuk të frikësohem aspak!”

Kështu që, me dhjetëra herë, është propaganduar ky variant i gjoja duelit tim me Muratin , nëpër dasma të ndryshme popullore !

Kur propaganduesit dhe shpifësit e këtij tmerri e panë se ky variant i duelit tim me vrasësin e Zejnës , nëpër rrugë e dasma më nuk po ndezë nëpër popull, atëherë e ndërruan tërësisht strategjinë e propagandës dhe shpifjeve të tyre !

Gjatë kohës sa isha duke punuar si arsimtar i edukatës muzikore në Tugjec, isha fejuar dhe tani pritej edhe Dasma e Martesës sime .

Propogandimet e reja , vinin nga të katër anët dhe ato përmes kanaleve të ndryshme , ua fusnin në vesh prindërve , motrave , vëllezërve të mi dhe mbarë farefisit tim, ku i tmerronin në këtë mënyrë :

-Valla, po na vjen shumë keq me iu tregua , por ma mirë mos bëni harxhime , mund dhe dasmë kot, nga se Murati ka thanë:

“Veç jam duke e pritur Dasmën e Demirit , se pa e vra mu në Ditën e Dasmës dhe me ia lanë nusen nën duvak, kurrë nuk e la !”

Prindërit dhe të afërmit e mi, nuk mi tregonin këto propogandime, por e shihja qartë se sa më shumë që po afrohej Dita e Dasmës sime, aq më shumë po mërziteshin?!

Erdhi Dita e Dasmës sime, më 14 Gusht 1971, dhe dasmorët e mi u mblodhën nga të katër anët e Kosovës . Ishte një dasmë shumë e madhe e asaj kohe .

Ditën e Dielë, krushqit shkuan për ta marrë nusen time, por unë sipas zakonit , u ndala në shtëpi. Gjatë tërë ditës e deri në orët e mbrëmjes , kur më futën në gjerdek sipas zakonit, e vëreja se në çdo hap, në çdo moment më ruanin anëtarët e familjes sime të ngushtë , por asnjëherë nuk e dija se për çfarë qëllim po më përcjellin ?!

Pas përfundimit të dasmës dhe martesës sime , propaganduesit dhe shpifësit ndjellakeq, nuk pushonin asnjëherë ! Tani , pritej thirrja për të shkuar në shërbimin ushtarak ! Me të kuptuar se mua më erdhi thirrja për të shkuar në ushtri, menjëherë u përhap propaganda se Murati ka thanë:

“Do ta vras Demirin , mu në ditën kur të niset për të shkuar në shërbimin ushtarak, në Kamenicë!”

Edhe ditën, kur u nisa për të shkuar në ushtri, familjarët dhe rrethi im i ngushtë , më përcollën deri në Kamenicë, nga frika se mos do të ndodhte diçka e tillë !

Gjatë qëndrimit tim , në shërbimin ushtarak , shpifarakët kishin përhapë propagandën tjetër :

“Ka thanë Murati, me kajst nuk kam dashtë që ta vras Demirin , deri sa ta kryejnë shërbimin ushtarak, por qatë ditë që të kthehet nga shërbimi ushtarak, unë do ta vras dhe nuk do ta la të gjallë me dalë në Tugjec!”

Unë, mbarova shërbimin ushtarak dhe u ktheva shëndosh e mirë në familjen time, pa më ndodhë as e keqja më e vogël .

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, u shpërngula nga Tugjeci me vendbanim të përhershëm dhe punësim në Prishtinë. Mirëpo, as atje nuk pushonin propagandat dhe shpifjet e njëpasnjëshme kërcënuese , të cilat në vazhdimësi më vinin prej Gjilanit dhe Kamenicës ?!

Në fund të vitit 1987, erdha për të jetuar me familje në Gjilan. Profesioni im prej arsimtari të muzikës dhe këngëtarit popullor , kërkonte që unë në vazhdimësi ta barti me vete një çantë dore, në të cilën i mbaja plan-programet dhe përgatitjet shkollore , si dhe ndonjë libër me këngë popullore, nga se prej meje kërkoheshin lloj-lloj këngësh të vjetra popullore dhe ato ishte e pamundur që t’i mësoj përmendësh të gjitha. Në anën tjetër, nuk e lejoja vetin që nëse dikush ma kërkon ndonjë këngë, unë t’i përgjigjem se nuk e di !

Lidhur me bartjen e kësaj çante me libra , vëzhguesit , përcjellësit dhe propaganduesit shpifarak të veprimtarisë sime , menjëherë e kishin përhapur propagandën tjetër, ku trumbetonin :

“Demiri , kudo që shkon nëpër dasma, restorante, nëpër shkolla …e bartë me veti një çantë me një libër , në të cilin e mbanë fshehurazi një revole për t’u mbrojtur nga Murati!”

Këto propaganda dhe shpifje kërcënuese , të cilat projektoheshin në mënyrat më të ndryshme , nuk pushuan kurrë dhe nuk më lanë të qetë kurrë në jetën time, afro 50 vjet?!

Projektuesit e këtyre shpifjeve dhe propagandave ndaj meje, kishin tri qëllime kryesore:

Të nxisin tensione dhe të vijnë deri tek krimet e reja në mes meje dhe palës tjetër!
Të më komprometojnë mua si këngëtar popullor dhe si arsimtar të muzikës ! Ta nxisin urrejtjen e popullatës ndaj meje , ta ndalin popullaritetin tim dhe t’i stopojnë sukseset e mia !
Me këto propaganda , shpifarakët zemërzi , që ishin edhe dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbo-jugosllave , mëtonin që të ma rrisin mendjen , të më shpallin si “trim” , “guximtar” e “hero të patrembur” të këngës ?!

Nuk do të isha korrekt , sikur të mos ua tregoja edhe një fenomen tjetër të hidhur , por shumë të vërtetë :

Gjatë gjithë karrierës sime prej këngëtari popullor , kam pas fatin që të marr pjesë në të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare , të cilat administroheshin nën juridiksionin e federatës jugosllave dhe çdo kund jam mirëpritur ngrohtësisht e me admirim .

Kurrë në jetën time , në asnjërin prej këtyre vendeve e krahinave , nuk më ka ndodhur ndonjë e keqe, etiketim, propagandim , përgjim , shpifje , apo spiunazh !

Fatkeqësisht , të gjitha etiketimet, shpifjet, propagandat , përgjimet dhe spiunimet ndaj meje , janë projektua dhe jetësua nga Gjilani e Kamenica, edhe pse veprimtaria ime muzikore më së paku ndërlidhej me këto dy komuna ! Madje, një kohë të gjatë, unë as që kam banua, punua e veprua në këto dy komuna me rrethinë ?!

Të gjitha këto katrahura dhe barriera të jetës sime, i tejkalova me sukses , maturi e durim mbinjerëzor, por asnjëherë në jetën time nuk e kam konsideruar vetën si : trim, guximtar , apo hero të këngës !

Këngën e kam këndua e kultivua për shpirtin tim , për popullin tim , për kombin tim , nga se e kam pas pasion, profesion dhe nga ajo kam mbijetua bashkë me familjen time !

Dhe krejt në përmbyllje të këtij rrëfimi, me përgjegjësinë time më të madhe morale, njerëzore , kombëtare , juridike , po ju betohem se :

Kurrë në jetën time , nuk kam pas asnjë kontakt me personazhin e vrasjes së Zejnës !

Kurrë në jetën time , nuk e kam njohur, as takua atë njeri dhe kurrë në jetën time nuk kam pas asnjë kërcënim më të vogël prej tij, por as prej rrethit të tij familjarë !

Këtë rrëfim , ia kam pas borxh popullit dhe adhuruesve të mi , për t’ua shpjeguar dhe ndriçuar njëherë e përgjithmonë të vërtetën rreth kësaj propagande , si dhe për t’ua bërë me dije se çfarë pasojash mund t’i sjell një njeriu të thjeshtë , puna, sukseset dhe popullariteti i tij publik në rrethin ku jetojmë e veprojmë ne !

Gjithmonë respekt e nderime për Ju, që do ta lexoni dhe do ta kuptoni drejt këtë rrëfim timin rrëqethës , real dhe jetësor !

Gjilan, Qershor 2013



Filozofi
 
dhe
letërsi

histori
tradita
vështrime
debat


citate
intervista
letra hapura
botime reja



Shpërndaje:

 
     
Filozofi
         dhe letërsi

|Citate dhe proverba| |Citate sipas autorëve|

|Altruizmi-Egoizmi| |Arsimimi| |Art-Dhunti| |Besimi| |Dashuria| |Dashuria (II)| |Dashuria (III)| |Dashuria (IV)| |Dituria| |Drejtësia| |Edukata| |Ëndërrat| |Fëmijët| |Filozofia| |Fjalëbutësia| |Frymëzimi| |Gruaja| |Humori| |Imagjinata| |Inteligjenca| |Jeta| |Lakmia| |Lotët| |Lumturia| |Mali| |Mëdyshja| |Miqësia| |Mosha| |Motivimi| |Muzika| |Natyra| |Ndryshimi| |Nga-fëmijët| |Nga-Vizitorët| |Optimizmi| |Paqa| |Paragjykimi| |Qesëndi| |Rrena| |Skamja| |Vetitë| |Vjedhja| |Xhelozia| |Të-pandara|

 
____histori kombëtare, vështrime, debat, politikë, letra të hapura____ © Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Copyright © 2007 [ http:// www. filolet.com ] Tous droits réservés.
Révision : 28 nov. 2012 14:06:32 +0100 .